Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti në New York mori pjesë në gala mbrëmjen e Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane. Mexhiti për "TV21" tha se bashkë me shoqatat, po bashkërendisin aktivitetet për të ardhmen.“Shfrytëzoj rastin të përshëndes diasporën shqiptare, po edhe falënderoj për kontributin që e ka dhënë vazhdimësi në të gjitha proceset, për kombin shqiptar. Prandaj edhe sot edhe këtu erdhëm me kënaqësi në ftesën e Këshillit Shqiptaro-Amerikan, për të bashkëbiseduar, për të bashkërenditur aktivitetet e ardhshme. Kemi pasur nevojë dhe kemi nevojë, domethënë, për ndihmën e shqiptarëve në Amerikë, dhe sidomos për qasjen dhe relacionet e tyre me Kongresin dhe Senatin Amerikan”, deklaroi Mexhiti. Mexhiti theksoi se përveç takimeve në kuadër të mbledhjes së Këshillit të OKB-së, delegacioni i Maqedonisë në New York po zhvillojnë takime edhe me përfaqësues të shoqatave të ndryshme që kanë shprehu vullnetin për bashkëpunim.“Këtu është edhe Këshilli OKB-së, janë prezent kryeministrat. Është edhe kryeministri i Maqedonisë, ministri i Punëve të Jashtme, është edhe kryeministri i Kosovës, kryeministri i Shqipërisë. Ka edhe takime spontane, por veçanërisht jemi ndaluar për të takuar shoqatat e ndryshme të diasporës, të cilat kanë dhënë vazhdimisht kontribut dhe e kanë vullnetin për të dhënë edhe në të ardhmen, për t’i bashkërenduar aktivitetet bashkë”, tha Mexhiti.

