Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas mbledhjes së zhvilluar me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste dhe ministrat, ku në fokus ishte organizimi dhe programi i sezonit të ri politik. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se puna do të vijojë me përcaktimin e një kalendari për “Praninë Besnike” në çdo territor.
Rama njoftoi gjithashtu se po punohet për ndryshime ligjore lidhur me “Pasqyrë Albania”, duke vijuar kështu nismën e prezantuar më herët.
“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri – deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore, si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për Pasqyrë Albania.
Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës së integruar Shqipëria Sociale, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor”, shkruan Rama. Top Channel

