Nga Alice Taylor-Politico.eu Dhjetëra llogari në Instagram të përdorura nga aktivistë, gazetarë shqiptarë dhe kreu i një partie opozitare janë mbyllur ose çaktivizuar, në një kohë kur vijojnë protestat kundër një projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz, të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Protestat në Shqipëri kanë vijuar prej gati 100 ditësh kundër planeve për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Jared Kushner, i cili është i martuar me Ivanka Trump, vajzën e madhe të presidentit amerikan. Demonstratat, të pagëzuara si “Revolucioni Flamingo”, janë shndërruar më pas në një lëvizje që kërkon dorëheqjen e të gjithë qeverisë shqiptare.
Sandro Gozi, eurodeputet italian dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane, dënoi bllokimin e llogarive në Instagram.
“Kur dhjetëra llogari opozitare dhe aktivistësh, të lidhura me të njëjtën lëvizje proteste, zhduken pothuajse në të njëjtën kohë, nuk mund ta trajtojmë thjesht si një problem teknik”, tha Gozi në një deklaratë të shpërndarë për mediat të enjten.
“Meta duhet të shpjegojë se çfarë ka ndodhur dhe duhet ta bëjë këtë shpejt”, shtoi ai.
Rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në protestë, duke u mundësuar qytetarëve dhe gazetarëve të raportojnë në kohë reale përmes llogarive të tyre, të mobilizojnë protestuesit dhe të dokumentojnë përplasjet me policinë.
Por gjatë javëve të fundit, këto llogari janë përballur me njoftime për shkelje të të drejtave të autorit, fshirje të përmbajtjeve, pezullime dhe mbyllje të llogarive.
Personat e prekur këmbëngulin se nuk kanë shkelur asnjë nga rregullat e Instagramit, por kanë marrë njoftime për shkelje të të drejtave të autorit edhe për materiale që i kanë filmuar ose krijuar vetë.
Organizata për të drejtat digjitale “Repro Uncensored” tha se ka shqyrtuar qindra raste dhe nuk ka konstatuar shkelje të standardeve të komunitetit të Instagramit.
“Shumica e rasteve ndjekin të njëjtin model: llogaritë vihen në shënjestër përmes raportimeve të përsëritura për shkelje të të drejtave të autorit dhe platformat i kufizojnë ose i çaktivizojnë ato përpara se të përcaktojnë nëse pretendimet janë të ligjshme”, tha Martha Dimitratou, themeluese e “Repro Uncensored”.
“Disa llogari janë goditur në mënyrë të përsëritur, ndërsa edhe llogaritë e reja të krijuara pas pezullimit janë çaktivizuar”, shtoi ajo.
Një zëdhënës i Metës tha në një përgjigje me email se kompania po shqyrton veprimet e ndërmarra ndaj këtyre llogarive, por tashmë ka rikthyer disa prej tyre, të cilat ishin hequr gabimisht.
Kompania mëmë e Instagram dhe Facebook tha gjithashtu: “Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar”, duke vënë në dukje se Instagram ka një procedurë ankimi për rastet kur përdoruesit mendojnë se llogaritë e tyre janë bllokuar gabimisht.
Ndërsa disa përdorues kanë rifituar aksesin, të tjerë përballen me kufizime për transmetimet live dhe bashkëpunimin me krijues të tjerë, ndërsa disa pretendojnë se janë përballur me të ashtuquajturat “shadow bans”, ku shpërndarja e përmbajtjeve të tyre kufizohet për përdoruesit e tjerë, zakonisht pa njoftim.
Agron Shehaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe kreu i partisë opozitare “Mundësia”, e kishte llogarinë e tij të çaktivizuar të mërkurën në mbrëmje.
“Nëse rregullat që përcaktojnë pezullimin dhe heqjen e llogarive nuk janë të qarta dhe transparente, qeveria ka çdo mundësi që ta shtrijë censurën e saj edhe në rrjetet sociale, duke shkaktuar dëme potencialisht të pakthyeshme për shoqërinë”, tha ai për POLITICO.
Shehaj tha se rregullat e platformës nuk ishin të qarta dhe se boshllëqe të tilla mund të shfrytëzohen lehtësisht nga qeveritë ose nga persona të mobilizuar prej tyre për të heshtur zërat kritikë.
“Dhe kjo është pikërisht ajo që po dëshmojmë tani: brenda natës, qindra llogari që mbështesin protestat dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama janë mbyllur”, tha ai.
Rama reagoi ndaj akuzave në X, duke deklaruar:
“Dua ta bëj absolutisht të qartë: ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me asnjë llogari në rrjetet sociale që është çaktivizuar apo kufizuar dhe nuk zotërojmë aftësinë teknike për të kryer një operacion të tillë. Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzira të tilla.”
POLITICO kontaktoi Jared Kushner për një koment, ndërsa një zëdhënës i SAZAN Coast, kompanisë së lidhur me projektin e propozuar në Shqipëri, tha se kompania nuk kishte asnjë përfshirje në vendimet e Metës apo të ndonjë kompanie tjetër për moderimin e përmbajtjeve.
Megjithatë, ai shtoi se “nuk jemi të befasuar që i shohim të ndërmarrin këtë veprim”.
Duke e cilësuar situatën si një “fushatë të koordinuar dhe të fabrikuar opozitare”, zëdhënësi tha:
“Meta dhe platformat e tjera kanë të drejtë të ndërmarrin masa ndaj lëvizjeve artificiale, të drejtuara nga bot-et.”
Represioni digjitalMes personave të prekur nga veprimet e Metës është edhe Arjan Koçi, një kuzhinier shqiptaro-britanik që përdor Instagramin për të publikuar pamje me dron, si dhe videot dhe intervistat e tij.
Përmbajtjet e tij arrijnë më shumë se 55 milionë shikime në muaj.
Në një përgjigje me shkrim, ai tha se rreth orës 01:00 të së enjtes, llogaria e tij “Ari Shady” u mbyll “pa email, pa paralajmërim dhe pa asnjë njoftim”.
“Pastaj kërkova miqtë e mi të tjerë dhe të gjithë ishin bllokuar në të njëjtën kohë, të gjithë në orën 1 të mëngjesit”, tha ai.
Gazetarja Alesia Burnazi deklaroi se Instagrami është “i vetmi medium ku shqiptarët po ndajnë informacione thelbësore për Revolucionin Flamingo”, duke e cilësuar situatën si “një epokë të re të represionit digjital”.
Ajo nisi të përballej me fshirjen e përmbajtjeve të saj origjinale dhe me kufizime në llogari më 19 gusht, pasi kishte dokumentuar protestat për afro tre muaj.
Aktivistët kanë akuzuar qeverinë shqiptare për pezullimin e llogarive, por “Repro Uncensored” deklaroi se nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë në mënyrë të pavarur një lidhje mes tyre.
Megjithatë, organizata thotë se dyshon për një “fushatë të koordinuar për të heshtur aktivistët dhe për të hequr përmbajtjet politike kritike nga rrjetet sociale”.
Ndërkohë, Partia Demokratike Evropiane i ka dërguar një kërkesë zyrtare për sqarime Metës, duke kërkuar të shpjegojë arsyet e pezullimit dhe mbylljes së llogarive dhe nëse kjo ka ardhur si pasojë e “raportimeve masive të koordinuara” apo nëse “Meta ka zbuluar përpjekje të organizuara për të manipuluar mekanizmat e raportimit”.
Gozi, një prej zërave të njohur që kërkon më shumë përgjegjshmëri nga platformat digjitale, shtoi:
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme në Shqipëri, një vend që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.”
“Anëtarësimi në BE nuk ka të bëjë vetëm me integrimin ekonomik: ai nënkupton mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtës së qytetarëve dhe forcave opozitare për të folur lirisht. Presim që si Meta, ashtu edhe Komisioni Evropian, ta marrin seriozisht këtë çështje”, tha ai.
Gozi tha se e ka ngritur gjithashtu çështjen pranë Komisionit Evropian përmes një pyetjeje parlamentare, duke kërkuar sqarime urgjente nga Meta.
Në deklaratën e tij në X, Rama kritikoi edhe partinë e Gozit, duke i cilësuar deklaratat e saj si “një formë të ulët propagande” të ardhur nga “persona që hiqen si demokratë evropianë”. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

