Lajme Zone
Mazhoranca rrëzon kërkesën e opozitës për Komision Hetimor për kompaninë KAYO
PolitikëEuronews Albania

Mazhoranca rrëzon kërkesën e opozitës për Komision Hetimor për kompaninë KAYO

Partia Demokratike ka bërë kërkesë këtë të enjte për ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e KAYO. Kërkesa u rrëzua nga mazhoranca në Konferencën e Kryetarëve.

Partia Demokratike ka bërë kërkesë këtë të enjte për ngritjen e Komisionit Hetimor për veprimtarinë e KAYO. Kërkesa u rrëzua nga mazhoranca në Konferencën e Kryetarëve. Kërkesa e PD erdhi pas publikimit të përgjimeve për përfshirjen e kompanisë shtetërore në trafik të armëve. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij u shpreh se kompania KAYO ka shpenzuar 34 milionë euro. “Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi. E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta”, tha ai. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku gjithashtu shtoi se akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha lidhur me veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore teka theksoi se duhet ngritur një komision. “Ju mund të sillni këtu gjoja argumente, por ka qenë Kushtetuta ajo që ka përcaktuar se si ngrihet një komision hetimor dhe cili është roli juaj në këtë çështje. Ne po kërkojmë një komision hetimor për veprimtarinë e një kompanie që nuk ka aktivitet publik. Akuzat janë të rënda dhe pikëpyetjet janë të mëdha për veprimtarinë e kësaj kompanie shtetërore. Unë vij me eksperiencë nga një komision hetimor. Të njëjtin qëndrim keni pasur edhe atëherë, të njëjtat argumente keni sjellë. Por e vërteta është se ai komision ekspozoi një nga skemat më të mëdha korruptive. Çështja e inceneratorëve rezultoi të ishte një nga rastet më të mëdha të korrupsionit. Prandaj, ne këtu mund të diskutojmë vetëm për objektin e kërkesës që kemi parashtruar, jo për ngritjen e komisionit. Këtë e garanton Kushtetuta. Na e ka dhënë Kushtetuta të drejtën e hetimit parlamentar”, tha ajo. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së tha se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor nuk përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore të parashikuara për ngritjen e një komisioni të tillë. Ai theksoi se në kërkesë nuk janë identifikuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publikë, aktet apo kontratat që pretendohet se janë të paligjshme, si dhe periudha kohore ku duhet të shtrihet hetimi. Sipas Ballës, objekti i propozuar synon kontrollin e përgjithshëm të veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështjeje të individualizuar me rëndësi të veçantë publike. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së theksoi se kërkesa nuk paraqet indicie konkrete dhe të mjaftueshme për paligjshmëri.