Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një apel publik, pasi prej disa ditësh është në kërkim të valixhes së tij, e cila, sipas tij, është marrë gabimisht nga një person tjetër në ambientet e një agjencie transporti në Tiranë.
Sipas denoncimit, valixhja ishte dërguar nga Torino drejt Tiranës me një transport të mbërritur më 12 korrik, ndërsa ngjarja ka ndodhur një ditë më pas, më 13 korrik, në agjencinë "Gerti Transport", e cila ndodhet pranë parkimit pas Pallatit të Sporteve "Asllan Rusi".
Qytetari shpjegon se personi që shkoi për të tërhequr bagazhin ka marrë dy valixhe, të tijën dhe atë të studentit, duke u larguar nga agjencia pa e kuptuar gabimin ose, sipas tij, pa e korrigjuar atë.
Valixhja e humbur është ngjyrë blu me konture kafe dhe ka një fjongo të kuqe të lidhur në dorezë, detaj që e bën lehtësisht të dallueshme.
Në videon e dërguar në redaksinë e JOQ Albania, denoncuesi i bën thirrje personit që ka marrë valixhen ta kthejë sa më parë. "I bëj thirrje personit që e ka marrë ta rikthejë sa më shpejt, sepse disponoj edhe pamje filmike. Nëse valixhja nuk kthehet, do ta denoncoj rastin në organet kompetente.", shprehet ai. Qytetari thekson se nuk synon përshkallëzimin e situatës, por kërkon që personi që ka marrë valixhen të reagojë dhe ta dorëzojë atë, përpara se çështja të marrë rrugë ligjore.
Nëse dikush ka informacion mbi valixhen ose e ka marrë gabimisht, mund të kontaktojë me denoncuesin ose me redaksinë e JOQ Albania, me qëllim zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij rasti. View this post on Instagram A post shared by JOQ News (@joqnews)

