Këngëtarja e njohur Irini Qirjako ka rrëfyer një nga kujtimet më të veçanta të karrierës së saj, duke rikthyer në vëmendje takimin me aktorin e famshëm të Hollywood-it, Michael Douglas, gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2000.
Artistja tregoi se në atë kohë, Ministria e Kulturës kishte organizuar një koncert në Pallatin e Kongreseve, ku ajo interpretoi një këngë polifonike. Performanca duket se i bëri përshtypje të veçantë aktorit amerikan.
“Aktori i madh i Hollivudit, Michael Douglas kur ka qenë në Shqipëri në vitin 2000, ministria e Kulturës organizoi një koncert te Pallati i Kongreseve. Unë kisha një këngë polifonike. Michael Douglas kur e dëgjoi ngeli pa frymë”, rrëfeu Qirjako.
Por surpriza për këngëtaren nuk përfi me performancën. Pasi zbriti nga skena dhe po përgatitej të largohej, truprojat e aktorit e ndaluan, duke i thënë se Douglas dëshironte ta takonte personalisht.
“Unë mbarova në skenë dhe do ikja, do më merrte im shoq. Ata truprojat më thirrën ‘Irini, Irini, mos ik, aktori i madh Douglas do të bëjë foto me ty’”, tregoi ajo.
Sipas Qirjakos, takimi ishte tepër i ngrohtë dhe aktori e përqafoi, ndërsa më pas i shprehu hapur habinë e tij për atë që kishte dëgjuar.
“Më përqafoi me kaq dashuri. Tha: ‘Diçka të tillë nuk e kam dëgjuar kurrë në jetë, kjo ishte një mrekulli që kam parë në jetën time’”, kujtoi këngëtarja.

