Një gjykatë në Paris ka dënuar me burg gjashtë burra për vrasje të paqëllimshme, në lidhje me mbytjen e një varke me emigrantë në Kanal në nëntor 2021, ku humbën jetën të paktën 27 persona. Shtatë persona të tjerë u shpallën fajtorë për akuza më të lehta lidhur me kontrabandën e emigrantëve.
Dënimet për gjashtë të akuzuarit për vrasje të paqëllimshme variojnë nga gjashtë deri në 10 vjet burg. Për shtatë të tjerët, dënimet variojnë nga gjashtë muaj me kusht deri në katër vjet burg. Një person tjetër u shpall i pafajshëm.
Gjykata shqyrtoi përgjegjësinë e të akuzuarve për fsjen e një gomoneje të fryrë më 24 nëntor 2021, gjatë përpjekjes së saj për të kaluar Kanalin nga brigjet veriore të Francës drejt Anglisë.
Prokurorët argumentuan se të akuzuarit kishin ndihmuar në nisjen e një varke të papërshtatshme për lundrim në det të hapur, të mbipopulluar dhe pa pajisje të përshtatshme shpëtimi. Sipas tyre, veprimet ishin kryer për përfitim financiar dhe me shpërfillje ndaj rrezikut për jetën e pasagjerëve.
Varka filloi të shfryhej dhe të mbushej me ujë pas disa orësh në det. Pasagjerët ranë në ujë dhe u mbytën njëri pas tjetrit. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, nga varka u bënë rreth një duzinë thirrjesh për ndihmë drejt shërbimeve franceze dhe britanike të shpëtimit.
Vetëm dy persona mbijetuan, ndërsa trupat e 27 viktimave u konfirmuan. Katër persona të tjerë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Viktimat ishin kryesisht kurdë nga Iraku, por mes tyre kishte edhe persona nga Afganistani, Etiopia, Irani, Somalia, Vietnami dhe Egjipti. Viktima më e re e njohur ishte një vajzë shtatëvjeçare.
Të dënuarit u lidhën nga gjykata me rrjete afgane dhe irakiano-kurde të kontrabandës, të cilat organizonin kalime drejt Britanisë nga kampet e emigrantëve pranë Grande-Synthe dhe Calais në veri të Francës.
Rasti ka sjellë gjithashtu një hetim të veçantë ndaj shtatë personave të personelit ushtarak francez, të cilët janë nën hetim që nga viti 2023 për dyshimin se nuk kanë ndihmuar persona në rrezik. Ata i mohojnë akuzat.
Familjarët e viktimave kanë ndjekur procesin gjyqësor, ndërsa disa prej tyre ende presin të gjejnë trupat e të afërmve të tyre.
Zana Mahmand Mohammed, vëllai i të cilit, Twana, 18 vjeç, humbi jetën në tragjedi dhe nuk është gjetur, tha se familja ka pesë vjet që jeton me pasigurinë për fatin e tij.
Tragjedia e vitit 2021 mbetet një nga incidentet më të rënda të lidhura me kalimet me varka të vogla në Kanal, një prej korridoreve detare më të ngarkuara në botë. Top Channel

