Sheshet dhe rrugët kryesore të Prishtinës u mbushën me mijëra njerëz mesditën e kësaj të shtune. Flamujt e UÇK-së dhe të Shqipërisë u valëvitën anembanë qytetit. Katër ditë përpara se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë të japë vendimin për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, organizatorët e “Marshit për Liri” thanë se presin vetëm një gjë. “Kosova po pret që Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi të kthehen në Shtëpi”, tha Eliza Hoxha, organizatore. LEXO edhe...Grenell: Mbështetje dypartiake në SHBA për Thaçin, tani fjalën e ka Haga! Të gjitha rastet e prokurorit Jack Smith kanë dështuar Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza kishte një thirrje të qartë drejtuar treshes gjykuese që do të shqiptojë verdiktin mëngjesin e 16 shtatorit. “Atyre që e marrin vendimin sot nga ky shesh u themi mendoni për pasojat para se të vendosni me 16 shtator!”, tha Hamza. Përpara mijëra shqiptarëve që ishin mbledhur nga të gjitha trojet, vajza e heroit të kombit Bajram Sulejmani përloti të pranishmit. “Prandaj kur unë dëgjoj fjalën UÇK, nuk shoh vetëm tri shkronja. Shoh babin e axhin, shokët e shoqet e tyre që nuk u kthyen kurrë, shoh edhe luftëtarët e luftëtaret që u kthyen me plagë në trup e në zemër. Shoh nënat që pritën e nuk i panë më bijtë e bijat e tyre. Shoh fëmijët që u rritën me fotografitë e prindërve të tyre e shoh nënat tona që krahas mallit e dhimbjes u detyruan t’i marrin dy role për të na rritur dhe edukuar”, tha ajo. Pjesë e marshit u bënë edhe zyrtarë nga Shqipëria, mes tyre kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla. Të pransishëm kishte edhe zyrtarë nga Maqedonia e Veriut dhe Malit të Zi. Ndërkohë, në aktivitet nuk është parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfaqësues të tjerë të Vetëvendosjes, ndërsa mungoi edhe Partia Demokratike. Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale e quajti “farsë” procesin në Hagë. Në pritje të vendimit, ai shpreh bindjen se Hashim Thaçi do të triumfojë “me forcën e së vërtetës së tij” dhe mbështetjen e shqiptarëve. Aktakuza ndaj katërshes së UÇK-së përfshin gjashtë pika për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte dhe Prokuroria ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Ata u arrestuan në nëntor 2020 dhe u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ku gjykimi nisi 3 vite më vonë. Aktgjykimi i 16 shtatorit pritet të jetë një prej vendimeve më të rëndësishme të Dhomave të Specializuara, të krijuara në vitin 2015 për gjykimin e rasteve që lidhen me pretendime për krime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999. Ora 17:11 Grenell: Mbështetje dypartiake në SHBA për Thaçin, tani fjalën e ka Haga! Të gjitha rastet e prokurorit Jack Smith kanë dështuar Ish-emisari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është shprehur se në SHBA ka një mbështetje dypartiake për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili do të përballet në 16 shtator me vendimin përfundimtar të Gjykatës Speciale në Hagë.Reagimi i Grenell:16 shtatori është njoftimi i Gjykatës së Hagës mbi vendimin në çështjen e Jack Smith kundër ish-Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. Thaçi ka qenë në burg për 6 vjet! - që kur Jack Smith arrestoi Presidentin në detyrë të Kosovës gjatë rrugës për në Uashington DC për t'u takuar me mua për negociatat përfundimtare me Presidentin Trump për marrëveshjen e Zyrës Ovale për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë. Rastet e Jack Smith në Amerikë kanë dështuar të gjitha. Ky rast në Evropë është i fundit që ai ka. Edhe demokratët nga Amerika dëshmuan në Hagë në emër të Thaçit duke thënë nën betim se pretendimet e Jack Smith ishin krejtësisht të rreme. Pra, ka mbështetje dypartiake amerikane për Thaçin... dhe kundër Jack Smith. Tani varet nga Haga, 16 shtatori. Qëndroni në kontakt... Share Ora 15:47 ‘Liria ka emër’, Rama shpërndan pamjet nga marshimi në Prishtinë për ish-krerët e UÇK-së (VIDEO) Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë disa pamje nga marshimi në Prishtinë që u mbajt këtë të shtunë në mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.‘Liria ka emër’, shkruan Rama ndërsa në videon e publikuar shihen mijëra qytetarë me flamujt kombëtarë dhe të UÇK-së. Share Ora 15:20 Marshimi në Prishtinë për ish-krerët e UÇK, Nufi: Sot, shqiptaria marshon për ata që e deshën Kosovën të lirë Foto nga marshimiMinistri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka reaguar për marshimin në Prishtinë për ish-krerët e UÇK. Përmes një postimi në rrjetet sociale Nufi shprehet se ky marshim është për ata që sakrifikuan gjithçka për një ideal më të madh se vetja!Postimi i plotë:Sot, shqiptaria krejt marshon për Lirinë. Marshon për ata që e deshën Kosovën të lirë! Marshon për ata që u ngritën në ditët më të vështira! Dhe marshon për ata që sakrifikuan gjithçka për një ideal më të madh se vetja!Me mijëra zëra bashkohen në Prishtinë për të kujtuar disa të vërteta që nuk mund të zhbëhen kurrën e kurrës: Se liria nuk është dhuratë; por është sakrificë, kujtesë e përgjegjësi! Se ata që luftuan për lirinë e Kosovës meritojnë respekt dhe dinjitet!Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë simbol i kësaj lufte për lirinë e merituar të Kosovës! Prandaj ky ‘MarshimPërLiri’ ulëret fort për dinjitetin dhe lirinë që duhet t'iu kthehen atyre sa më parë!Sepse rikthimi i dinjitetit dhe liria e tyre është mbi të gjitha respekt për të gjithë burrat e gratë që kanë sakrifikuar për idealin e lirisë së Kosovës! Kjo sakrificë sublime s'duhet të harrohet kurrë, por duhet të shkruhet me gërma të arta në kapitujt e një historie që të mos humbasë në zhurmën e ditës, por të shohë vetëm nga e ardhmja e ndritur - me respekt dhe dinjitet! Share Ora 15:01 Vajza e ish-komandantit të dënuar, Sali Mustafa-Calit: UÇK ishte domosdoshmëri historike, po mhen të godasin themelet e historisë Vajza e Sali Mustafa-Calit, Buna, të vetmit nga ish-komandantët i cili është dënuar me vendim të formës së prerë, tha para marshuesve se UÇK ishte domosdoshmëri historike, siç i ati shprehej. Ndërsa renditi masakrat e Serbisë ndaj popullit të Kosovës, ajo tha se mbeten të pastër para drejtësisë.Buna u shpreh se refuzon ta paralelizojë luftën e Kosovës për liri me dhunën dhe gjenocidin e xhelatëve serbë.“Sot jemi mbledhur këtu në emër të luftës sonë të pastër, të mbrojtjes së historisë sonë shumëvjeçare, në përpjekjen tonë të palëkundur për liri. Ditët po kalojnë, vitet po ndërrojnë, mendjet po kthjellohen dhe e vërteta po ndriçohet se UÇK nuk ka qenë rastësi, or domosdoshmëri historike. Një ushtri që u zgjua nga populli dhe krijoi uniformën e vet me të cilën nuk terrorizoi asnjë civil, nuk dhunoi e abuzoi me asnjë grua. Serbi na shkaktoi mbi 13 mijë viktima civile, vrau e masakroi 1400 fëmijë, abuzoi 20 mijë nëna e motra, zhduku 1500 bashkëqytetarë, dhimbjen e të cilëve, familjet e tyre nuk mund ta shuajnë. Kreu 400 masakra, varreza masive, dëme kolosale materiale. Hendeku është aq i madh sa drejtësia e vërtetë s’mund të barazojë kurrë ushtarët dhe çlirimtarët me xhelatët serbë! S’mund të barazojë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid. Para drejtësisë së vërtetë do të jemi gjtihmonë të pastër. Të hapësh me pazaret e Evropës luftën tonë është si të luash dorën e djallit. Ata po mhen të godasin themelet e lirisë sonë duke kryqëzuar ushtarët e lirisë. Disa edhe vdiqën që ne të gjallët që jemi këtu, të jetojmë me dinjitet. Ata njohën luftën dhe mbajtën lapsin, ashtu si edhe pushkën, sollën lirinë sepse e kishin përjetuar robërinë. Ata ishin njerëzit e duhur në momentin e duhur, në një histori 100 vjeçare të përpjekjeve për autonomi. Fjalimin tim dua ta përmbyll me thënien e babait tim: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme! Çlirimtarë, ju presim!”, përfi vajza e Sali-Mustafës. Share Ora 14:51 Kreu i PDK-së: Atyre që marrin vendimin, nga ky shesh ju themi mendoni për pasojat para se të vendosni më 16 shtator! Kreu i PDK-së, Bedri Hamza tha gjatë fjalës së tij se Kosova pret një vendim të drejtë më 16-shtator për ish krerët UÇK-së"Të dashur qytetarë Kosovës dhe anëembanë Shqipërisë, sot në këtë shesh nuk po shoh mijëra qytetarë, po shoh njerëzit që kanë mbajtur Kosovën gjallë në ditë të vështira. Sot nuk kemi ardhur vetëm për të marshuar, por Kosova mbron UÇK, kemi ardhur për të thënë se Kosova po pret drejtësi.Edhe tri ditë na ndajnë nga vendimi që lexohet në Hagë. Atyre që do marrin vendimin, sot nga sheshi i themi mendoni për pasojat para se të merrni vendimi. Një vendim i padrejtë është një dënim për Kosovën dhe padrejtësinë nuk e pranojmë sepse e kemi provuar.Jemi popull që kemi pritur lirinë, por liria nuk erdhi vetë. Sot ne jetojmë në shtetin tonë të lirë se kishte atdhetarë si Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe shumë burra e gra që dhanë jetën dhe sakrifikuan shumë për këtë vend.Historinë e Kosovë nuk e lejojmë që të rishkruhet. Prandaj kur preket UÇK ne ringrihemi. Ne nuk do të jemi në heshtje me flamurin dhe dinnjitetin tonë duke pritur drejtësi, por pa heshtje. Jemi këtu për të mbrojtur të tashmen e të ardhmen. Kosova po pret, Kosova do ta kundërshtojë çdo padrejtësi. Në 16 Kosova do të jëtë me sy te drejtësia dhe me zemër tek ata. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, të shpallen të pafajshëm”, tha Hamza. Share Ora 14:39 Marshimi për ish-krerët e UÇK, Gjini: Do t’i presim të lirë sepse ne jemi të lirë Kryetari i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Ardian Gjini, tha se ish-krerët e UÇK-së do t’i presin të lirë, ashtu si Kosova është sot e lirë.“Sot i flasim gjithë botës, i flasim njëri-tjetrit, miqve edhe armiqve, e sot armiqve po u flet populli i lirë i Kosovës: liri! Gjithkujt mund t’i flasim ndryshe por diçka e kuptojnë të gjithë: a e dini kundër kujt kanë luftuar këta, UÇK, 4 burra që sot s’janë të lirë por do të jenë të lirë se ne jemi të lirë? Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbushur kamionët frigoriferë me trupa të bashkëqytetarëve tanë, kanë luftuar kundër atyre që kanë dhunuar me mijëra gra, kundër atyre që me 4 dhjetor 1998 kanë vrarë fëmijët e vet për të na akuzuar neve! Si mund të ketë faj një popull, njerëz që e kanë marrë pushkën për liri? Çdokush që ka kapur pushkën për të luftuar për vendin e vet, meriton t’i ngresh kapelën. Ne jemi të lirë, do t’i presim të lirë. Kurrkush s’do ta ndotë tregimin tonë për liri!”, tha Gjini. Share Ora 14:27 ‘UÇK është amanet’, vajza e dëshmorit: Sot po gjykohet pjesa më e ndjeshme e historisë, duam drejtësi për çlirimtarët Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, nderoi në fjalimin e saj në “Marshin për Liri”, sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së. Ndërsa rrëfeu mungesën e babait gjatë rritjes, Liriona shprehu edhe krenarinë e të dhuruarit dy dëshmorë atdheut. “UÇK është amanet”, tha ajo.Ndërsa për vendimin që do të jepet më 16 shtator, Liriona u shpreh se po gjykohet pjesa më e ndjeshme e historisë dhe po tentohet të ndryshohet e vërteta.“Krahas dhimbjes u rrita edhe me krenarinë se familja ime luftës për liri i dha dy heronj: babain dhe xhaxhin Gursel. Ata nuk e zgjodhën luftën pse e deshën por u detyruan sepse Dardania, trualli më i vjetër ballkanik, nuk e duronte më robërinë. Kur unë dëgjoj fjalën UÇK nuk shoh vetëm 3 shkronja. Shoh babain e axhën, shokët e shoqet e tyre që nuk u kthyen kurrë, luftëtarët dhe luftëtaret që u kthyen me plagë në trup e zemër, nënat që nuk i panë bijtë, shoh fëmijët që u rritën me fotografitë e prindërve të tyre e shoh nënat tona që krahas mallit e dhimbjes u detyruan t’i marrin dy role për të na rritur dhe edukuar. Kur përmendet UÇK shoh një popull që në ditët më të vështira të historisë, më mirë të vdiste në këmbë se të jetonte i gjunjëzuar. UÇK ishte përgjigjja e një populli që me shekuj luftoi për liri. Para shtetit ishte sakrifica, para flamurit ishte gjaku dhe para lirisë ishin ata që luftuan pa e ditur se do të kthehen. UÇK nuk është slogan, politikë, është amanet. Sot, kaq vite pas luftës, pas gjithë sakrificave, disa prej luftëtarëve ndodhen në Hagë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sot po gjykohet pjesa më e ndjeshme e historisë. Sot po tentohet të ndryshohet e vërteta. Edhe pse nuk kemi sulmuar asnjë vend të botës, nuk dhunuam gra e fëmijë, vetëm luftuam agresorin, edhe pse gjithçka bëmë ishte të mbronim atdheun. Unë dua drejtësi për çlirimtarët! Kosova nuk ka nevojë për më shumë mure, ka nevojë për një urë që na bën të kuptojmë se interesi për atdheun duhet të tejkalojë çdo interes personal e partiak”, tha Liriona. Share Ora 14:21 Gucati: Kërkojmë drejtësi për ish krerët e UÇK-së, jo që historia e kombit tonë të rishkruhet Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati tha sot në fjalën e tij se ata kërkojnë një proces të paanshëm për ish krerët e UÇK-së.“Nuk jemi mbledhur për ta mbrojtur individin, por për ta mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për lirinë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e Kosovës. Kërkojmë një proces të paanshëm. Ishin aletatët tanë në ditët më të vështira kur populli luftonte për mbijetesë. Ne kërkojmë drejtësi jo që historia e kombit tonë të rishkruhet”, tha ai Share Ora 13:37 Marshimi për UÇK-në, qytetarët e Prizrenit drejt Prishtinës: Festë mbarëkombëtare, liderët do të lirohen, janë të pafajshëm! Qytetarë të shumtë nga Prizreni janë nisur drejt Prishtinës për t’iu bashkuar marshimit, e cila zhvillohet pak ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.Pjesëmarrësit thanë se udhëtimin drejt Prishtinës e shohin si një shprehje të mbështetjes dhe solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së, ndërsa theksuan rëndësinë që, sipas tyre, ka vendimi që pritet të merret më 16 shtator.Ata u shprehën të emocionuar përpara nisjes, duke thënë se presin që procesi të përfjë me një vendim të drejtë dhe që drejtësia të vihet në vend.“Ndiej emocione sepse është festë mbarëkombëtare. Presim me gëzim lirimin e krerëve të UÇK-së nga Haga. Data 16 është kulmi i manifestimit sepse ata do të lirohen, do të vijnë, janë të pafajshëm.”“Prizreni është mobilizuar dhe kemi mbi 15 autobusë. Presim që vendimi të jetë përfundimtar dhe liderët të lirohen nga një gjykim i padrejtë.”“Është marsh, mesazh që tregon se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e shenjtë, për liri”, thonë pjesëmarrësit.Protesta në Prishtinë pritet të mbledhë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, të cilët do të shprehin mbështetjen e tyre në prag të vendimit përfundimtar ndaj krerëve të UÇK-së. Share P.J/R.Xh/ReportTv.al prishtine Gjyqi ndaj UCK ne Hage hashim thaci rexhep selimi Jakup Krasniqi kadri veseli uck kosove marshim Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 77.8% Magjistratëve 16% Nuk e di 6.2% Vota total: 5819 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

