Analisti dhe pedagogu Ermal Hasimja, i ftuar në emisionin Minuta e Parë në News24, ka zbuluar se peticioni i pedagogëve ka kapërcyer mbi 1,500 firma, me një rritje të vazhdueshme çdo dy-tri orë. Hasimja denoncoi sulmet e orkestruara dhe përpjekjet e pushtetit për të anatemuar e redaktuar lëvizjen akademike. Pedagogu nënvizoi se prania e trupës akademike krah rinisë nuk bëhet për protagonizëm politik, por si një detyrë absolute morale e kombëtare. Sipas tij, pedagogët nuk janë aty për të udhëhequr apo për t’u marrë vendin studentëve, sepse këtë protestë e udhëheqin vetë studentët. Mirëpo, pedagogët kanë detyrën morale e qytetare që ta mbështesin fuqimisht këtë kauzë nëse ajo është për të mirën e vendit dhe e drejtë. Ai shtoi se nuk mund të rrinë anash duke parë lajmet në televizion ndërkohë që studentët rrihen, e pastaj t’i presin në klasa të vijnë të mavijosur apo të nxirë. Vjen një moment ku ora e mësimit bëhet shumë më e parëndësishme se ora e përgjegjshmërisë qytetare dhe e edukatës publike. Lidhur me paralajmërimet për grevë e bojkot mësimor, Hasimja sqaroi se bojkoti realisht po udhëhiqet nga vetë studentët që ndodhen në sheshe, ndërsa trupa e pedagogëve po ushtron mbrojtje e mbështetje institucionle ndaj kauzës së tyre. “Ata mund të kenë 1,000 e një arsye për të mos qenë të grupuar në një situatë si kjo, por ju ia keni dalë që përmes një peticioni të grumbulloni plot 1,500 firma.
Mbi 1,500, sepse unë pashë versionin e papërditësuar. Përditësohet çdo dy-tri orë dhe çdo dy-tri orë sa herë përditësohet dalin nga 200–300 firma shtesë. Ka patur një përpjekje të politikës për të anatemuar këtë përpjekjen tuaj, patjetër. E para, ke trollsa të shumtë që të sulen nga të gjitha anët: ‘Jo kush janë këta pedagogë, jo këtë e ka ky, jo këtë e ka ai’. Në një listë me 1,500 pedagogë patjetër që do të gjesh dikë që s’e ke qejf, dikë që është i Saliut, dikë që është i Sorosit, dikë që ka qenë i Ramës, ky që ka qenë kështu e kështu me radhë.
Me sa duket edhe Taulant Balla, pavarësisht se është shumë i zënë duke menaxhuar situatën e rrahjes së adoleshentëve dhe studentëve rrugëve, ka gjetur kohë me sa duket të na bëjë edhe redaktim aty, se ka bërë një postim i cili na tregon një emër që ka kaluar aty. Dikush i thotë s’ka rëndësi për emrin, por ka vënë vetëm atë gradën. Kur ka kaq kohë zoti Balla që të merret e të bëjë redaktimin e peticionit tonë, unë mendoj që duhet të merrej më tepër me hallet e shtetit.
Realisht, kur ti ke 1,500 firma aty brenda, ti ke pjesën më të vetëdijshme, pjesën më të guximshme që gjithashtu kanë edhe presione, si dhe pjesën më të angazhuar të pedagogëve. Besoj që ti ke pasur rastin t’i shohësh emrat aty, domethënë s’ka nevojë për shumë koment se kush e ka firmosur.
Ne nuk e kemi marrë atë misionin e bashkimit të të gjithë intelektualëve e të tjerë, se intelektualët ti mund t me i bashkuar për një kauzë të caktuar. Por përderisa ata i janë përgjigjur menjëherë thirrjes tuaj me një firmë… Në vitin 2013, po të të jap rastin e fundit, kam qenë në auditor me studentët e mi dhe me thënë të vërtetën nuk kam pritur që studentët të më thonë: ‘O profesor, a do të ikim te protesta kundër armëve kimike?’ U kam thënë unë: ‘E kuptoj çfarë doni të bëjmë’, sepse vjen një moment ku ajo ora e mësimit është shumë më e parëndësishme sesa ora e përgjegjshmërisë qytetare, ora e edukatës politike publike që ti ke me studentët e tu. Studentët e kanë vështirë ta respektojnë një pedagog po nuk e panë si të tyrin, po nuk e panë si dikush me të cilin ndajnë të njëjtat vlera. Mund të mos bien dakord për shumë gjëra, por në ca gjëra që përfaqësojnë interesin kombëtar dhe publik, aty pastaj nuk ka më ndarje të së majtës apo të së djathtës, e kemi qenë me studentët aty në shesh.
Edhe kur kam qenë në protesta, më bëhet qejfi herë pas here se më vijnë edhe studentë që tani nganjëherë s’kanë edhe shumë flokë ose kanë filluar t’u dalin thinjat e thonë: ‘Profesor, mund të mos na mbash mend’, se kanë kaluar nuk e di se sa mijëra studentë, por më bëhet qejfi sepse gjej të njëjtën përgjegjshmëri te studentët.
Te protesta që u organizua sot, ishte organizimi i sindikatës së universitetit, por pavarësisht se ne e mbështetëm — edhe gjithë forumi i dialogut, se është forum pedagogësh në radhë të parë — besoj se peticioni ka ndikuar shumë. Jo thjesht për faktin që pedagogët dolën aty dhe nuk janë njerëz që s’dinë të lidhin shtatë fjalë, siç thoshte një student në një nga këto postimet.
Por duhet pasur parasysh që pedagogët ishin aty për të mbështetur studentët. Pedagogët nuk ishin aty si protagonistë. Jo vetëm ne të forumit që e bëmë atë, po të gjithë ndejën në hije bashkë me të tjerët, dhe në vijë të parë lanë studentët. Kjo është protesta e studentëve. Detyra e pedagogëve, angazhimi jonë dhe nisma jonë nuk ka qenë për t’i zënë vendin apo për të udhëhequr studentët. Nuk jemi ne duke i udhëhequr studentët dhe as kemi atë lloj pretendimi. Sot protestën e udhëheqin studentët.
Ne si pedagogë kemi detyrën morale e qytetare t’i bëjmë thirrje vetes: në qoftë se kjo protestë është për interesin publik, në qoftë se është për të mirën e vendit, në qoftë se është e drejtë dhe legjitime, atëherë qartazi duhet mbështetur. Duhet gjetur guximi e kurajoja për t’u mbështetur. Ne nuk mund të rrimë si pedagogë anash duke parë lajmet në televizion e të shohim studentët tanë që rrihen.
Bojkoti është i vendosur nga studentët, por janë studentët që po e udhëheqin. Pashë edhe nja dy komente të tipit ‘pse ju po u merrni skenën studentëve’. Absolutisht jo. Pedagogët janë për të mbështetur studentët aty, por këtë lëvizje, këtë protestë e revoltë e udhëheqin studentët, jo pedagogët. Por pedagogët nuk mund të rrinë në qetësi ndërkohë që shohin studentët e tyre, e pastaj të rinjtë t’i presin në klasa që të vijnë të mavijosur ose të nxirë”, u shpreh ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
