Një deklaratë kërcënuese ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka ardhur nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, i cili i ka bërë thirrje presidentit amerikan
Donald Trump të përdorë shërbimet e inteligjencës amerikane dhe Pentagonin për t’u marrë me udhëheqësin e Ukrainës. Medvedev, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, ka publikuar një mesazh me tone të ashpra, duke sugjeruar ndërhyrjen e CIA-s dhe të drejtuesve të mbrojtjes amerikane kundër Zelenskyt. Deklaratat e tij janë interpretuar si një aludim për eliminimin fizik të presidentit ukrainas. “Vetë historia amerikane ofron një zgjidhje. E tëra çfarë duhet të bëjë është të telefonojë Sekretarin e Luftës dhe Drejtorin e CIA-s dhe t’u thotë atyre të kujdesen për këtë ‘problem të vogël e të pafat’”, shkroi Medvedev. Zyrtari i lartë rus shkoi edhe më tej, duke deklaruar se mënyra se si do të veprohej kundër Zelenskyt nuk kishte rëndësi. “Si, ku dhe me çfarë mjetesh është e parëndësishme”, shtoi ai. Në postimin e tij, Medvedev akuzoi presidentin ukrainas se po dëmton interesat e Shteteve të Bashkuara dhe po pengon përpjekjet e administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sipas tij, Zelensky po i shkakton presidentit amerikan më shumë dëme sesa përballjet e Uashingtonit me Venezuelën, Kubën dhe Iranin së bashku. Ish-presidenti rus përdori gjithashtu një gjuhë fyese ndaj Zelenskyt, duke e quajtur atë “parazit” dhe “shushunjë”, ndërsa pretendoi se udhëheqësi ukrainas e trajton Trumpin me përbuzje.
“Ky njeri pështyn sistematikisht në fytyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, injoron kërkesat e tij dhe kthen kundër tij amerikanë të fuqishëm, por edhe europianë”, shkroi Medvedev.
Ai e akuzoi Zelenskyn se kërkon vazhdimisht para dhe armë nga Perëndimi për të vazhduar luftën kundër Rusisë, ndërsa pretendoi se ka refuzuar propozimet amerikane për negociata. Medvedev përmendi gjithashtu sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, duke pretenduar se ato kanë ndikuar negativisht në çmimet globale të karburanteve dhe në interesat ekonomike amerikane. Në një tjetër akuzë, ai pretendoi se presidenti ukrainas ka lidhje me kartelet meksikane të drogës dhe se luftëtarë të këtyre organizatave janë trajnuar në Ukrainë për përdorimin e dronëve.
Zyrtari rus akuzoi gjithashtu udhëheqjen ukrainase për korrupsion dhe përvetësim të fondeve të taksapaguesve amerikanë, duke përdorur një retorikë të ashpër kundër Kievit. Ai pretendoi se veprimet e Zelenskyt kanë rritur rrezikun e një përballjeje bërthamore mes Rusisë dhe NATO-s.
Deklaratat marrin rëndësi të veçantë për shkak të pozicionit të Medvedevit në Këshillin e Sigurisë së Rusisë dhe thirrjes së tij të drejtpërdrejtë që institucionet amerikane të sigurisë të ndërmarrin veprime kundër presidentit të Ukrainës.
Medvedev ka përdorur edhe më parë retorikë kërcënuese ndaj Ukrainës dhe vendeve perëndimore, por këtë herë mesazhi i tij i drejtohet personalisht Donald Trumpit, duke i kërkuar të ndërhyjë kundër Zelenskyt. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

