Mbi 1000 dronë ukrainas janë lëshuar gjatë natës drejt objektivave në Rusi, ndërsa qindra prej tyre kanë pasur si drejtim Moskën, në atë që kryebashkiaku i kryeqytetit rus e ka përshkruar si sulmin më të madh me dronë ndaj qytetit që nga fillimi i luftës.
Sulmi ndodhi në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi. Sipas autoriteteve ruse, 450 dronë u rrëzuan ose u neutralizuan në drejtim të Moskës, ndërsa Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte rrëzuar gjithsej 1,110 dronë ukrainas në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Krimenë dhe ujërat e Detit të Zi. Shifrat e autoriteteve ruse nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Në Moskë u dëmtua rafineria e naftës, ndërsa një ndërtesë banimi u godit gjithashtu. Në rajonin e Moskës, autoritetet raportuan fillimisht dy viktima dhe rreth 20 të plagosur. Reuters më pas raportoi se një person i tretë humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se sulmi kishte në shënjestër infrastrukturën energjetike dhe logjistike që, sipas tij, mbështet përpjekjet ushtarake të Rusisë. Ai deklaroi se Ukraina përdori një kombinim dronësh me rreze të gjatë veprimi dhe raketash të prodhuara në vend.
Sulmi vjen në një moment të tensionuar të luftës, ndërsa të dyja palët kanë intensifikuar goditjet me dronë dhe raketa ndaj objektivave në territorin e njëra-tjetrës.
Në të njëjtën kohë, Ukraina raportoi viktima nga një sulm rus në rajonin e Kievit. Sipas autoriteteve ukrainase, katër civilë, mes tyre tre fëmijë, humbën jetën gjatë sulmeve me dronë.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, e cilësoi sulmin si “të paprecedentë” dhe tha se ai synonte të ndërpriste procesin zgjedhor. Sipas tij, përpjekja nuk ia arriti qëllimit.
Sulmi u zhvillua ndërsa Rusia përfnte zgjedhjet e para parlamentare që nga nisja e pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Votimi u zhvillua edhe në territoret ukrainase të pushtuara dhe të aneksuara nga Rusia, një proces që Ukraina dhe vende të tjera e kanë kundërshtuar si të paligjshëm.

