Tre persona kanë përfunduar në pranga, pasi dyshohet se kishin organizuar dhe planifikuar kryerjen e një vrasjeje në zonën e Lezhës. Në skenarin e dyshuar përfshiheshin dy persona të armatosur, të pajisur me skafandra dhe që lëviznin me një motomjet të vjedhur në Suedi, si dhe një person i tretë që do t'i ndihmonte të largoheshin pas krimit.
Ngjarja lidhet me rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, ku dy personat lëviznin me motor dhe, sipas dyshimeve, po përgatiteshin të realizonin vrasjen. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tyre i priste me automjet për t'i larguar nga zona ku dyshohet se do të kryhej krimi.
Tre të arrestuarit janë Elden Tarja, 25 vjeç, banues në Barbullush, Kristian Ymeri(Shkambi)), 34 vjeç, banues në Kamzë, dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin.
Ata u ndaluan në aksin rrugor “Gjadër-Barbullush”, teksa udhëtonin me një automjet tip “Volkswagen”. Gjatë kontrolleve u sekuestruan tri pistoleta me krehra e fishekë, municion luftarak, automjeti dhe motomjeti që dyshohet se ishte përdorur për këtë rast.
Një tjetër detaj që ngre pikëpyetje është origjina e motorit, i cili rezultoi i vjedhur në Suedi. Ndërsa dy personat dyshohet se do të kryenin vrasjen, i treti kishte rolin e drejtuesit të automjetit që do t'u mundësonte largimin.
Përtej arrestimeve dhe sekuestrimit të armëve, mbetet për t'u zbardhur se kush ishte objektivi i vrasjes së planifikuar dhe çfarë fshihet pas këtij skenari. Hetimet pritet të përcaktojnë motivin dhe nëse të arrestuarit kanë lidhje me ngjarje të tjera kriminale.

