“Janë qytetarët që kanë marrë në dorë protestën”, kështu u shpreh Ermal Hasimja ndërsa komentoi protestën që mbahet prej 66 ditësh kundër kryeministrit Edi Rama. Ai tha se protesta është shumë e vlefshme për demokracinë në vend. Sa i përket deklaratave të kryeministrit Edi Rama, ai tha se qëllimi i tij është të vazhdojë me manipulimet. “Mesazhi kryesor që ka përcjellë është që qytetarët nuk janë të gatshëm të durojnë çfarëdolloj abuzimi dhe ky është një mesazh për qeverinë aktuale. Pra edhe një sinjal që edhe në të ardhmen qytetarët do të ngrihen për të protestuar për çdo problem. Interpretimi që përpiqet të bëjë Rama dhe qeveria është manipulues. Por ky interpretimi që po protestojnë se u bënë papritur norvergjezë është i pabazë. Dhe thjesht i drejtohet PS dhe mbështetësve të tyre, por nuk funksionon tek ata që dalin në protestë”, u shpreh ai.
Gjithashtu ai theksoi se protesta e kërkon daljen e Ramës para drejtësisë. “Ndryshimi vjen edhe duke bërë diçka të re. Mund të ketë përpjekje të reja për krijimin e force të re politike. Qëndrimi i zotit Rama në pushet është i lidhur nga interesa të tjera që nuk janë interesa legjitime të qytetarit shqiptar. Kjo qeveri ka dalë garant për privatizimin e Shqipërisë për një grusht të vogël. Të gjithë ata që janë bërë gati me thikë e pirun për të bërë gati një llokmë nuk do të donin që Rama të ikte. Ka presion në administratë publike, bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe pafund probleme me sferën mediatike. Protesta ka shërbyer si katalizator. Ramës kanë filluar t’i rrjedhin deputetë, ndonjë revoltë e vogël nga Braçe, pakënaqësi nga Spiropali. Pra zoti Rama është i fortë deri në pikën që do rrëzohet…Protesta ka rol të jashtëzakonshëm sepse i dha guxim njerëzve dhe vërtetoi se 800 mijë vota nuk janë aty. Mendoj që zoti Rama e lexon saktësisht kështu, dhe ato që ai thotë i ka të qarta se nuk është kështu por i duhet një doktrinë për ta justifikuar këtë kryengritje sepse nuk është vetëm protesta por edhe brenda PS”, u shpreh ai.
Sa i përket PD dhe qëndrimit të saj, ai tha se nga kjo protestë ka marrë mesazh të qartë, pasi ka edhe një pakënaqësi edhe ndaj opozitës.
“Nuk është ngritur në lartësinë e detyrës për të qenë një forcë alternative. PD por edhe partitë e reja, e dimë që ka demokratë që dalin në shesh, edhe pse thirrja Rama në burg , Berisha në burg, pjesa e dytë mund të jetë bezdisëse. Por mund të themi që PD ka bërë disa reflektime”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: ermal hasimja PD protesta PS
