Lajme Zone
Media italiane: Shqipëria, surpriza turistike e Mesdheut
SportABC News Albania

Media italiane: Shqipëria, surpriza turistike e Mesdheut

Për vite me radhë, Shqipëria ka qëndruar jashtë itinerareve kryesore turistike, e njohur më shumë për historinë e saj të afërt sesa për pasuritë bregdetare, shkruan media italiane “Notizie Nazionali”.

Për vite me radhë, Shqipëria ka qëndruar jashtë itinerareve kryesore turistike, e njohur më shumë për historinë e saj të afërt sesa për pasuritë bregdetare, shkruan media italiane “Notizie Nazionali”.

Sot, vendi po shfaqet si një prej destinacioneve më dinamike të Mesdheut, duke kaluar brenda pak vitesh nga një destinacion relativisht i panjohur në një vend të konsoliduar turistik.

Rritja e interesit lidhet me rolin e rëndësishëm që kanë edhe turistët italianë, të cilët po e zgjedhin gjithnjë e më shumë Shqipërinë si destinacionin e tyre për pushime. Your browser does not support the video tag. Your browser does not support the video tag. Në vitin 2025, Shqipëria priti më shumë se 12 milionë vizitorë të huaj, një shifër dukshëm më e lartë se në vitet e mëparshme.

Kjo e vendos Shqipërinë në të njëjtën hapësirë turistike mesdhetare me destinacione të konsoliduara si Greqia dhe Kroacia.

Sipas artikullit, italianët përbëjnë grupin më të madh të vizitorëve të huaj, të favorizuar nga afërsia gjeografike dhe lidhjet e shumta të transportit.

Çfarë e bën Shqipërinë një destinacion tërheqës?

Rritja e interesit për Shqipërinë lidhet me një kombinim faktorësh dhe me larminë e ofertës turistike që ofron vendi.

Bregdeti mbetet një prej pikave kryesore tërheqëse.

Riviera Shqiptare në jug, me ujërat e kristalta përgjatë vijës bregdetare mes Vlorës dhe Sarandës, ofron një alternativë konkurruese kundrejt destinacioneve të njohura mesdhetare.

Në të njëjtën kohë, bregdeti Adriatik karakterizohet nga plazhe të gjata me rërë dhe zona më të aksesueshme për pushuesit.

Kjo larmi ndërthur zona natyrore dhe hapësira turistike të zhvilluara, duke iu përshtatur profileve të ndryshme të vizitorëve.

Por, oferta turistike e Shqipërisë shkon përtej bregdetit.

Vendi ka një trashëgimi të pasur historike dhe kulturore, ku përfshihen Berati dhe Gjirokastra, qytete të mbrojtura nga UNESCO, si dhe site arkeologjike që dëshmojnë gjurmët e qytetërimeve greke, romake dhe bizantine.

Krahas tyre, në zonat malore gjenden fshatra që kanë ruajtur pjesërisht, karakteristikat e tyre tradicionale.

Vitet e fundit, një interes në rritje po shfaqet edhe për turizmin natyror.

Alpet Shqiptare në veri, me luginat, shtigjet e ecjes, kanionet dhe liqenet, ofrojnë mundësi për aktivitete në natyrë dhe eksplorim të territoreve malore.

Një tjetër element i përmendur në artikull është atmosfera që shoqëron udhëtimin në Shqipëri.

Mikpritja, ndërthurja e traditave me zhvillimet moderne dhe mundësia për të zbuluar zona ende jo të mbipopulluara nga turizmi, krijojnë një përvojë që shumë vizitorë e konsiderojnë të veçantë.

Edhe afërsia gjuhësore dhe kulturore me Italinë luan një rol.

Në shumë zona, veçanërisht përgjatë bregdetit, italishtja kuptohet dhe flitet gjerësisht.

Kjo lidhet me marrëdhëniet historike mes dy vendeve dhe ndikimin e medias italiane, duke e bërë udhëtimin më të lehtë për vizitorët italianë.

Durrësi, porta hyrëse nga deti

Larmia e mënyrave të udhëtimit drejt Shqipërisë është një tjetër faktor, që ka ndikuar në rritjen e vizitorëve.

Gjithnjë e më shumë italianë zgjedhin të udhëtojnë drejt Shqipërisë me traget, duke marrë me vete automjetin dhe duke mbërritur në Durrës, porti kryesor i vendit dhe një prej lidhjeve tradicionale detare me Italinë.

Sipas artikullit, vizitorét mund të krahasojnë online alternativat e trageteve nga Bari drejt Durrësit, përmes platformave të specializuara, dhe të zgjedhin variantin më të përshtatshëm për udhëtimin e tyre.

Mbërritja me automjet personal, ofron mundësi për të lëvizur në mënyrë më të pavarur në territor.

Nga Durrësi, Tirana arrihet në një kohë relativisht të shkurtër, ndërsa Riviera e Jugut mund të eksplorohet duke ndjekur rrugët bregdetare.

Në të njëjtën kohë, qytetet historike dhe zonat e brendshme mund të përfshihen në itinerare më të gjata.

Përdorimi i automjetit personal, krijon mundësi për të kombinuar në të njëjtin udhëtim bregdetin, kulturën dhe natyrën, duke reduktuar varësinë nga transporti lokal.

Një destinacion në zhvillim

Durrësi përbën gjithashtu një destinacion turistik më vete.

Qyteti, i dyti për nga madhësia në Shqipëri, ka një trashëgimi të rëndësishme historike, ku spikat amfiteatri romak, ndërsa shëtitorja bregdetare dhe plazhet e gjata me rërë plotësojnë ofertën turistike.

Nga Durrësi, turistët mund të vijojnë drejt destinacioneve të ndryshme në vend, duke e bërë qytetin një pikënisje të përshtatshme, si për qëndrime të shkurtra, ashtu edhe për udhëtime disa ditore.

Sipas artikullit, rritja e turizmit në Shqipëri po shoqërohet me investime në strukturat akomoduese dhe me zgjerimin e promovimit të vendit në tregjet ndërkombëtare.

Këto zhvillime lidhen me synimin për të konsoliduar pozicionin e Shqipërisë në tregun turistik mesdhetar.

Ndërkohë, lidhjet e transportit ajror dhe detar janë zgjeruar, duke e bërë vendin më të aksesueshëm për turistët.

Edhe sezoni turistik është shtrirë gradualisht përtej muajve tradicionalë të verës, me interes në rritje gjatë periudhave më të buta të vitit, kur zonat bregdetare janë më pak të frekuentuara dhe qytetet historike, mund të vizitohen në një atmosferë më të qetë.

Për turistët italianë, të cilët artikulli i konsideron ndër protagonistët e kësaj rritjeje, Shqipëria ofron mundësinë për të kombinuar në një destinacion relativisht pranë Italisë bregdetin, historinë, natyrën dhe përvojën e një vendi me tradita ende të gjalla.

Nga një destinacion që për vite me radhë perceptohej si i largët, pavarësisht afërsisë gjeografike, Shqipëria është shndërruar në një prej destinacioneve, që po tërheq vëmendje në Mesdhe, ndërsa rritja e lidhjeve dhe e ofertës turistike, po krijon mundësi të reja për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet