Një javë pas nisjes së vitit të ri shkollor 2026/2027, në shkollat e Kosovës, ende nuk kanë arritur ditarët e klasave, ndërsa mësimdhënësit po detyrohen të mbajnë evidencën e orëve dhe mungesave të nxënësve në fletë të printuara.Në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Pavarësia” në Prishtinë, drejtoria ka përgatitur një format të përkohshëm të ditarit në letër A4, të cilin mësimdhënësit po e përdorin deri në furnizimin me ditarë zyrtarë. Drejtori i kësaj shkolle, Halil Braha, thotë për KosovaPress, se të gjitha shënimet e bëra gjatë kësaj periudhe do të barten më vonë në ditarët e klasave, ndërsa fletët do të ruhen në arkivin e shkollës.“Për mungesën e ditarëve, ne kemi bërë një format të ditarit në letër A4. I kemi printuar për një javë të plotë dhe mësimdhënësit tanë i përdorin ato evidenca, në mënyrë që pastaj, sapo të vijnë ditarët, i marrin po të njëjtat shënime nga këto evidenca dhe i bartin në ditarët e klasës. E këto evidenca do t'i ruajmë në arkivin e shkollës si dëshmi e punës në një vit që nuk është që i përgatitur”, tha ai.Braha tha se një situatë e ngjashme me vonesën e ditarëve kishte ndodhur edhe gjatë pandemisë, e edhe atëherë kjo vonesë kishte zgjatur vetëm tri ditë pas fillimit të vitit shkollor.Sipas tij, mungesa e ditarëve po krijon vështirësi edhe në evidentimin e mungesave të nxënësve dhe në regjistrimin e rregullt të orëve mësimore.“Gjithsesi që krijon vështirësi, sepse nuk mund të merren me rregull evidencat e mungesës së nxënësve. Domethënë kjo krijon vështirësi që nuk evidentohen në mënyrë të rregullt, se mungojnë hapësirat për këtë. Dhe përveç kësaj, natyrisht edhe vendosja me kohë e orëve të mësimit në ditar. E ne i kemi këtu të improvizuar këtë ditarin tonë, që i përdorim në raste kur neve na mungon ditari, sikurse tani në këtë javë. E po shpresojmë që nga java e ardhshme të na vijnë ditarët edhe të fillojmë mbarë edhe me këtë pjesë”, u shpreh Braha. Ndërsa ata nuk kanë marrë ndonjë sqarim zyrtar për arsyen e vonesës.“Jo, nuk kemi asnjë sqarim, zyrtarisht nuk kemi asnjë sqarim”, tha Braha.Mungesën e ditarëve në shkollat e Prishtinës e ka konfirmuar edhe drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani, i cili tha se bëhet fjalë për një problem që po ndikon në funksionimin e rregullt të procesit mësimor.“Po, ne jemi në pritje, jemi në pritje tash e disa javë të ditarëve për t'iu vendosur ato në bankat shkollore nga mësimdhënësit. Sigurisht është një prej çështjeve shqetësuese sot sepse kemi nxënës që nuk kanë libra për shkak të vonesave në subvencionim, por edhe për shkak të rregullimit të atij çmimi që ka qenë nga ministria, e në anën tjetër edhe në dorëzimin të ditarëve, shpërndarjen e tyre në shkolla. Pra, është e qartë që nuk mund të mbahet evidenca në shkollat tona, në klasat tona, në klasat e Prishtinës e çështje që cilëson sigurisht që ndikon në cilësinë në fund edhe në llogaridhënien reciproke mes nxënësve edhe mësimdhënësve”, deklaroi Elshani.Ai ka bërë të ditur se sipas informacioneve jo zyrtare që kanë, ditarët pritet të arrijnë gjatë javës së ardhshme.“Informacionet thonë që diku gjatë javës tjetër, tash është fillimi i javës a është fundi i javës, është çështje që jemi në pritje tash e disa ditë të ditarëve. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për t'i për t'u pajisur me to, prandaj vetëm jemi në pritje”, deklaroi drejtori i Arsimit në Prishtinë. Për mungesën e ditarëve ka reaguar edhe Rrjeti i OJQ-ve AVONET, i cili e ka cilësuar situatën si “dështim të papërgjegjshëm institucional”.Sipas AVONET-it, ditari shkollor është një nga mjetet themelore për evidentimin, dokumentimin dhe administrimin e procesit mësimor, ndërsa mungesa e tij ngre pikëpyetje për planifikimin dhe menaxhimin institucional të fillimit të vitit shkollor.AVONET ka vlerësuar se kjo çështje nuk duhet të trajtohet si një vonesë e zakonshme administrative, duke theksuar se katër ditë pa një mjet bazë të punës janë tregues i problemeve në planifikim dhe koordinim institucional.E derisa Ministria e Arismit nuk ka dhënë asnjë arsyetim, operatori i përzgjedhur nga kjo ministri ka thënë se procesi i përgatitjes së dokumentacionit shkollor, përfshirë librin e klasës dhe ditarët, është aktualisht në fazën përfundimtare, ndërsa furnizimi pritet të nisë gjatë fundjavës.“Gjatë kësaj fundjave pritet të fillojë furnizimi i librarive lokale të autorizuara, të cilat më pas, në fillim të javës së ardhshme, do të bëjnë furnizimin e shkollave në komunat përkatëse. Vonesa ka të bëjë me kohën e përfundimit të procedurave dhe me procesin e hartimit, përgatitjes dhe prodhimit të dokumentacionit. Njëkohësisht, jemi ende në pritje të kërkesave nga disa Drejtori Komunale të Arsimit, të cilat nuk i kanë përcjellë ende sasitë e sakta të nevojshme për furnizim. Pranimi i këtyre të dhënave është i domosdoshëm për planifikimin dhe realizimin e furnizimit sipas komunave”, thuhet në përgjigjen e operatorit ekonomik dërguar mediave.

