Lajme Zone
Midis revoltës dhe ndryshimit: çfarë e pret Shqipërinë?
PolitikëPamfleti

Midis revoltës dhe ndryshimit: çfarë e pret Shqipërinë?

E angazhuar prej vitesh në mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm, Koçeku hyri gradualisht në konflikt me qëndrimet e qeverisë dhe të partisë së saj, sidomos për shkak të protestave që po zhvillohen në vend.

Pamja nga protesta në Tiranë / Në një intervistë për Focus Europe, deputetja e pavarur Marjana Koçeku flet për protestat kundër qeverisë Rama, krizën e besimit ndaj institucioneve dhe skenarët politikë që mund të përcaktojnë të ardhmen e vendit. Vetëm 25 vjeçe, Marjana Koçeku u shndërrua brenda pak muajsh nga një prej figurave të reja premtuese të Partisë Socialiste në një nga zërat më kritikë të parlamentit shqiptar. E lindur në Shkodër dhe e rritur mes maleve të Shqipërisë së Veriut, ajo është deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë.

E angazhuar prej vitesh në mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm, Koçeku hyri gradualisht në konflikt me qëndrimet e qeverisë dhe të partisë së saj, sidomos për shkak të protestave që po zhvillohen në vend.

Më 14 qershor, ajo njoftoi publikisht largimin nga Partia Socialiste, duke e shoqëruar vendimin me simbolin e flamingos, tashmë të lidhur ngushtë me protestat. Shkëputja ndodhi në kulmin e një vale protestash që prej më shumë se një muaji e gjysmë kanë përfshirë Tiranën.

Dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj, kanë dalë në rrugë kundër ndërtimit të një resorti gjigant në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, një projekt i lidhur me investitorë të afërt me familjen Trump-Kushner.

Për protestuesit, kjo çështje shkon përtej mbrojtjes së mjedisit. Ajo përfaqëson një krizë të thellë besimi midis qytetarëve dhe institucioneve, dyshime për korrupsion, mungesë transparence dhe kundërshtimin e një modeli zhvillimi të imponuar nga lart, pa pjesëmarrjen e komuniteteve vendore.

Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat si rezultat të ndërhyrjeve të huaja dhe të një fushate të organizuar nga rrjete të ashtuquajtura trollësh dhe avatarësh. Në këtë intervistë për Focus Europe, deputetja e pavarur shpjegon arsyet e largimit nga partia që qeveris vendin prej vitit 2013, kuptimin që kanë marrë protestat e Sazanit dhe Zvërnecit, si edhe vizionin e saj për të ardhmen e Shqipërisë.

Ju jeni deputetja më e re e Kuvendit të Shqipërisë. Pse vendosët të kandidonit në zgjedhje? Kur lindi interesi juaj për politikën dhe shërbimin publik?

Nuk kam qenë kurrë veçanërisht e apasionuar pas politikës në vetvete. Ajo që më ka motivuar ka qenë dëshira për të ndryshuar realitetin nga brenda. Jam rritur në një zonë të largët dhe të lënë pas dore të Shqipërisë së Veriut, ku për dekada me radhë investimet publike kanë qenë të pakta dhe mundësitë për gratë dhe të rinjtë kanë qenë shumë të kufizuara.

Përvoja e drejtpërdrejtë me këtë realitet më krijoi një ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe, në fund, më çoi drejt politikës. Për mua, politika nuk ka qenë kurrë një qëllim në vetvete. Ajo është thjesht një mjet për të krijuar mundësi, për të mbrojtur komunitetet dhe për t’u dhënë zë njerëzve që shpesh mbeten në harresë.

Gjatë viteve të fundit, jam bërë e njohur përmes një lëvizjeje mjedisore dhe një projekti të turizmit të qëndrueshëm, të cilët kanë treguar se ekziston një model tjetër zhvillimi, i aftë të mbrojë natyrën dhe, njëkohësisht, të krijojë mundësi për komunitetet lokale.

Kjo përvojë më bindi se ajo që funksionon në nivel lokal, mund të shndërrohet edhe në një model për politikën kombëtare. Hyra në parlament me synimin për t’i kthyer këto parime në një vizion më të gjerë politik, ku mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mirëqenia e komuniteteve vendore të konsiderohen themelet e përparimit dhe jo pengesa për të.

Kohët e fundit, Shqipëria është përfshirë nga protesta masive, ku ndërtimi i resortit në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur të Zvërnecit nga investitorë të huaj ka nxitur kërkesa që shkojnë përtej çështjeve ndërtimore dhe mjedisore. Çfarë fshihet pas kësaj lëvizjeje? Cilat janë shkaqet dhe kërkesat e protestuesve?

Zhvillimi është i dobishëm vetëm kur u shërben njerëzve dhe u krijon atyre mundësinë për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre, pa u detyruar të largohen. Në të kundërt, ai mund të shndërrohet në një formë dhune ekonomike dhe shoqërore, siç ka ndodhur vitet e fundit në disa zona të Shqipërisë së Jugut.

Vende që dikur dalloheshin për bukurinë e tyre të rrallë natyrore dhe mund të konkurronin me destinacionet më të njohura turistike në botë, sot janë mbuluar nga ndërtime të mëdha betoni, të cilat kanë ndryshuar rrënjësisht karakterin e tyre.

Në shumë raste, komunitetet lokale janë detyruar të largohen, ndërsa hapësirat ku kanë jetuar prej brezash janë shndërruar në komplekse banimi pa identitet dhe pa lidhje me traditën e zonës. Mirëqenia e një vendi nuk mund të matet vetëm me treguesit ekonomikë ose me shifrat e investimeve.

Një model zhvillimi që ndërtohet së bashku me komunitetet lokale, dhe jo në kurriz të tyre, mund të krijojë më shumë mirëqenie, duke ruajtur njëkohësisht identitetin kulturor dhe pasuritë natyrore. Kjo protestë është bërë simbol i një debati shumë më të gjerë mbi mënyrën se si merren vendimet në Shqipëri.

Ajo ka ngritur pikëpyetje thelbësore mbi funksionimin e institucioneve, mbrojtjen e interesit publik, respektimin e ligjit dhe rolin që qytetarët duhet të kenë në vendimmarrje.

Për shumë njerëz, çështja e Sazanit dhe e Zvërnecit përfaqëson një krizë më të thellë të besimit te institucionet, të lidhur me korrupsionin, mungesën e transparencës dhe dobësimin e mekanizmave demokratikë.

Mendoj se kjo protestë është shndërruar tashmë në një lëvizje të qëndrueshme qytetare. Arritja e saj më e madhe është vetë vazhdimësia e saj dhe krijimi i një kulture të re politike.

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat produkt i ndërhyrjeve të huaja. Si e vlerësoni reagimin e qeverisë ndaj kërkesave të protestuesve?

Kjo protestë duhet të shërbejë si një moment reflektimi për qeverinë. Institucionet duhet të dëgjojnë qytetarët që dalin në rrugë, të marrin në konsideratë shqetësimet e tyre dhe të tregojnë më shumë përulësi, si në komunikim, ashtu edhe në mënyrën se si ushtrojnë pushtetin.

Ata që protestojnë janë qytetarë të lirë, të cilët nuk udhëhiqen domosdoshmërisht nga interesa politike, por nga zhgënjimi i grumbulluar ndër vite, nga ndjenja e përjashtimit dhe nga dëshira për të pasur një të ardhme më të mirë.

Përgjegjësia e një qeverie demokratike, nuk është t’i shpërfillë këta zëra, por të reflektojë me ndershmëri mbi gabimet e bëra dhe mbi ato që nuk ka arritur të realizojë. Vetëm në këtë mënyrë mund të rindërtohet besimi i qytetarëve tek institucionet.

Muajin e kaluar vendosët të largoheshit nga Partia Socialiste. A jeni ende e bindur se ky ishte vendimi i duhur? Cilat ishin arsyet kryesore që ju shtynë ta ndërmerrnit këtë hap?

Po, jam plotësisht e bindur se ishte vendimi i duhur dhe se do ta merrja sërish të njëjtin vendim. U largova sepse nuk mund të qëndroja më në heshtje, në një moment kur heshtja do të nënkuptonte heqjen dorë nga parimet që më kishin çuar drejt politikës.

Një nga arsyet kryesore ishte shqetësimi im për mbrojtjen e mjedisit. Vij nga malet e Shqipërisë së Veriut, ku natyra është pjesë e pandashme e identitetit tonë dhe e mënyrës sonë të jetesës. Nuk mund të mbështesja një qasje, që i vendos interesat afatshkurtra përpara ruajtjes së trashëgimisë sonë natyrore dhe interesave të brezave të ardhshëm.

Një arsye tjetër ishte mungesa e demokracisë së brendshme dhe distanca gjithnjë e më e madhe midis institucioneve dhe qytetarëve. Për mua, politika do të thotë t’u shërbesh njerëzve dhe jo strukturave partiake. Besnikëria ndaj parimeve të mia ishte më e rëndësishme sesa qëndrimi në pushtet.

Në vitin 2029, nëse nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, Shqipëria do t'u drejtohet sërish kutive të votimit. A prisni një rinovim të partive tradicionale apo mendoni se mund të shfaqet një alternativë e re politike?

Për momentin, nuk besoj se asnjëra prej dy partive kryesore është në gjendje të frymëzojë besim te një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare, përfshirë mua. Mbase është ende herët për të folur për zgjedhjet e ardhshme, por mendoj se qytetarët po kërkojnë një mënyrë tjetër të të bërit politikë.

Ata kërkojnë më shumë ndershmëri, më shumë transparencë dhe një marrëdhënie më të drejtpërdrejtë midis institucioneve dhe njerëzve. Për pjesën e mbetur të mandatit tim, kam vendosur të mbetem deputete e pavarur. Synimi im është të jem një zë i lirë dhe i besueshëm për qytetarët, duke ofruar kritika të argumentuara, por edhe duke propozuar alternativa konkrete.

Do të vazhdoj të përqendrohem te çështjet që lidhen me interesin publik, veçanërisht te mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i qëndrueshëm, ruajtja e hapësirave publike dhe forcimi i rolit të komuniteteve lokale në procesin e vendimmarrjes.

Pas një viti në politikë, cili është vlerësimi juaj për klasën politike shqiptare? Cilat janë objektivat tuaja për pjesën e mbetur të mandatit?

Ky vit më ka ndihmuar të kuptoj më mirë se sa e rëndësishme është që politika të mbetet e lidhur me njerëzit dhe me nevojat e tyre të përditshme. Kam kuptuar gjithashtu se ndryshimi kërkon këmbëngulje, durim dhe vendosmërinë për të mos bërë kompromis me parimet themelore.

Si deputete e pavarur, synoj të përdor kohën që më mbetet në parlament për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të ngritur zërin për çështje që shpesh mbeten në hije. Do të vazhdoj të punoj për mbrojtjen e mjedisit, rritjen e transparencës dhe krijimin e një modeli zhvillimi që u shërben njësoj si zonave urbane, ashtu edhe atyre rurale.

Synimi im nuk është thjesht të kundërshtoj apo të denoncoj problemet, por të kontribuoj në ndërtimin e një kulture të re politike, të aftë për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet dhe për të krijuar një vizion më afatgjatë për të ardhmen e Shqipërisë./Pamfleti nga “Focus Europe”midis revoltës dhe ndryshimit shqipëria Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Trump dhe gjeopolitika e tullave: Si po i shumëfishon bizneset në mbarë botën 31 Korrik 2026, 13:2713:27Forum Divjaka përballë reformës administrativo-territoriale të propozuar nga PS 31 Korrik 2026, 11:0411:04Forum Europianisti i kafenesë, Fejton 30 Korrik 2026, 21:4021:40Forum Nga mender shefat e PD-së te zdrapat e PS-së! 30 Korrik 2026, 20:1620:16Forum Drafti, thikë pas shpine ndaj qytetarit e territorit! 30 Korrik 2026, 18:2118:21Forum Revolta që ka futur në krizë politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë 30 Korrik 2026, 12:1612:16Forum