Rreth 10 kilometra rrugë e amortizuar prej dekadash është kthyer në shqetësimin kryesor për banorët e Çërrilës në Mallakastër. Banorët thonë se, pavarësisht ankesave të vazhdueshme ndër vite, nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje për rehabilitimin e rrugës, ndërsa gjendja e saj ka sjellë izolimin e Çërrilës dhe disa fshatrave të zonës.Lexo edhe:Mjegull e dendur mbulon ultësirën e Krujës, vështirësi në qarkullim Mungesa e infrastrukturës ka ndikuar edhe në jetën e fshatit. Shkolla është mbyllur prej rreth 20 vitesh, ndërsa largimi i të rinjve ka bërë që sot në Çërrilë të kenë mbetur vetëm rreth 20 familje, kryesisht të moshuar. Rruga e amortizuar vështirëson edhe transportin e prodhimeve bujqësore, veçanërisht të ullirit. Banorët shprehen se shpesh detyrohen t’i transportojnë prodhimet në krahë, ndërsa për hyrjen e automjeteve në zonë duhet të paguajnë deri në 5 mijë lekë. Sipas Bashkisë Mallakastër, pritet të nisin së shpejti procedurat për fazën e parë të rehabilitimit të segmentit Kapaj-Selitë, me gjatësi rreth 3.5 kilometra. Për banorët, ndërhyrja në rrugë është jetike për të shmangur braktisjen përfundimtare të Çërrilës.

