Donald Trump Trump Media synon t'u shesë investitorëve institucionalë qasje me shpejtësi të lartë në postimet e Truth Social, përfshirë ato të Donald Trump, duke ngritur pikëpyetje për etikën dhe ligjshmërinë e këtij modeli biznesi... Kur flet Donald Trump, ndër dëgjuesit më të vëmendshëm janë tregtarët e tregjeve financiare. Qoftë për luftërat tregtare, konfliktet ushtarake apo politikat ekonomike, çdo deklaratë e presidentit të Shteteve të Bashkuara mund të ndikojë menjëherë në tregjet financiare. Për këtë arsye, ekipet e tregtarëve dhe një numër i madh sistemesh të automatizuara monitorojnë në kohë reale çdo postim ose deklaratë të tij, duke kryer transaksione brenda pak sekondash.
Pikërisht këtë interes synon të shfrytëzojë Trump Media & Technology Group (TMTG), kompania që zotëron rrjetin social Truth Social. Ajo ka prezantuar një shërbim me pagesë, i cili u ofron firmave të Wall Street-it dhe investitorëve institucionalë atë që e përshkruan si "qasjen më të shpejtë" te llogaritë më me ndikim në platformë.
Edhe pse TMTG nuk ka deklaruar shprehimisht se shërbimi përfshin llogarinë personale të Donald Trump, fakti që ai ka rreth 13 milionë ndjekës, më shumë se çdo përdorues tjetër i Truth Social, e bën të qartë se postimet e tij janë ndër përmbajtjet me ndikimin më të madh në tregje.
Nisma ka ngritur menjëherë një sërë pyetjesh ligjore dhe etike, veçanërisht për faktin se familja Trump mbetet aksionari kryesor i kompanisë dhe mund të përfitojë financiarisht nga deklaratat publike të presidentit.
-Çfarë është Truth API?
Shërbimi i ri quhet Truth API dhe ofron akses në kohë reale, me vonesë të matur në milisekonda, te postimet e "llogarive më të rëndësishme" në Truth Social. Sipas planit të kompanisë, shërbimi u vu në dispozicion të klientëve institucionalë më 1 gusht. Financial Times raportoi se çmimi mund të arrijë deri në 100 mijë dollarë në muaj për aksesin me shpejtësi të lartë, megjithëse TMTG nuk e ka konfirmuar këtë shifër.
Kompania thotë se pret që Truth API të krijojë një burim të ri dhe të qëndrueshëm të ardhurash, në një kohë kur vazhdon të raportojë humbje financiare. Megjithëse shërbimi është i hapur për këdo që paguan, ai është projektuar kryesisht për firmat që merren me tregtim algoritmik dhe tregtim me frekuencë të lartë (High Frequency Trading, HFT), të cilat, sipas TMTG-së, ndikohen më shumë nga edhe vonesat minimale në marrjen e informacionit.
Në këto kompani, vendimet për blerje dhe shitje nuk merren nga njerëzit, por nga algoritme që ekzekutojnë transaksione në një ritëm shumë më të shpejtë dhe në një volum shumë më të madh. Sipas Charles Schwab, këto sisteme synojnë fitime shumë të vogla për çdo transaksion, por falë shpejtësisë dhe numrit të madh të operacioneve mund të gjenerojnë fitime të konsiderueshme.
-Kush po e përdor?
Deri tani, TMTG nuk ka bërë të ditur se cilat kompani janë abonuar në Truth API. Kompania ka konfirmuar se kishte klientë të regjistruar para lançimit të shërbimit, por nuk ka zbuluar numrin apo identitetin e tyre. Joe Saluzzi, bashkëthemelues i kompanisë Themis Trading, tha për BBC se Truth API nuk ka vlerë për firmën e tij, pasi ajo nuk disponon infrastrukturën teknologjike që nevojitet për transaksione me shpejtësi në nivel nanosekondash. Sipas tij, klientët më të mundshëm janë kompanitë e tregtimit me frekuencë të lartë, jo vetëm për potencialin e fitimit, por edhe sepse ato nuk duan të mbeten pas konkurrentëve.
"Nëse nuk e bëjmë ne, do ta bëjë dikush tjetër", tha ai.
Saluzzi shtoi se ky shërbim nuk synon investitorët individualë apo edhe shumicën e investitorëve institucionalë.
"Ky është një burim të dhënash i ndërtuar për tregtarët me frekuencë të lartë, të cilët kanë investuar miliona dollarë për ndërtimin e sistemeve të tyre teknologjike", u shpreh ai.
BBC kontaktoi disa nga institucionet më të mëdha financiare amerikane, përfshirë Goldman Sachs, JPMorgan, Citadel Securities dhe Jane Street, për të pyetur nëse ishin abonuar ose kishin ndërmend ta bënin një gjë të tillë. Shumica refuzuan të komentojnë ose nuk iu përgjigjën kërkesës.
"Askush nuk dëshiron të flasë për këto çështje," tha Saluzzi.
-Debati ligjor dhe etik
Shërbimi ka nxitur kritika të forta nga kundërshtarët politikë të Donald Trump. Senatorët demokratë Elizabeth Warren dhe Adam Schiff i kanë dërguar një letër Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC), duke kërkuar të shqyrtohet nëse Truth API bie ndesh me ligjin.
SEC konfirmoi marrjen e letrës, por nuk bëri të ditur nëse do të hapë një hetim. Në qendër të debatit është edhe mundësia e tregtimit të brendshëm (insider trading), një praktikë e ndaluar që konsiston në kryerjen e transaksioneve financiare duke përdorur informacione të rëndësishme që nuk janë ende të disponueshme për publikun.
Në reagimin e saj, TMTG akuzoi senatorët demokratë se po e keqinterpretojnë qëllimisht Truth API, ose për shkak të kundërshtimit ideologjik ndaj tregut të lirë, ose sepse nuk kuptojnë dallimin mes informacionit publik dhe atij jopublik. Kompania shtoi se senatorët "duket se kanë shpikur një teori të re të tregtimit të brendshëm, të bazuar në informacione që janë tashmë publike". Pikërisht ky është edhe elementi kyç i debatit: nëse informacioni që ofrohet përmes Truth API konsiderohet ende publik apo jo.
Richard Painter, ish-këshilltar për etikën në administratën e presidentit George W. Bush, tha për BBC se shitja e aksesit të privilegjuar në informacione zyrtare të qeverisë amerikane mund të përbëjë tregtim të brendshëm.
"Nëse do të isha komisioner i SEC-ut, do të kërcënoja me dorëheqje nëse kjo skemë nuk ndalet ose nëse nuk garantohet se postimet që lidhen me çështjet e qeverisë amerikane nuk do të përfshihen në këtë shërbim", deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Saluzzi vëren se në treg ekzistojnë tashmë kompani të tjera, media dhe bursa që ofrojnë shërbime të ngjashme për shpërndarjen ultra të shpejtë të informacionit, çka krijon një precedent për TMTG. Megjithatë, ai thekson se çështja e etikës mbetet krejtësisht tjetër.
Donald Trump zotëron rreth 41% të aksioneve të Trump Media përmes një fondi të administruar nga fëmijët e tij, çka do të thotë se ai pritet të përfitojë financiarisht nga ky shërbim.
Në letrën drejtuar SEC-ut, Warren dhe Schiff e cilësuan këtë model si "një abuzim flagrant me postin e Presidentit për përfitim personal, që dëmton investitorët e zakonshëm dhe integritetin e tregjeve financiare, ndërsa pasuron Wall Street-in dhe individë të tjerë të pasur të lidhur me kompaninë"./Përshtati "Pamfleti" nga "BBC"trump Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Alarm i kuq nga zjarret në Athinë, evakuohen mbi 1 mijë persona 4 Gusht 2026, 16:0616:06Rajoni dhe Bota “Safarin me dronë”/ Pas sulmit ukrainas, Rusia plagos një shitës ambulant, akuza për krime lufte! (Video) 4 Gusht 2026, 15:5715:57Rajoni dhe Bota Stigmatizimi i drejtësisë në vend të përballjes me të kaluarën: Si e politizon Beogradi hetimin e Zubin Potokut 4 Gusht 2026, 15:2015:20Rajoni dhe Bota Kërcënon Trump: Po i japim Iranit çdo shans para se 't'i presim kokën'! 4 Gusht 2026, 14:5014:50Rajoni dhe Bota Ukraina godet sërish rajonin e Moskës, humbin jetën 5 persona 4 Gusht 2026, 14:3014:30Rajoni dhe Bota Spanja bën bilancin: 70 mijë migrantë që hynë në Ceuta janë kthyer në Marok 4 Gusht 2026, 14:1714:17Rajoni dhe Bota

