Dylber Shuli nga Zagorçani i Pogradecit është ndarë nga jeta pa arritur të shohë nipërit dhe mbesat e tij, të cilët prej vitesh ndodhen në kampet e Sirisë.
Për më shumë se një dekadë, ai priti kthimin e pesë fëmijëve dhe iu drejtua vazhdimisht autoriteteve shqiptare për ndihmë. “Kam shpresë deri sa të vdes”, ishte shprehur ai në një prej intervistave të tij.
Djali i tij, Krenar Shuli, ishte larguar drejt Sirisë në vitin 2013 me bashkëshorten dhe fëmijët. Pas vdekjes së prindërve, fëmijët mbetën në kampet siriane. Vajza e madhe, Elona, u martua atje kur ishte ende e mitur dhe u bë nënë.
Shqipëria ka zhvilluar disa operacione për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet siriane. Në vitin 2020 u kthyen pesë persona, ndërsa në vitin 2022 edhe 13 të tjerë, mes tyre 9 të mitur. Megjithatë, në asnjërën prej listave nuk ishin nipërit dhe mbesat e Shulit.
Çdo operacion i ri i rikthente shpresën se edhe ata do të ktheheshin. Por kjo nuk ndodhi.
Dylber Shuli u nda nga jeta duke pritur një telefonatë, një lajm dhe mbi të gjitha, kthimin e fëmijëve në Shqipëri. Historia e tij mbetet një tjetër dëshmi e dhimbshme e familjeve shqiptare që vijojnë të presin të afërmit e tyre nga kampet e Sirisë.

