Pas vitesh spekulimesh për martesën e tyre, Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez mund të kurorëzojnë më në fund dashurinë. Sipas tabloidit britanik The Sun, çifti pritet të organizojë ceremoninë martesore javën e ardhshme, megjithëse deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga ata.
Raportimet e para sugjeronin se dasma do të zhvillohej në Quinta da Regaleira, në Sintra, por kjo mundësi u zbeh pasi vendi vijoi aktivitetin normal dhe mbeti i hapur për vizitorët.
Sipas të njëjtit burim, ceremonia pritet të mbahet në Katedralen e Funchalit, në ishullin Madeira, ndërsa festa do të organizohet në hotelin luksoz Savoy Palace.
Mediat britanike raportojnë se hoteli ka njoftuar klientët për kufizime të përkohshme në disa ambiente, për shkak të një eventi privat, duke ushqyer edhe më shumë zërat se bëhet fjalë për dasmën e futbollistit portugez.
Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez janë bashkë që prej vitit 2016 dhe kanë krijuar një familje së bashku. Lajmi për martesën e tyre mbetet ende në nivel raportimesh mediatike, pasi çifti nuk e ka konfirmuar publikisht./E.K
Burimi: The Sun

