Lajme Zone
Më mirë të digjet, e unë të mos iki
PolitikëCNA

Më mirë të digjet, e unë të mos iki

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ndau një deklaratë këtë pa...

“Unë jam si grabitqarët, e ndiej kohën që vjen”. Kjo është një nga frazat më të qenësishme të romanit “M. Il Figlio del Secolo” që Mussolini i drejton vetes në shumë prej monologjeve groteskë të kësaj vepre, tek përshkruan ish-diktatorin e famshëm italian. Me siguri, edhe Edi Rama këtë gjë bën.

E ka bërë në 14 vite pushtet absolut. Në fakt e bëri edhe sot, pas dy ditë protestash të përshkallëzuara nga studentët dhe rinia. Ai doli, dhe nën efektin e shkëputjes prej realitetit si pasojë e delirit dhe arrogancës, tha: “Nuk e jap dorëheqjen”, në mesin e një zyre të shkrumbuar dhe nën sfondin e një Tirane të shkatërruar nga revolta e djeshme.

U deshën 135 ditë. Në 135 ditë, shqiptarët, në atë çka mori emëritmin si revolucioni flamingove, zgjodhën të këndonin dhe marshonin me zërin e asyes, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit. Dhe vetëm shqiptarët në fakt mund të lidhnin emrin e Edi Ramës me arsyen. Këto janë dy paralele që vështirë se mund të ndërthuren.

Edi Rama është një përson që vepron me instikt, mos ta harrojmë këtë.

Instikti i tij në 135 ditë ishte që të nëpërkëmbte, tallte, shpaloste gjithë arrogancën; t’i thoshte sorra e laraska dhe deri në agjentë të ndryshëm të shërbimeve sekrete jo mike. Tek kjo e fundit mbase mund të gjejma disi shfajësim për Kryeministrin, duke marrë në konsideratë se në ç’derexhe ka përfunduar SHISH në këto vite, me Vlorën e Gysit.

Megjithatë u deshën 135 ditë për të nxjerrë përfundimisht dhe atë pak opium të mbetur që kjo Qeveri i ka servirur kësaj shoqërie në 14 vite. Zëri i arsyes mbaroi dhe studentët u bashkuan sërish. Pikërisht aty ku e kishin ndalur maratonën që nisi në 2018. Edhe në atë vit, studentët zgjodhën të ishin të arsyeshëm. Një gabim që s’mund të përsëritet më!

Është paradoksale të mendosh që Shqipëria po përjeton të njëjtën revoltë studentore, si në vitin ‘91. Diktatura e komunizmit ka rënë prej 35 vitesh, por jo principi i saj. Ai që pushteti ndërtohet rreth një individi të vetëm.

Në ditën e parë të protestës, studentët shkatërruan dhe u dhunuan. Por dhuna policore ishte më e fortë se revolta e tyre. Aq sa, të jepej përshtypja se përballë nuk qëndronte policia, por Këmishat e Zeza të regjimit fashist të Mussolinit. Një kontrast i ethshëm për një vend që pretendon të bëhet pjesë e BE-së vitin e ardhshëm. Pamjet e grupimeve policore që dhunonin individë të vetëm, të moshuar, ose këmba e thyer e 19 vjeçarit Ledion Balla, ishin imazhe që këdo shqetësuan.

Me siguri edhe Kryeministrin. Dekori është gjëja më e rëndësishme për të.

Prandaj në ditën e dytë të kësaj revolte studentore, policia ishte tërësisht pasive. I la në mëshirë të fatit dhe flakëve që ndezën protestuesit, institucionet publike dhe bizneset private. Ishte e çuditshme të shihje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, prezent në terren, por me telefon në pritje për të marrë direktiva nga Kryepolici i vërtetë.

Rama e la kryeqytetin të digjej me qëllim, si shenjë e nje perversioni për të bërë atë çka bëri sot. Të indinjuarin! Ishte patetike të shihje Kryeministrin, në një mizanskenë mortore, teksa takonte stafin e pastruesve të bashkisë.

Për pak, mund të ishte gati t’i thoshte edhe ngushëllime punonjësve të pastrimit, për Tiranën e djegur nën pasivitetin e forcave të rendit, thjesht dhe vetëm që Edi Rama të shpaloste indinjatën e tij.

Njeriu që flet për programin “BESA” të Qeverisë, nëpërkëmb besën në fakt. Ai refuzoi t’i shihte protestuesit si studentë e të rinj, por si duart e një opozite që përpiqen të dëmtojnë Shqipërinë.

Po për ç’opozitë po flet Edi Rama?

Nuk besoj e kishte për Edi Palokën dhe të tjerë deputetë të PD-së, që u përzunë prej të rinjve që protestonin!? PD ka mbetur në qorrsokake titujsh që fillojnë me “ri”. Ripërtëritje, ringritje, rifillime, etj. Të paktën fjalën “rilindje” nuk ë përdorin dot, se është e zënë.

Partia Demokratike është aq larg kësaj revolte që po ndodh, sa që Sali Berisha duhet të marrë një pozicion; të dëgjojë realisht korin e kësaj proteste, apo vetëm ato zëra që spikasin brenda mureve të tij. Edhe pse kjo djegie në fakt, jo me të autor, është dhurata më e bukur për 82 vjetorin që ai festoi ditën e djeshme. Berisha do donte ta arrinte këtë që rinia ka arritur sot, po dukshëm nuk mundi dot.

Dhe në fund çfarë mbetet?

Studentët po djegin Tiranën, që të mposhtin sistemin e kalbur e të mos jenë ata në fund të detyruar të largohen nga vendi i tyre.

Berisha po e gëzon djegien e Tiranës, që të qëndrojë në krye të PD, disi më i fortë përballë Kryeministrit.

Edi Rama po e lë djegien e kryeqytetit, për të lëshuar për herë të fundit opiumin e tij të skaduar, nëpërmjet viktimizimit të pashoq që vetëm ai mund ta arrijë.

Në fund, askush nuk do që të iki.

Dhe megjithatë, Edi Rama është si grabitqarët, e ndjen kohën që vjen. Dhe dukshëm, njëjtë si Mussolini në fund, kjo nuk është më koha e tij.

Dikush duhet t’ja thotë! Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.