Oraret e çrregullta të ushqimit gjatë fundjavës mund të rrisin rrezikun për sëmundje të zemrës, veçanërisht te meshkujt. Ky është përfundimi i një studimi të ri francez. Hulumtimi, i publikuar në revistën Communications Medicine, analizoi oraret e më shumë se 100,000 pjesëmarrësve, duke krahasuar kohën e vaktit të parë dhe të fundit në ditët e punës me fundjavat, gjatë një periudhe ndjekjeje 14-vjeçare, nga viti 2009 deri në vitin 2023. Studiuesit e quajnë këtë fenomen “vonesa ushqimore” ndryshimi i orarit të vakteve mes ditëve të punës dhe fundjavës. Sipas rezultateve, për çdo orë shtesë ndryshim në orarin e ushqimit, meshkujt kishin një rritje prej 14 % të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe 21 % të rrezikut për sëmundje koronare të zemrës. Studimi zbuloi se si ata që hanin më herët, ashtu edhe ata që hanin më vonë gjatë fundjavës, kishin rrezik më të lartë krahasuar me personat që ruanin orare të ngjashme gjatë gjithë javës. Ajo çfarë habiti studiuesit, ishte fakti se kjo lidhje mes orareve të çrregullta të ngrënies së mëngjesit dhe sëmundjeve të zemrës nuk u vu re te gratë. Studiuesit dyshojnë se ndryshimet lidhen me orën biologjike 24-orëshe të trupit, e njohur si ritmi circadian, i cili ndikohet jo vetëm nga drita dhe gjumi, por edhe nga koha kur ushqehemi. Megjithatë, autorët theksojnë se rezultatet duhet të konfirmohen nga studime të tjera të mëdha.
