SPAK, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka vijuar hetimet për një skemë të dyshuar mashtrimi kompjuterik përmes shitjeve online dhe investimeve fiktive në bursa. Në kuadër të procedimit penal nr. 300/1 të vitit 2021, janë ekzekutuar 8 nga 11 masat e sigurisë ndaj shtetasve shqiptarë, të dyshuar si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal. Hetimi është vijim i kontrolleve të zhvilluara më 16 mars 2022 në ambientet e qendrës së thirrjeve “Bluenergycall shpk”, në Condor Center, Tiranë, ku u sekuestruan pajisje dhe të dhëna elektronike.
Për tre të dyshuar, me inicialet Gj., G.Sh. dhe E.P., është caktuar masa “arrest në burg”, ndërsa për Gj.K., B. dhe I.G. është vendosur “arrest në shtëpi”. Për dy të tjerë, Gj. dhe Dh.L., është caktuar masa “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të dyshuarit akuzohen për “mashtrim kompjuterik”, të kryer në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprat penale që lidhen me krijimin dhe veprimtarinë e këtij grupi.
Sipas provave të administruara dhe të analizuara në bashkëpunim me autoritetet gjermane, dyshohet se shtetas gjermanë dhe persona të tjerë europianë kontaktoheshin nga agjentë të “Bluenergycall shpk” dhe bindeshin të investonin në platforma të dyshuara si mashtruese. Paratë depozitoheshin në llogari në Bullgari, Lituani, Poloni dhe Qipro, për t’u transferuar më pas në llogari të tjera ose për t’u konvertuar në kriptovaluta. SPAK thotë se një pjesë e aktivitetit të dyshuar është kryer përmes dy adresave IP të përdorura nga subjekti në Shqipëri, ndërsa të dhënat e sekuestruara gjatë kontrolleve të vitit 2022 janë analizuar edhe nga autoritetet gjermane të drejtësisë.

