Lajme Zone
“Mendoj që opsionet në tavolinë…”/ Konjufca merr në konsideratë afrimin me LDK-në? Dhjetë ditë para seancës, VV sytë te LDK për marrëveshje politike
PolitikëTop Channel

“Mendoj që opsionet në tavolinë…”/ Konjufca merr në konsideratë afrimin me LDK-në? Dhjetë ditë para seancës, VV sytë te LDK për marrëveshje politike

Kur kanë mbetur edhe dhjetë ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, partitë politike ende nuk janë aktivizuar në zhvillimin e takimeve për formimin e institucioneve.

Kur kanë mbetur edhe dhjetë ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, partitë politike ende nuk janë aktivizuar në zhvillimin e takimeve për formimin e institucioneve. Megjithatë, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje e sheh një gatishmëri te Lidhja Demokratike e Kosovës për bashkëpunim, pavarësisht problemeve të brendshme të kësaj partie.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca të hënën tha se ndryshe nga Partia Demokratike që insiston se presidenti duhet të vijë nga radhët e saj, LDK-ja pajtohet për një president konsensual.

“Sa i përket Partisë Demokratike, është dukë, nuk ka pasur shumë hapësirë për diskutim, meqenëse ata ndodhen në pozicione të njëjta, mendojnë që presidenti duhet të jetë i PDK-së. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë mendimin e saj se mund të ketë një bashkëpunim sa i përket zgjedhjes të një presidenti i cili do të ishte përfaqësues për të gjithë, i cili do të ishte njëfarë lloj emëruesi i përbashkët i këtyre dy subjekteve politike”, tha Glauk Konjufca – ministër në detyrë i Punëve të Jashtme.

Konjufca në konferencën për media që pati me ministrin e jashtëm të Francës, Benjamin Haddad, shtoi po ashtu se ndryshe nga herët e kaluara, ka një vullnet në mesin e partive opozitare për të mos shkuar në zgjedhje.

“Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga LDK-ja, e unë mendoj që opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin. Sa më i madh vullneti politik, sa më shumë ke gatishmëri për të bashkëpunuar, edhe më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje për përgjegjësi të ndryshme se si do të ndahen ato”, deklaroi Glauk Konjufca – ministër në detyrë i Punëve të Jashtme.

Ndërkohë, ministri francez, duke u përgjigjur në pyetjen se a e pengojnë bashkëpunimin me Kosovën, problemet e brendshme politike të vendit, tha se nënshkrimi i pesë marrëveshjeve këtë të hënë e dëshmon të kundërtën.

“Së pari, dua të them se ajo që po dëshmojmë sot është thellimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe hapja e rrugës për lidhje edhe më të ngushta në të gjitha fushat. Qoftë përmes mbështetjes së Agjencisë Franceze për Zhvillim, zgjerimit të Frankofonisë në Kosovë përmes mbështetjes së mësimit të gjuhës frënge në shkolla, apo përmes marrëveshjeve që çojnë në thellimin e bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, u shpreh Benjamin Haddaad – ministër i Punëve të Jashtme, Francë.

Kosova dhe Franca kanë nënshkruar pesë marrëveshje, letër-qëllimin për themelimin e Komunitetit kosovaro-francez për mbështetjen e organizmit të Lojërave Mesdhetare 2030, marrëveshjen administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, Marrëveshjen për ndihmë juridike të ndërsjellë në çështje penale, Marrëveshjen për ekstradim dhe Marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për zhvillimin e projektit për Lojërat mesdhetare. Top Channel