Një operacion kërkim-shpëtimi është finalizuar me sukses në Malin e Çikës në Vlorë, ku tre turistë gjermanë kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të vështirë malor. Shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë u vunë menjëherë në lëvizje pas marrjes së njoftimit për ndihmë. Rreth orës 19:00, forcat e policisë arritën të lokalizonin tre të rinjtë me origjinë gjermane, të gjithë rreth 18 vjeç. Raportohet se, për shkak të terrenit të thyer dhe lodhjes së madhe fizike, ata e kishin të pamundur të vazhdonin lëvizjen me këmbë. Marrë parasysh vështirësinë e ndërhyrjes nga toka, në koordinim me Qendrën Operacionale Kombëtare të Emergjencave Civile Tiranë, u kërkua ndërhyrja nga ajri. Rreth orës 19:30, falë reagimit të shpejtë me helikopter, u bë e mundur nxjerrja e sigurt e turistëve nga zona e rrezikshme. Pas evakuimit, tre të rinjtë gjermanë shprehën falënderimet e tyre për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të gjitha strukturat e angazhuara, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit. Policia e Shtetit rikonfirmoi angazhimin e saj maksimal për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe vizitorëve të huaj në çdo situatë emergjence në të gjithë territorin e vendit.
