Lajme Zone
“Niveli i radioaktivitetit në Shqipëri, më i lartë se ai në Çernobil”/ Gazetari zbulon raportet në ‘Top Story’: U morën masat për t’u përgatitur ndaj këtij rreziku
BotëTop Channel

“Niveli i radioaktivitetit në Shqipëri, më i lartë se ai në Çernobil”/ Gazetari zbulon raportet në ‘Top Story’: U morën masat për t’u përgatitur ndaj këtij rreziku

Gazetari Kreshnik Kuçaj analizoi historinë e përgatitjeve të Shqipërisë ndaj rrezikut bërthamor dhe masat e marra gjatë periudhës së Luftës së Ftoht.

Gazetari Kreshnik Kuçaj analizoi historinë e përgatitjeve të Shqipërisë ndaj rrezikut bërthamor dhe masat e marra gjatë periudhës së Luftës së Ftoht. I ftuar në “Top Story”, ai solli në vëmendje zhvillimet ndërkombëtare pas eksperimenteve bërthamore të Kinës dhe ndikimin që ato patën në rajon, duke shpjeguar se si Shqipëria ngriti një sistem monitorimi të ajrit dhe ujërave për të kontrolluar nivelet e radioaktivitetit dhe për çështje të sigurisë kombëtare.

“Shqipëria i ka nisur përgatitjet shumë herët. Në vitet ’60, Kina nisi disa eksperimente për fuqinë e armëve bërthamore dhe Europa filloi të përgatitej. Gjithashtu, edhe Shqipëria mori masa.

Në vitet ’70-’80, të paktën nga dokumentet që unë kam arritur të konsultoj, rezulton se në Shqipëri kemi pasur nivele radioaktiviteti shumë të larta, si rrjedhojë e këtyre eksperimenteve. Madje, në disa raportime thuhet se ato kanë qenë edhe më të larta se ato të Çernobilit.

Sigurisht që këto janë elemente që diskutohen nga ekspertët e Institutit të Fizikës Bërthamore. Në raportet e asaj kohe thuhet se u morën masa për t’u përgatitur ndaj këtij rreziku.

Në atë moment, në Shqipëri ngrihet një sistem monitorimi i ujërave dhe i ajrit. Eksperimentet që bëheshin për të testuar fuqinë e armëve bërthamore në Kinë bënin që rrezatimi të kalonte edhe në Shqipëri. Kjo krijoi një alarm që kërkonte monitorim të vazhdueshëm.

Shqipëria, në kuadër të këtyre zhvillimeve, ngriti sistemin e saj të monitorimit. Interesant është fakti se ky sistem kishte një qëllim të dyfishtë. Nuk monitoroheshin vetëm elementët bërthamorë, por kryesisht edhe lumenjtë dhe liqenet e Shqipërisë, sidomos ato që ndodheshin në zonat kufitare, për të vëzhguar edhe çështjet e sigurisë kombëtare.

Ishte një veprimtari e vazhdueshme që ata kryenin”, u shpreh gazetari. Top Channel