Rreth 36 mijë persona në Shqipëri vlerësohet se jetojnë me demencë, ndërsa specialistët ngrenë shqetësimin për shfaqjen e sëmundjes edhe në mosha më të reja. Në Elbasan, 50 studiues dhe ekspertë nga 20 vende të botës diskutuan mbi këtë sfidë dhe prezantuan gjetjet e reja mbi sëmundjen, në konferencën “Etika dhe Demenca”. “Disa faktorë mund të ndikojnë në shfaqjen e demencës në moshë të hershme, si duhani, alkooli, mungesa e aktivitetit fizik dhe diabeti i tipit 2. Të gjithë këta janë faktorë rreziku. Por rritja e numrit të pacientëve lidhet edhe me rritjen e moshës së popullatës dhe ndryshimet demografike. Në Bashkimin Europian ka disa gjetje që mund të ndihmojnë në trajtimin e kësaj sëmundjeje, por deri më tani nuk ka një kurë të caktuar. Rreth 200 sëmundje përfshihen nën ‘çadrën’ e demencës dhe kërkojnë trajtime të specializuara”, thotë Sigurd Lauridsen, Përfaqësues i Universitetit të Danimarkës. Por pas diagnozës nuk është vetëm pacienti ai që përballet me ndryshimin. Demenca prek drejtpërdrejt edhe familjen, e cila shpesh duhet të përshtatë të gjithë jetën e saj me nevojat e personit që jeton me këtë sëmundje. “Do ishte shumë mirë që të gjitha institucionet të bëhen bashkë. Të ketë një plan kombëtar për mbështetjen e këtyre personave dhe të këtyre familjarëve. Kjo është arsyeja pse vendosëm ta bëjmë këtë konferencë në formë ndërgjegjësimi”, thotë Elona Gaxhja, Dekane e Fakultetit të Shkencave Mjekësore në Elbasan. Ndikimi i demencës shtrihet edhe në marrëdhëniet familjare dhe emocionale. Sipas psikologëve, ndryshimet që sjell sëmundja mund të ndikojnë në sjelljen dhe komunikimin e personit me familjarët. “Gjithçka për të bëhet e panjohur, ky person fillon të ketë një irritim më të ndjeshëm, pra shpeshherë këta persona mund të bëhen më agresivë në aspektin emocional dhe nuk kanë dhe nuk dinë të falin atë dashurinë që më parë ia jepnin familjarëve, qoftë edhe fëmijëve të tyre”, thotë psikologia Ilma Toçi. Në Shqipëri, përmasat e fenomenit mbeten të vështira për t’u përcaktuar me saktësi, pasi vendi nuk ka ende një regjistër zyrtar për personat që jetojnë me demencë. Të dhënat e “Global Burden of Disease” për vitin 2019 vlerësonin rreth 36 mijë persona me demencë në Shqipëri. Sipas të njëjtit parashikim, deri në vitin 2050 numri i personave që jetojnë me demencë në Shqipëri mund të shkojë në rreth 87 mijë. Shifrat nënvizojnë nevojën për më shumë mbështetje për pacientët, familjarët dhe strukturat që ofrojnë kujdes të specializuar. Mjekët: Shenjat e demencës mund të shfaqen deri 15 vite para sëmundjes
