Pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci ka denoncuar dhunën e pretenduar policore ndaj pedagogut të Shkencave Politike, Alfred Bushi, i cili, sipas tij, është arrestuar dhe keqtrajtuar brenda ambienteve të komisariatit. Në një deklaratë për mediat nga protesta e studentëve dhe pedagogëve, Goci tha se kolegu i tij ishte ndaluar pa kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe ishte marrë me forcë nga efektivët e policisë. Sipas Gocit, pas daljes nga komisariati, Bushi ka denoncuar se ishte rrahur dhe keqtrajtuar gjatë qëndrimit në ambientet policore. Pedagogu e cilësoi të rëndë ngjarjen dhe u bëri thirrje kolegëve të tij, si dhe autoriteteve përgjegjëse, të reagojnë ndaj këtij rasti dhe të kërkojnë sqarimin e rrethanave. Goci denoncoi gjithashtu sjelljen e efektivëve të policisë gjatë protestës pranë Parlamentit, duke deklaruar se pedagogët kishin tentuar të komunikonin, por ishin shtyrë nga forcat e rendit. “Doja të bëja një denoncim. Në ambientet e komisariatit është keqtrajtuar pedagogu i Shkencave Politike, Alfred Bushi, që u arrestua pa bërë asgjë. E kanë marrë me dhunë. Kur doli, ai denoncoi policinë duke thënë: ‘Më kanë rrahur, keqtrajtuar brenda’.
I bëj thirrje kolegëve, autoriteteve që të reagojnë. Kur rrihet një pedagog, e kanë rrahur, dhuna është ekstreme.
Te Parlamenti nuk donin të komunikonin, por na shtynë”, deklaroi Goci. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
