Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka deklaruar se mbështet në parim marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për huanë prej 302 milionë eurosh, e destinuar për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake, por kundërshton mënyrën se si mazhoranca synon ta ratifikojë atë në Kuvend. Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se opozita nuk do të marrë pjesë në seancën plenare të thirrur për këtë çështje, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën.
Sipas Bardhit, Kushtetuta përcakton qartë se Kuvendi nuk mund të votojë një projektligj më herët se një javë nga nisja e shqyrtimit të tij, ndërsa deputetëve ende nuk u është shpërndarë teksti i plotë i marrëveshjes dhe as relacioni shoqërues. Ai kritikoi edhe praktikën e ndjekur nga Kryesia e Kuvendit, sipas së cilës deputetët duhet të njihen me përmbajtjen e marrëveshjes vetëm përmes një leximi të organizuar brenda ambienteve të Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një praktikë poshtëruese dhe në kundërshtim me statusin kushtetues të deputetit.
Bardhi theksoi se opozita është pro marrëveshjes me SHBA-në, por kërkon që fillimisht të njihet me tekstin e plotë të saj, në mënyrë që deputetët të votojnë të informuar. Ai shtoi se opozita i ka garantuar Kryetarit të Kuvendit se do ta mbështesë marrëveshjen menjëherë pasi të respektohen procedurat kushtetuese. Sipas PD-së, ratifikimi duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, ndaj është propozuar që marrëveshja të votohet në seancën plenare të së premtes, më 31 korrik 2026.
DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD-së, GAZMENT BARDHI
Po marrëveshjes me SHBA!
Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament!
Ky është qëndrimi i opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, për marrëveshjen e huasë prej 302 milionë eurosh që Shqipëria merr nga SHBA për financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake.
Seanca plenare e planifikuar për sot, në orën 15:00, është thirrur në kundërshtim me Kushtetutën, e cila përcakton qartë se Kuvendi nuk mund të votojë një ligj më herët se një javë nga momenti i fillimit të shqyrtimit të tij.
Rasti konkret është edhe më flagrant, pasi deputetëve ende nuk u është shpërndarë teksti i marrëveshjes për të cilën ftohen të votojnë, madje as relacioni shoqërues i projektligjit të paraqitur nga Qeveria.
Praktika e vendosur nga Kryetari i Kuvendit, sipas së cilës deputetët duhet të njihen me tekstin e marrëveshjes përmes një leximi në grup, brenda ambienteve të Kuvendit, është poshtëruese dhe bie ndesh me statusin kushtetues të deputetit. Kuvendi ka detyrimin t’u vërë në dispozicion deputetëve të gjithë dokumentacionin parlamentar. Nëse është kërkuar që marrëveshja të mos bëhet publike, atëherë deputetët mund të angazhohen me shkrim për ruajtjen e konfidencialitetit të saj.
Megjithatë, shumica parlamentare refuzon ta ndjekë këtë praktikë, duke i kërkuar Kuvendit të votojë një marrëveshje me përmbajtje të panjohur për deputetët dhe pa u dhënë atyre mundësinë ta shqyrtojnë atë.
Për këto arsye, deklarojmë se nuk do të marrim pjesë në një seancë plenare të thirrur në kundërshtim me Kushtetutën.
Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se ky veprim antikushtetues i shumicës parlamentare është poshtërues për institucionin e Kuvendit, për deputetët e tij, si edhe për rëndësinë që mbart marrëveshja me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, Grupi Parlamentar i PD-së, në konsultim edhe me grupet e tjera parlamentare të opozitës, ia ka komunikuar me shkrim gjatë fundjavës Kryetarit të Kuvendit qëndrimin e tij dhe ka rënë dakord për sa vijon:
1. Opozita është PRO, në parim, marrëveshjes me SHBA-në.
2. Opozita kërkon të njihet me tekstin e plotë të marrëveshjes, duke respektuar të drejtën kushtetuese të çdo deputeti për të votuar i informuar. Menjëherë pasi të njihet me përmbajtjen e saj, opozita i ka garantuar Kryetarit të Kuvendit votën e saj PRO.
3. Opozita kërkon respektimin e procedurës kushtetuese të ratifikimit të marrëveshjes. Kuvendi nuk mund të injorojë Kushtetutën dhe të zhvlerësojë një marrëveshje me partnerin tonë strategjik – SHBA-në – duke ndjekur procedura të parregullta. Ratifikimi duhet të kryhet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Për këtë arsye, kemi propozuar që marrëveshja të miratohet, në respekt të afateve kushtetuese, në seancën plenare të së premtes, më 31 korrik 2026. Gjithashtu, kemi garantuar Kryetarin e Kuvendit për praninë tonë në atë seancë dhe për votën tonë PRO.
Këto kërkesa legjitime të opozitës, megjithëse u konsideruan të arsyeshme nga Kryetari i Kuvendit, u refuzuan nga shumica parlamentare, e cila po zbaton porosinë politike të Edi Ramës për të poshtëruar Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për të cenuar të drejtat kushtetuese të deputetëve dhe për të vënë në diskutim kushtetutshmërinë e ratifikimit të një marrëveshjeje me partnerin tonë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Gazment Bardhi PD

