Lajme Zone
Mbreti dhe vrasësi!
PolitikëPamfleti

Mbreti dhe vrasësi!

Kur më 28 gusht gazetat dhe rrjetet sociale nisën të flisnin për vdekjen e Harald V, mbretit të Norvegjisë, mendova se bëhej fjalë për një tjetër episod të debatit të pafund historik rreth sixhadesë së Bajës.

Mbreti dhe vrasësi / Dy vdekje, dy kujtime krejt të ndryshme. Haraldi V u përcoll me respektin dhe dashurinë e një populli, ndërsa Ratko Mladić me nderime që rihapën plagët e luftërave të Bosnjës dhe debatin për të kaluarën e Serbisë. Kur më 28 gusht gazetat dhe rrjetet sociale nisën të flisnin për vdekjen e Harald V, mbretit të Norvegjisë, mendova se bëhej fjalë për një tjetër episod të debatit të pafund historik rreth sixhadesë së Bajës.

Por kishte ndërruar jetë monarku i dashur i Norvegjisë, me shpinën gjithmonë drejt, me një zotërim të përsosur të anglishtes dhe me një trup 1.88 metra të lartë që përcillte thuajse në mënyrë të përsosur imazhin e mbretit.

Kisha pasur kënaqësinë ta takoja në një aktivitet të Ushtrisë Britanike, ku m’u prezantua si Kolonel i Përgjithshëm Nderi i regjimentit Green Howards. Menjëherë mbreti norvegjez më pyeti për emrin tim, nisi të tregonte disa histori nga ushtria dhe më la përshtypjen e një njeriu modest e të përulur, më shumë si një xhaxha i dashur sesa si një monark.

Mund ta kuptoja fare mirë pse mbështetja ndaj tij qëndroi në nivelin 70 për qind gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit. Arsyeja pse mbante titullin nderi në Green Howards, lidhej me faktin se ushtarët e këtij regjimenti kishin ruajtur paraardhësit e tij mbretërorë kur ata u detyruan të largoheshin në mërgim për shkak të pushtimit gjerman në vitin 1940.

Ai qeverisi me pëlqimin e popullit, nuk fshehu emocionet në publik dhe vetë ishte prekur nga lufta, pasi vitet e para të jetës i kishte kaluar në Shtetet e Bashkuara, sa më larg që të ishte e mundur nga kthetrat naziste.

“Që nga viti 1942”, më kishte thënë, “të gjithë monarkët norvegjezë kanë qenë Kolonelë të Përgjithshëm Nderi të Green Howards”. Prandaj ishte normale që një trupë nderi e pasardhësit të këtij regjimenti, Yorkshire Regiment, të ishte e pranishme në ceremoninë shtetërore të varrimit të Haraldit më 9 shtator.

Një ditë para njoftimit për vdekjen e Haraldit ishte bërë e ditur edhe ndarja nga jeta e një tjetër figure dikur të rëndësishme të Evropës. Bëhej fjalë për gjeneralin Ratko Mladić, komandantin e ushtrisë serbe të Bosnjës gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet 1990.

Edhe ai ishte prekur nga Lufta e Dytë Botërore. Babai i tij, partizan, ishte vrarë në luftime ndërsa drejtonte një sulm kundër fshatit ku kishte lindur udhëheqësi fashist kroat Ante Pavelić, në vitin 1945. Kjo ngjarje kultivoi te Mladić një urrejtje të thellë dhe instinktive ndaj kroatëve.

Mladić ishte njëri prej tre protagonistëve serbë, emrat e të cilëve u bënë të njohur në të gjithë botën si promotorë të gjenocidit gjatë luftërave civile në rajon. Bashkë me udhëheqësin serb Slobodan Milošević dhe politikanin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karadžić, Mladić synonte

ta kthente Serbinë në fuqinë dominuese mbi gjashtë republikat e Jugosllavisë: Bosnjë-Hercegovinën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Slloveninë, si dhe mbi dy provincat autonome brenda Serbisë, Kosovën dhe Vojvodinën.

Këto territore ishin bashkuar fillimisht në një mbretëri në vitin 1918, dhe pastaj në vitin 1945, në një republikë socialiste nën drejtimin e Titos. Si ish-komandant partizan, Tito e shtypi me brutalitet çdo shfaqje të kundërshtimit rajonal deri në vdekjen e tij, në vitin 1980.

Me zhdukjen e figurës që e mbante Jugosllavinë të bashkuar, shteti nisi të shpërbëhej. Kur Milošević u zgjodh president i Serbisë në vitin 1989, qeveritë e Sllovenisë, Bosnjës dhe Kroacisë kërkuan më shumë autonomi.

Komunitetet serbe në këto republika refuzuan ta pranonin këtë ndryshim dhe serbët që jetonin në Bosnjë krijuan entitetin e tyre politik, Republikën Srpska, të drejtuar nga Karadžić, në fillim të vitit 1992. Më 2 maj të po atij viti, një muaj pasi Bosnjë-Hercegovina kishte shpallur pavarësinë, Mladić dhe Ushtria Kombëtare Jugosllave, e dominuar nga serbët, marshuan drejt kryeqytetit boshnjak, Sarajevës.

Qyteti, i rrethuar nga Alpet Dinarike dhe i shtrirë përgjatë lumit Miljacka në zemër të Ballkanit, ishte themeluar nga Perandoria Osmane në vitin 1461, gjatë pushtimit të rajonit. Pikërisht këtu qëndronte një nga problemet themelore të luftërave të viteve 1990.

Valët e njëpasnjëshme të pushtuesve dhe kolonëve osmanë bënë që disa rajone, si Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina, të konvertoheshin në Islam. Kundërshtimi serb ndaj osmanëve u mbështet në lidhjet e besimit ortodoks me popujt e tjerë sllavë, veçanërisht maqedonasit e veriut, malazezët dhe rusët.

Sllovenia dhe Kroacia, nga ana tjetër, duke qenë nën sundimin e Habsburgëve që prej vitit 1527, e kishin ruajtur gjithmonë besimin katolik. Mjafton një vështrim i shpejtë mbi horizontin e një qyteti ballkanik - një minare, një kupolë në formë qepe apo një majë kishe - për të kuptuar menjëherë se ku ndodhesh.

Rajoni që dikur përbënte Jugosllavinë, emër që do të thotë “toka e sllavëve të jugut”, ishte një përpjekje e lindur në Versajë për të mbuluar me një shtresë politike një vijë ndarëse shumë shekullore mes Islamit osman dhe Ortodoksisë e Katolicizmit evropian.

Sarajeva, me minaret e saj të shumta, ishte pikërisht vendi ku 19-vjeçari Gavrilo Princip, një serb i Bosnjës, vrau arkidukën Franz Ferdinand më 28 qershor 1914. Me Sarajevën që po sulmohej nga serbët modernë, Princip, që vdiq në një burg austriak në vitin 1918, e kishte humbur tashmë statusin e heroit që dikur gëzonte.

Kur mbërrita në qytet në cilësinë e historianit të NATO-s, Princip perceptohej si terrorist si nga boshnjakët, ashtu edhe nga kroatët. Në vitin 1996 gjeta të plaçkitur dhe të mbyllur muzeun kushtuar veprimtarisë së tij, ndërsa pllaka përkujtimore aty pranë ishte thyer. Që atëherë, muzeu është rihapur.

Në Sarajevë kishte komunitete serbësh dhe kroatësh që jetonin në paqe përkrah myslimanëve. Por kur Mladić dhe trupat e tij mbërritën më 5 prill 1992, forcat pushtuese ndërprenë menjëherë furnizimin me ujë dhe energji elektrike, si dhe çdo rrugë hyrëse e dalëse nga qyteti.

Për shkak të zellit të tij kundër myslimanëve, më 12 maj 1992 Parlamenti i serbëve të Bosnjës votoi krijimin e Ushtrisë së Republikës Srpska, me Mladićin në krye. Rrethimi brutal 4-vjeçar i Sarajevës u transmetua çdo mbrëmje në ekranet televizive të gjithë botës. Ai e tejkaloi në dhimbje edhe agoninë e Trojës së lashtë apo të Leningradit modern.

Rreth 18 mijë serbë sulmonin nga pozicionet e snajperëve, mortajave dhe artilerisë në malet përreth, duke shkaktuar vdekjen e 11.541 njerëzve dhe plagosjen e 56 mijë të tjerëve - civilë, paqeruajtës dhe gazetarë. Madje Mladić provokonte zyrtarët e OKB-së kur u pa duke bërë ski në shpatet e kompleksit sportiv malor të qytetit, të ndërtuar për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1984.

Nga mesi i vitit 1994, njerëzit e Mladićit kishin detyruar më shumë se 500 mijë myslimanë të Bosnjës, të njohur si boshnjakë, të largoheshin drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, ose i kishin zhvendosur me forcë në Kroacinë fqinje, duke krijuar tensione të reja etnike edhe atje.

Në fazën e fundit të luftës, në rajon mbërritën edhe mercenarë arabë ekstremistë, të cilët mbështesnin dhe stërvitnin boshnjakët. Por pjesa dërrmuese e forcave në terren përbëhej nga rreth 80 mijë serbë, të cilët kryen pjesën më të madhe të masakrave.

Mladić ishte gjithashtu përgjegjës për marrjen peng të rreth 400 paqeruajtësve me helmetat blu, nga kombësi të ndryshme, në zona të ndryshme të Bosnjës. Ata u dërguan në pika strategjike për t’u përdorur si mburoja njerëzore dhe u shfaqën të lidhur me zinxhirë në televizionet serbe.

OKB-ja kishte ngritur fillimisht qendrën e refugjatëve të Srebrenicës dhe më pas ato të Bihać-it, Goraždes, Sarajevës, Tuzlës dhe Žepës, duke i shpallur zona të ashtuquajtura të sigurta. Por në Nju-Jork mungonte vullneti politik, ndërsa në terren mungonte aftësia ushtarake për t’i mbrojtur në rast të një sulmi serb.

Disa prej tyre u komprometuan gjatë viteve 1994-1995 dhe OKB-ja iu përgjigj duke kërkuar sulme ajrore të NATO-s. Rasti më famëkeq ndodhi më 12 korrik 1995, kur forcat e armatosura të OKB-së nuk arritën ta pengonin sulmin serb ndaj zonës së shpallur “të mbrojtur” të Srebrenicës.

Batalioni holandez i OKB-së, me rreth 370 ushtarë, ishte shumë i vogël dhe pengohej nga rregulla tepër kufizuese për përdorimin e forcës për të parandaluar pushtimin e zonës. Gratë dhe fëmijët e vegjël u evakuuan, por jo burrat dhe djemtë.

Gjatë viteve 2012-2017, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dëgjoi dëshmi, sipas të cilave Mladić kishte mbërritur atë ditë në Srebrenicë dhe u kishte thënë paqeruajtësve dhe civilëve të mos shqetësoheshin. Ai urdhëroi lirimin e 14 paqeruajtësve holandezë të kapur peng dhe më pas dha personalisht urdhër për ekzekutimin e më shumë se 8.372 burrave dhe djemve boshnjakë.

Në Evropë, diçka e tillë nuk ishte parë që nga viti 1945. Në vitin 1996, hasa pasojat e kësaj dhune në disa fshatra. Pas bombardimeve të rënda, trupat hynin në çdo vendbanim, dëbonin ose vrisnin banorët dhe shkatërronin shtëpitë e tyre.

Pranë një banese boshnjake apo kroate, pa çati dhe të djegur, mund të shihje shtëpi të paprekura të pushtuara nga serbët, në dyert e të cilave ishte shkruar emri i njësisë ushtarake që ishte vendosur aty. Më kujtohet veçanërisht një farmaci fshati, e shkatërruar plotësisht nga njëra palë apo tjetra.

I gjithë stoku i ilaçeve ishte nxjerrë jashtë dhe ishte shtypur në baltë. Era e fortë e menteve kundër kollës ende ndihej në ajër. E gjitha ishte kryer ose mundësuar nga Mladić. Lufta e Bosnjës përfi me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit në dhjetor 1995.

Marrëveshja ndaloi praninë e të gjithë mercenarëve të huaj dhe solli në rajon një forcë ndërkombëtare prej 70 mijë trupash, të përbërë nga 34 shtete, ku përfshiheshin edhe autori i këtij shkrimi, si dhe forca ruse e ukrainase.

Megjithatë, me bashkëpunimin e politikanëve serbë dhe figurave të larta ushtarake, Mladić qëndroi në arrati deri në vitin 2011. Në mungesë të tij, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në vitin 2004, dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2007, vendosën se veprimet e tij në Srebrenicë përbënin gjenocid.

Si historian i NATO-s, isha i përfshirë në mbledhjen e provave për procesin gjyqësor dhe e pashë Mladićin pas arrestimit. Në sallën e gjyqit ai shfaqej si një burrë trupshkurtër e i fuqishëm, që mbante shpesh një buzëqeshje përçmuese dhe preferonte një kapelë ushtarake për të mbuluar flokët e rrallë e të thinjur.

Kur flokët i dilnin nga kapela, i jepnin pamjen e një njeriu të egër. Pavarësisht sfidës së tij të vazhdueshme dhe refuzimit për të njohur autoritetin e gjykatës, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi për 10 akuza: një për gjenocid, pesë për krime kundër njerëzimit dhe katër për shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Si oficeri më i lartë në terren, Mladić u konsiderua përgjegjës si për rrethimin e Sarajevës, ashtu edhe për masakrën e Srebrenicës dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Deri në fund, ai refuzoi të pranonte fajin ose të pranonte se kishte bërë ndonjë gabim. Pas dënimit të tij, një zyrtar i OKB-së e quajti “personifikimin e së keqes”.

Mladić vdiq më 27 gusht, ndërsa mbahej në paraburgim nga OKB-ja, pas një serie goditjesh në tru. Vdekja e tij ishte në njëfarë mënyre e ngjashme me atë të ish-shefit të tij të luftës, Miloševićit, i cili më 11 mars 2006 u gjet i vdekur nga një atak në zemër në qelinë e tij të burgut, në të njëjtin institucion të OKB-së për paraburgimin e të akuzuarve për krime lufte në Hagë.

Pa asnjë provë, shumë serbë janë bindur se të dy u vranë. Një ministër në Beograd njoftoi menjëherë se Mladić do të merrte një funeral shtetëror. Disa liderë evropianë dhe vetë Bashkimi Evropian kundërshtuan, duke deklaruar se çdo glorifikim i një krimineli lufte të dënuar do të përbënte mohim të gjenocidit dhe do të dëmtonte aspiratat e Serbisë për anëtarësim në BE.

Megjithëse ideja e funeralit shtetëror u tërhoq zyrtarisht, nga Republika Srpska dhe shumica e qyteteve të Serbisë u ofrua transport falas për këdo që dëshironte të bënte homazhe. Përgjatë itinerarit të kortezhit, u vendosën cisterna uji dhe tualete të përkohshme publike për turmat që priteshin.

Beogradi mobilizoi burime të konsiderueshme, duke siguruar furnizim me ujë, autobusë elektrikë dhe shërbime sigurie të administruara nga qyteti. Në Katedralen e Shën Lukës, patriarku Porfirije, kreu i 46-të i Kishës Ortodokse Serbe, deklaroi se “emri i Mladićit do të mbetet i ndërthurur thellë në kujtesën dhe lutjet e shumicës dërrmuese të popullit tonë ortodoks serb”.

Trupat u rreshtuan përgjatë rrugës, mes dhjetëra mijëra njerëzve, ndërsa policët përshëndetën ushtarakisht teksa arkivoli, i mbuluar me flamujt e Serbisë dhe Republikës Srpska, u drejtua për në varrezat e Topçiderit.

Një trupë nderi e ushtrisë dha një përshëndetje me tri breshëri, ndërsa arkivoli u zhduk nga pamja. Në ceremoni morën pjesë ministri serb i Mbrojtjes Bratislav Gašić, ministrja për Veteranët Milica Đurđević Stamenkovski, disa udhëheqës të serbëve të Bosnjës dhe ambasadori rus Aleksandr Bocan-Harchenko, për të cilin çdo kundërshtim ndaj Evropës është lajm i mirë.

Por nuk kishte figura të rëndësishme nga jashtë rajonit. Ceremonia ishte aq pranë një funerali shtetëror sa mund ta çonte Serbia pa e quajtur zyrtarisht të tillë. Nga ana emocionale, ajo ishte krejt e kundërta e funeralit shtetëror të zhvilluar të nesërmen për mbretin norvegjez Harald, njeriun e dashur e të afërt që unë e kujtoja me aq respekt.

Arkivoli i mbretit Harald, i mbuluar me flamurin mbretëror, qëndroi për tetë ditë në kishën e Pallatit Mbretëror, ku bënë homazhe rreth 46 mijë njerëz. Më pas u vendos mbi karrocerinë e një topi dhe u përcoll nëpër rrugët e heshtura drejt Katedrales së Oslos.

Ndërsa në të gjithë vendin u dhanë përshëndetje me 21 të shtëna topi, kortezhi u drejtua nga policë të hipur në kuaj dhe u shoqërua nga figurat më të rëndësishme të Norvegjisë, familjet mbretërore të Evropës, krerë shtetesh dhe përfaqësues diplomatikë.

Në predikimin e tij, peshkopi drejtues i Kishës së Norvegjisë, Olav Fykse Tveit, tha se dashuria mes popullit dhe mbretit Harald nuk kishte përfunduar me vdekjen e tij. Mbretëria e ndjerë e Harald V mbetet jashtë Bashkimit Evropian, ndonëse ndodhet në mënyrë të favorshme në zemër të tij.

Përmes lidhjeve të gjakut, ajo është e ndërthurur fort me historinë dhe institucionet e kombeve të tjera, jep Çmimin Nobel për Paqen dhe luan rolin e saj në NATO. Ndërkohë, Serbia, e verbuar nga besnikëria ndaj Rusisë dhe Ortodoksisë, vazhdon të përballet me pyetjen se ku ndodhet e ardhmja e saj.

Anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian mbetet një mundësi përpara saj, por vendi vazhdon të qëndrojë mes dritës dhe errësirës./Pamfleti nga “The Critic”mbreti dhe vrasësi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Makabër në Greqi/ Çifti mbante prej 4 vitesh foshnjën e pajetë në frigorifer, e merrnin me vete sa herë ndërronin shtëpi 18 Shtator 2026, 14:3914:39Rajoni dhe Bota Skandal në MI5, shërbimi sekret britanik pranon se gënjeu gjykatat për një spiun neonazist 18 Shtator 2026, 14:3014:30Rajoni dhe Bota Rusia voton nën hijen e luftës, Putin vë në provë kontrollin e tij 18 Shtator 2026, 14:0214:02Rajoni dhe Bota Si çmontohet një makineri propagande? 18 Shtator 2026, 13:3613:36Rajoni dhe Bota Kriza e re që mund t’i kushtojë Trumpit më shumë se lufta 18 Shtator 2026, 12:5112:51Rajoni dhe Bota Donald Tusk ngre alarmin: Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s 18 Shtator 2026, 12:2512:25Rajoni dhe Bota