Një skemë e re mashtrimi po përhapet me shpejtësi në lokalet e kryeqytetit, duke shfrytëzuar besimin e punonjësve të rinj dhe mungesën e vëmendjes gjatë orëve të punës.
Një denoncim i mbërritur pranë redaksisë së JOQ Albania ngre këmbanën e alarmit për një person i cili prezantohet si "specialist aromash" dhe përfiton nga stafi i lokaleve përmes mashtrimit.
Sipas denoncuesit, mënyra e veprimit të këtij personi është e mirëmenduar dhe përsëritet në disa ambiente: ai futet nëpër lokale dhe pretendon se është dërguar nga vetë pronari për të furnizuar ambientin me aroma profesionale. Pasi krijon përshtypjen e një porosie të paracaktuar, ai u kërkon punonjësve të tavolinës ose banakut shumën prej 40 mijë lekësh të vjetra për produkte që në tregun e lirë nuk kushtojnë as 5 mijë lekë.
Kjo skemë shfrytëzon faktin se në shumë raste punonjësit nuk kanë komunikim të menjëhershëm me pronarët gjatë turnit, duke u besuar fjalëve të personave që paraqiten si furnizues zyrtarë.
Denoncuesit bëjnë thirrje që raste të tilla të publikohen dhe të ndiqen edhe nga organet ligjzbatuese, në mënyrë që të parandalohet zhvatja e mëtejshme e bizneseve të vogla.
Denoncimi i plotë nga qytetari:
"Përshëndetje JOQ! Doja të bëja një denoncim. Ky djali shkon nëpër lokale dhe thotë që ka porositur pronari aroma, duke mashtruar punëtorët e duke na shitur aroma me vlerë 40 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që këto as 5 mijë lekë nuk kushtojnë.
Po e bëj këtë denoncim për të mbrojtur lokalet e tjera, pasi u bënë 5 lokale që e bën kjo gjë nga ky mashtrues... 'specialisti i aromave'."

