Amerikanët e kanë përqafuar plotësisht termin “maxxing”, duke bërë që ai të shpallet Fjala e Vitit 2026 nga Dictionary.com.
Termi, një shkurtim i fjalës maximising (maksimizim), “mund të përdoret më vete ose të shtohet në fund të çdo fjale për të shprehur se po bëni diçka në maksimum ose po e optimizoni atë sa më shumë që të jetë e mundur”, thuhet në shpjegim të Dictionary.com.
Ky është një ndryshim i madh krahasuar me dy vite më parë, kur faqja, pas analizimit të trendeve të rrjeteve sociale në SHBA-të, lajmeve dhe të dhënave të kërkimeve, zgjodhi fjalën demure si fjalën e vitit. Vitin e kaluar, fjala e përzgjedhur ishte “67”.
“Maxxing është shfaqja gjuhësore e një kulture që po përqendrohet gjithnjë e më shumë te përpjekja për të nxjerrë maksimumin nga gjithçka”, tha Steve Johnson, drejtor i leksikografisë në Dictionary Media Group.
Dictionary.com zbuloi se përdorimi i termit “maxxing” në mediat digjitale u rrit gati 19 herë në gusht të vitit 2026, krahasuar me mesataren mujore të vitit 2025. Faqja shqyrtoi gjithashtu termat affordability (përballueshmëria), data centre (qendër të dhënash), Odyssey dhe formën e shkurtuar të fjalës uncle (xhaxha), “unc”, si kandidatë të mundshëm për fjalën e vitit.
Në rrjetet sociale, shumë pjesëtarë të Gjeneratës Z dhe të brezave më të rinj, pra persona nën moshën 30 vjeç, publikojnë gjerësisht përpjekjet e tyre përmes “maxxing” për të arritur forma të ndryshme përsosmërie.
Influencuesit që përqendrohen te fitnesi dhe mirëqenia publikojnë përmbajtje rreth “proteinmaxxing” dhe “fibermaxxing”, që lidhen me përpjekjet për të optimizuar marrjen e proteinave dhe fibrave. Ndërsa ata që i kushtojnë vëmendje të veçantë përmirësimit të zakoneve të gjumit thonë se po bëjnë “sleepmaxxing”.
Influencuesi Clavicular ka fituar mijëra ndjekës duke dokumentuar përpjekjet e tij ekstreme për të përmirësuar pamjen fizike, të njohura si “looksmaxxing”. Ky trend përfshin përpjekjet për të përmbushur një sërë kriteresh të përcaktuara të tërheqjes fizike, ku rëndësi të veçantë u kushtohet formës së nofullës, syve dhe fizikut.
“Pavarësisht se çfarë bëjmë, duam ta çojmë edhe më tej”, tha Johnson. “Por përdorimet gjithnjë e më të shumta të këtij termi tregojnë gjithashtu se si njerëzit reagojnë ndaj kësaj prirjeje. Disa e përqafojnë atë. Disa e ekzagjerojnë për të shkaktuar të qeshura. Të tjerë e përmbysin krejtësisht kuptimin e tij, për të përshkruar tërheqjen nga ndjekja e pandërprerë e gjithnjë e më shumë arritjeve.”
Njerëzit luanin me këtë term dhe me idenë që ai përcjell prej dekadash, përpara se Clavicular të fillonte të publikonte video.
Për shembull, në këngën hyrëse të serialit televiziv të viteve 1990, The Fresh Prince of Bel-Air, Will Smith këndon: “Chillin’ out, maxin’, relaxin’ all cool”.
“Fatkeqësisht, kur një term përfshihet në fjalor, kjo ndoshta do të thotë se ai ka arritur një nivel kritik përhapjeje”, thotë mësuesja Lauren Cella.
Cella, një krijuese përmbajtjesh e njohur për mësimet e saj virale të historisë për Gjeneratën Z, thotë se ajo dhe nxënësit e saj e kanë përdorur prej kohësh “maxxing” si prapashtesë.
“Në fakt, ata po e rishpikin gramatikën në mënyrën e tyre, gjë që mendoj se është shumë interesante”, thotë ajo.
Sipas Cella-s, përdorimi i “maxxing” u jep nxënësve mundësinë të “optimizohen për të arritur një qëllim” ose të bëjnë diçka që të tjerët mund ta konsiderojnë të sikletshme, duke e pranuar dhe përvetësuar atë si pjesë të vetes.
“Është një mënyrë argëtuese dhe e padëmshme përmes së cilës të rinjtë shprehin veten dhe ndajnë me të tjerët synimet e tyre të ndryshme”,thotë ajo.
Gjuhëtarja Vanessa Croft, e cila jep mësim në gjuhën angleze, thotë se interneti dhe mediat digjitale e bëjnë gjuhën të ndryshojë me një shpejtësi marramendëse, madje më shpejt sesa në kohën e radios, filmit apo televizionit. Ashtu si termat e rinj përfshihen me shpejtësi në fjalorin e përditshëm, ata mund të humbasin po aq shpejt popullaritetin.
“Kur brezat Millenials, Gjenerata X apo Gjenerata Y fillojnë t’i përdorin këto terma, Gjenerata Z dhe Gjenerata Alfa nuk i përdorin më”, thotë ajo.
Croft shton se, ndonëse ajo dhe nxënësit e saj të moshës së shkollës së mesme vazhdojnë ta përdorin termin “maxxing”, tani e bëjnë këtë “pothuajse në mënyrë ironike”.

