Media malazeze ‘Vijesti’ ka ngritur pretendime që Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet për të cilat kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, kishte parasysh kur një ditë më parë paralajmëroi për një veprimtari të koordinuar hibride që synon destabilizimin e vendit të tij. "Kemi informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e paralajmëruar e kapitujve të rinj të negociatave do të shoqërohet me veprimtari të koordinuara hibride, ku janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit. Sipas informacioneve tona, këto aktivitete synojnë destabilizimin e Malit të Zi, me mbështetjen e pritshme të disa aktorëve politikë dhe një pjese të skenës mediatike në vendin tonë. Ne jemi në dijeni të këtyre synimeve dhe e dimë se cili është qëllimi i tyre. Përpjekjet për destabilizim nuk do ta ndryshojnë kursin tonë dhe nuk do ta ndalin rrugën evropiane të Malit të Zi, e cila është më e madhe se interesi i përditshëm i çdo strukture politike" tha Spahiç, duke mos përmendur asnjë emër. LEXO edhe...Pandeli Majko i kërkon Malit të Zi të sqarojë akuzat për veprimtari hibride: Ose të sjellë prova, ose të pranojë se janë komente të paprovuara emocionale Media malazeze ‘Vijesti’ raportoi me bujë se vendet të cilave po u referohej Spahiç ishin pikërisht Shqipëria dhe Serbia. “Serbia dhe Shqipëria janë dy shtetet për të cilat kryeministri Milojko Spajiç (Lëvizja Evropa Tani) mendonte në postimin e tij në rrjetin social ‘Iks’, në të cilin foli për veprimtari hibride”, mëson “Vijesti” nga disa burime" shkruan gazeta në raportimin e saj. Lajmi bëri bujë në rrjet. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i cilësoi raportimet 'jashtëzakonisht seriozie' dhe i bëri thirrje qeverisë t'i përgënjeshtrojë. “Është e papranueshme që Shqipëria të lejojë të krijohet qoftë edhe përshtypja se mund të jetë pjesë e ndonjë skenari të koordinuar me Serbinë për destabilizimin e Malit të Zi. Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të bëhet instrument i askujt në rajon”, shprehet Bardhi. Kjo soll reagimin e ministrit të jashtëm Ferit Hoxha që mohoi që Shqipëria të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues në rajon. "Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër. Shqipëria dallohet pikërisht sepse bën të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunim, mirëkuptim të ndërsjellë, stabilitet dhe zhvillim rajonal, si edhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik. Spekulimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona " tha ai. Ndërkohë, presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka thirrur për të hënën një mbledhje urgjente të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri ku sipas 'Vijesti' do kërkohen informacione të detajuara nga drejtuesit e sektorit të sigurisë për pretendimet e Spajiçit dhe një vlerësim i plotë i situatës së sigurisë në vend. Deputeti i Partisë Popullore Demokratike (DNP), Vladislav Bojoviç, nga ana tjetër i ka komentuar deklaratat e kryeministrit malazez si shenjë pafuqie dhe paniku para zgjedhjeve të ardhshme dhe një justifikim për mosmbajtjen e premtimeve. “Nëse një përfaqësues i kësaj qeverie, të udhëhequr nga Kryeministri, ka informacion, që dikush po punon kundër shtetit, ata duhet t’i kallëzojnë penalisht dhe t’i arrestojnë e jo të bëjnë ankande nëpër media” tha Bojoviç duke akuzuar qeverinë se ka dorëzuar kontrollin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë shërbimit inteligjent kroat. Artikulli i medias malazeze, Vijesti Ora 15:44 Pandeli Majko i kërkon Malit të Zi të sqarojë akuzat për veprimtari hibride: Ose të sjellë prova, ose të pranojë se janë komente të paprovuara emocionale Nëse Shqipëria është një nga dy vendet që kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, akuzon për veprimtari të koordinuara hibride me synim destabilizimin e vendit, atëherë Podgorica duhet të japë menjëherë shpjegime dhe të paraqesë provat. Ky është qëndrimi i ish-kryeministrit Pandeli Majko pas raportimit të medias malazeze “Vijesti” për përfshirjen e dyshuar të Serbisë dhe Shqipërisë në këto veprimtari. Majko e konsideron veçanërisht shqetësues faktin që një vend anëtar i NATO-s mund të akuzojë një tjetër vend anëtar të kësaj aleance për përfshirje në veprimtari destabilizuese. Sipas tij, nëse pretendimet janë konkrete, ato nuk mund të mbeten në nivel deklaratash në rrjetet sociale, por duhet të shoqërohen me nota diplomatike dhe, nëse është e nevojshme, të çohen në strukturat e NATO-s."Politika e Malit të Zi ka një trashëgimni të qëndrimeve të sofistikuara! Ky sofistikim i dedikohet edhe një jete të “dyfishtë” në bashkëjetesën me fqinjë, të cilët janë me status jo miqësor me njëri tjetrin! Kryeministri i Mali të Zi Milojko Spajiç ka dalë përtej qëndrimeve historike të shtetit të tij, duke e vendosur atë në udhëkryq! Mali i Zi duhet të japë shpejgime nëse jemi përballë një skandali rajonal, ku një vend i NATO-s po “sulmon” një anëtar tjetër të kësaj aleance! Në të kundërtën, duhet të pranojë se janë komente emocionale, të paprovuara në rrjetet sociale! Zgjedhja i takon të bëhet nga strukturat shtetërore të Malit të Zi ku Milojko Spajiç është kryeministër" shkroi Majko. Share Ora 15:17 'Serbia dhe Shqipëria pas veprimtarive hibride ndaj Malit të Zi', Hoxha reagon pas artikullit të medias malazeze: S’jemi pjesë e skenarëve destablizues Ministri i Jashtëm ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, dhe raportimeve mediatike që pasuan, duke theksuar se Shqipëria nuk është përfshirë dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues në rajon.Deklarata e plotë e Ministrit Hoxha "Një sqarim përpara se të bëhemi pjesë e zhurmës apo të ndezim zjarre të panevojshme, të cilat kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u shuar.Kam parë deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, lidhur me përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride. Kam parë gjithashtu interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike që pasuan.Raportimet mediatike janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur ato përmbajnë interpretime të ndryshme ose kontradiktore.Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër.Shqipëria dallohet pikërisht sepse bën të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunim, mirëkuptim të ndërsjellë, stabilitet dhe zhvillim rajonal, si edhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik.Spekulimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona.Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe kështu kam vepruar edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme, Ibrahimoviç, si edhe me zëvendëskryeministrin Nik Gjelloshaj.Kjo duhet të mbahet parasysh edhe këtu mes nesh.Aktorë të ndryshëm, përfshirë edhe ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debatet e panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të parandaluar që politika e jashtme e vendit të bëhet objekt apo instrument i debateve dhe qasjeve të brendshme partiake.Politika e jashtme kërkon gjithmonë qetësi, pjekuri dhe përgjegjshmëri" Share Ora 15:13 'Serbia dhe Shqipëria pas veprimtarive hibride ndaj Malit të Zi', Bardhi i kërkon qeverisë sqarime: Përgënjeshtrojini ose tregoni çfarë po ndodh Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i kërkon qeverisë shqiptare të japë menjëherë shpjegime nëse Shqipëria është përfshirë në veprimtari destabilizuese në rajon, pas raportimit të medias malazeze “Vijesti” se Shqipëria dhe Serbia janë dy shtetet për të cilat kryeministri Milojko Spajiç kishte parasysh kur foli për veprimtari të koordinuara hibride kundër Malit të Zi.Bardhi kërkon që qeveria t’i përgënjeshtrojë menjëherë këto raportime, nëse nuk janë të sakta, ose të bëjë transparencë të plotë nëse ekziston një bazë konkrete për këto pretendime. Ai kërkon gjithashtu që Tirana t’i kërkojë zyrtarisht Podgoricës të sqarojë nëse Spajiç i referohej Shqipërisë dhe nëse autoritetet malazeze kanë informacion konkret që lidhet me institucione, individë apo struktura shqiptare.Deklarata e plotë e Gazment Bardhit "Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e asnjë skenari destabilizues në rajon! Raportimet e mediave malazeze se Serbia dhe Shqipëria mund të jenë dy vendet të cilave iu referua kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, kur paralajmëroi për veprimtari të koordinuara hibride mes dy vendeve në Rajon me synim destabilizimin e vendit, janë jashtëzakonisht serioze dhe nuk mund të kalohen në heshtje.Dua të besoj se raportime të tilla nuk janë të sakta! Për këtë arsye, Qeveria shqiptare duhet t’i përgënjeshtrojë menjëherë dhe pa asnjë ekuivok. Nëse, ndërkaq, ekziston një bazë konkrete për këto shqetësime, opinioni publik shqiptar ka të drejtë të dijë se çfarë po ndodh dhe cilat janë përgjegjësitë e institucioneve shqiptare.Është e papranueshme që Shqipëria të lejojë të krijohet qoftë edhe përshtypja se mund të jetë pjesë e ndonjë skenari të koordinuar me Serbinë për destabilizimin e Malit të Zi. Shqipëria nuk është dhe nuk duhet të bëhet instrument i askujt në rajon.Politika e jashtme e Shqipërisë duhet të udhëhiqet nga interesat kombëtare, siguria rajonale dhe orientimi euroatlantik, jo nga pazare të errëta politike apo nga përpjekje për t’iu përshtatur agjendave të Beogradit. Mali i Zi është vend fqinj, partner dhe mik i Shqipërisë. Stabiliteti i tij është në interesin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Malin e Zi. Për më tepër, shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm politik, shoqëror dhe institucional në këtë vend.Pikërisht për këtë arsye, çdo dyshim se Shqipëria mund të bashkëpunojë me Serbinë për veprimtari destabilizuese ndaj Malit të Zi do të ishte një skandal diplomatik dhe politik i përmasave të jashtëzakonshme. Qeveria shqiptare nuk mund të heshtë përballë një situate të tillë.Ajo duhet të kërkojë menjëherë, zyrtarisht dhe publikisht shpjegime nga Qeveria e Malit të Zi: A i referohej Kryeministri Spajiç Shqipërisë? A ka autoritetet malazeze informacion konkret që lidhet me institucione, individë apo struktura shqiptare? Dhe mbi çfarë të dhënash janë ngritur këto shqetësime?Në të njëjtën kohë, Qeveria shqiptare duhet të japë një garanci të qartë dhe të pakushtëzuar se asnjë institucion i Republikës së Shqipërisë nuk ka marrë pjesë dhe nuk do të marrë pjesë në veprimtari që synojnë destabilizimin e Malit të Zi apo të cilitdo vend tjetër fqinj.Në vend që të krijojë paqartësi të reja në rajon, diplomacia shqiptare duhet të punojë për të forcuar besimin me fqinjët tanë. Në vend që të përafrojë qëndrimet e Shqipërisë me agjenda që vijnë nga Beogradi, Tirana duhet të jetë në krah të vendeve që synojnë një rajon të qëndrueshëm, demokratik dhe evropian.Në këtë kuadër, çdo hap i Qeverisë shqiptare që i shërben normalizimit të ndikimit politik të Serbisë në Shqipëri, pa transparencë dhe pa një vlerësim të qartë të interesit kombëtar, është i papranueshëm. Çështje të tilla si hapja e Konsullatës Serbe në Shkodër nuk mund të trajtohen si vendime rutinë administrative, të shkëputura nga realiteti gjeopolitik dhe nga interesat strategjike të Shqipërisë.Shqipëria nuk ka nevojë për një politikë të jashtme që reagon pas ngjarjeve. Ka nevojë për një politikë të jashtme që parandalon krizat, mbron interesat kombëtare dhe ndërton aleanca të qëndrueshme me fqinjët dhe partnerët evropianë e euroatlantikë.Prandaj, kërkojmë nga Qeveria shqiptare:* të kërkojë menjëherë sqarime zyrtare nga Qeveria e Malit të Zi;* të sqarojë publikisht nëse institucionet shqiptare janë përmendur apo kanë qenë objekt i ndonjë informacioni të sigurisë;* të garantojë se Shqipëria nuk është dhe nuk do të jetë pjesë e asnjë veprimtarie destabilizuese në rajon;* të informojë me transparencë opinionin publik për çdo zhvillim që prek sigurinë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje;* të rishikojë çdo hap diplomatik që mund të cenojë besimin e ndërsjellë me partnerët tanë rajonalë;* dhe të riafirmojë pa ekuivok orientimin strategjik të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe hapësirës euroatlantike.Nuk mund të flasim për integrim evropian dhe, në të njëjtën kohë, të tolerojmë politika që krijojnë dyshime për koordinim me agjenda që cenojnë stabilitetin e fqinjëve tanë.Nuk mund të pretendojmë se jemi faktor stabiliteti dhe të heshtim kur emri i Shqipërisë lidhet me pretendime për veprimtari destabilizuese.Dhe mbi të gjitha, nuk mund të lejojmë që interesi kombëtar i Shqipërisë të bëhet pjesë e pazareve gjeopolitike të askujt.Shqipëria duhet të jetë në krah të Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjë-Hercegovinës dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Asnjë interes politik afatshkurtër nuk mund të justifikojë cenimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, stabilitetit rajonal dhe perspektivës evropiane të rajonit.E ardhmja e rajonit nuk është në Beogradin e së kaluarës, por në Evropën e së ardhmes. Dhe Shqipëria duhet të ketë guximin politik dhe diplomatik të qëndrojë në anën e duhur. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor nuk është destabilizimi, përplasja apo rikthimi te logjika e konflikteve të së kaluarës. E ardhmja e tij është Bashkimi Evropian" Share U.D/ReportTv.al gazment bardhi Milojko Spajiç mali i zi serbi Ferit Hoxha Komento Komente Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 51.9% Keq 35.2% Nuk e di 12.9% Vota total: 4504 Sondazhi i ditës: Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?

