10 persona janë proceduar penalisht dhe 5444 masa administrative janë vendosur nga Policia Rrugore e Tiranës gjatë 48 orëve të fundit, në kuadër të kontrolleve të intensifikuara në rrugët e kryeqytetit. Sipas Policisë, 10 shtetasit janë proceduar kryesisht për drejtim të automjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Ndërkohë, 3 persona të tjerë janë proceduar penalisht pasi dyshohet se kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit, përfshirë drejtimin nën efektin e alkoolit dhe përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit. Gjatë kontrolleve janë: bllokuar 18 automjete;tërhequr 13 leje qarkullimi;vendosur 5444 masa administrative për shkelje të ndryshme.Policia Rrugore bën me dije se kontrollet janë kryer me shërbime të shtuara në terren dhe përmes pajisjeve teknologjike, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore. Drejtimi me shpejtësi tej normave, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, drejtimi nën efektin e alkoolit dhe drejtimi pa leje drejtimi konsiderohen nga Policia si ndër shkeljet me rrezikun më të lartë për aksidente.
