Edicioni i 15-të i "Korça Open Air" ka përmbyllur garat me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, e cila u zhvillua në Pazarin e Vjetër të Korçës. Pas tri ditësh konkurrimi mes pilotëve nga vende të ndryshme të botës, janë shpallur fituesit e kategorive të ndryshme të këtij eventi ndërkombëtar. Gjatë tri ditëve të aktivitetit, CNA ka përcjellë ekskluzivisht LIVE garat, duke sjellë për publikun emocionet e fluturimeve dhe sfidën e pilotëve në disiplinën e precizionit.
Në kategorinë Masters, vendin e parë e rrëmbeu piloti anglez Andy Shaw, ndërsa në kategorinë Junior fitues u shpall Arber Shala nga Kosova. Në kategorinë Female, çmimi i parë shkoi për Lisieta Thaçin, gjithashtu nga Kosova. Ndërsa në klasifikimin e ekipeve më të mira, vendin e parë e zuri Team Bulgaria. Në klasifikimin e përgjithshëm të Korça Open Air, triumfoi Migjen Shala nga Kosova, i cili u rendit gjithashtu në vendin e parë në Kupën e Kombit, garë ku konkurruan vetëm pilotët shqiptarë dhe kosovarë. Pjesë e ceremonisë ishte edhe ndarja e çmimeve për Kampionatin Kombëtar Shqipëri–Kosovë, në dy disiplina. Në garën e paramotorrit, kampion u shpall Xhonatan Islami, ndërsa në disiplinën e precizionit, vendin e parë e mori Fanol Shala.
Kështu, edicioni i 15-të i 'Korça Open Air' mbyll tri ditë spektakli ajror, gare dhe emocionesh, duke e kthyer edhe një herë Korçën në një pikë takimi për pilotët e sporteve ajrore nga vende të ndryshme të botës./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

