Një 35-vjeçare nga Britania e Madhe është dënuar me nëntë vite burg, pasi u shpall fajtore për vrasje për rolin e saj në një sulm brutal me acid ndaj ish-bashkëshortit, i cili humbi jetën pas plagëve të rënda. Viktima, Danny Cahalane, baba i dy fëmijëve, u sulmua në shtëpinë e tij në Plymouth në shkurt të vitit 2025, kur dy persona u futën në banesë dhe i hodhën acid sulfurik në të gjithë trupin. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por ndërroi jetë më 3 maj 2025 si pasojë e djegieve të rënda.
Në bankën e të akuzuarve u ulën nëntë persona, përfshirë ish-bashkëshorten e tij, Paris Wilson, e cila sipas gjykatës luajti një rol kyç në organizimin e sulmit.
Gjatë gjyqit u provua se Wilson i kishte treguar vendndodhjen e ish-bashkëshortit një bosi të drogës me bazë në Dubai, i njohur me nofkën “Frost”, i cili kërkonte hakmarrje pasi Cahalane i detyrohej rreth 120 mijë paund, të humbura nga aktivitetet e lojërave të fatit.
Prokuroria argumentoi se Wilson veproi nga lakmia, hakmarrja ose të dyja, duke pranuar të ndihmonte bandën në këmbim të parave.
Vetëm pak ditë para sulmit, ajo i kishte dërguar ish-bashkëshortit një mesazh kërcënues ku shkruante: “Shpresoj që ty dhe të dashurës tënde të përfni me acid në fytyrë.”
Gjykata dëgjoi gjithashtu mesazhe të tjera ku Wilson fliste me nënën e saj për pagesat që do të merrte nëse ndihmonte bandën të gjente Cahalane.
Sipas prokurorisë, pasi një tentativë për rrëmbim dështoi, organizatorët urdhëruan sulmin me acid. Dy autorët që hodhën acidin u shpallën fajtorë për vrasje, ndërsa persona të tjerë u dënuan për përfshirje në planifikimin e krimit.
Gjykatësi e cilësoi Wilson si një “pjesëmarrëse kyçe” në ngjarje, duke theksuar se ajo ishte në dijeni të rrezikut real që i kanosej ish-bashkëshortit dhe megjithatë ndihmoi autorët.
Wilson ishte akuzuar fillimisht për vrasje, por u shpall fajtore për vrasje nga pakujdesia, ndërsa gjatë seancës shprehu pendesë për vdekjen e ish-bashkëshortit, duke deklaruar se i vinte thellësisht keq për humbjen e jetës së tij. Top Channel

