Papa Leoni XIV i ka dërguar një mesazh kardinalit shqiptar 97-vjeçar Ernest Simoni, i cili të premten, më 31 korrik, drejtoi meshën e shenjtë në ish-kampin e burgimit të Spaçit në kujtim të atyre që vuajtën ose humbën jetën aty. Gjatë regjimit komunist, Simoni kaloi aty pjesën më të madhe të dënimit të tij prej 18 vitesh me punë të detyruar, duke kremtuar fshehurazi meshën. Nga Fabrizio Peloni, VATICAN NEWSLexo edhe:Kardinali Ernest Simoni rikthehet në Spaç dhe kremton Meshën e Shenjtë: Të mos harrojmë të shkuarën “Asnjë zinxhir nuk është aq i fortë sa të burgosë një ndërgjegje të ndriçuar nga Ungjilli, asnjë natë nuk është aq e gjatë sa të pengojë agimin që Zoti përgatit për bijtë e Tij dhe asnjë burg nuk është aq i thellë sa të ndajë njeriun nga dashuria e Perëndisë”. Me këto fjalë, Papa Leoni XIV iu referua apostullit Pal në letrën drejtuar Romakëve (8, 35-39), në një mesazh dërguar kardinalit Ernest Simoni dhe të gjithë atyre që morën pjesë në meshën e kremtuar nga ai të premten në mëngjes, më 31 korrik, në ish-kampin e Spaçit, në kujtim të personave që vuajtën ose humbën jetën aty. Spaçi, vendi ku shumë njerëz mbajtën kryqin e padrejtësisë “Ai vend i ngulitur në kujtesën e popullit shqiptar mbetet një nga faqet më të dhimbshme të historisë së tij. Spaçi ishte një vend ku shumë njerëz mbajtën mbi shpatulla kryqin e rëndë të padrejtësisë”, shkroi Papa në mesazhin e tij, i cili u lexua në fund të meshës. Ati i Shenjtë kujtoi gjithashtu se “gjaku i atyre që vuajtën dhe vdiqën mes atyre maleve e ka ujitur atë tokë, duke e bërë një dëshmi të heshtur të besnikërisë, guximit dhe shpresës”. Fytyra e përndjekjes së regjimit komunist Kardinali Simoni, 97 vjeç, u kthye në kampin ku kaloi pjesën më të madhe të 18 viteve të burgimit, “për të kremtuar Sakrificën e Krishtit, i cili e shndërroi Kryqin nga simbol i vdekjes në premtim të jetës”, shkroi Papa. Kardinali shqiptar e ka njohur nga afër fytyrën e përndjekjes së regjimit komunist, i cili fillimisht e kishte dënuar me vdekje si “armik të popullit”. Më pas dënimi iu kthye në burgim në kampe të ndryshme internimi dhe punë të detyruar. “Rrezikoja jetën sa herë që kremtoja meshën” “Gjatë burgimit, duke rrezikuar jetën time çdo herë, kam kremtuar meshën në latinisht nga kujtesa, kam rrëfyer njerëz dhe kam shpërndarë kungimin në fshehtësi”, ka treguar kardinali. Ai ka rrëfyer se për të përgatitur elementet e meshës përdorte mjete të improvizuara: gatuante brumin me miell në soba të improvizuara dhe përdorte kokrra rrushi të shtrydhura. “Nëse do të më kishin zbuluar, do të më kishin varur menjëherë”, ka shtuar ai. Gjatë meshës së fundit në Spaç, kardinali u tregoi të pranishmëve edhe helmetën që kishte mbajtur kur, si prift i ri, zbriste në minierë për punë të detyruar. Lutja e Papës për të vdekurit e varrosur në vende pa emër Duke iu referuar vuajtjeve të asaj kohe, Papa Leoni XIV shkroi: “Sa lutje duhet të jenë ngritur drejt Qiellit nga ai vend! Sa thirrje të pëshpëritura në zemër! Sa fytyra, të shënuara nga lodhja dhe privimi, ia kanë besuar Zotit shpresën e fundit!” Për secilin prej atyre njerëzve, shpesh të varrosur në vende anonime ku askush nuk mund të qante për ta apo të vendoste një lule, Papa u bashkua në lutje. Ai kërkoi që “kujtesa e tyre të mbetet e gjallë dhe të jetë për brezat e rinj një thirrje e vazhdueshme për dinjitetin e paprekshëm të personit njerëzor, për vlerën e lirisë dhe për angazhimin për paqe”.

