E ftuar në një lidhje me Skype në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, mjekja shqiptare në Gjermani, Aurora Dollenberg, ka deklaruar se në Shqipëri ekzistojnë vatra të mushkonjës anofele, mbartëse e parazitit të malaries, kryesisht në ish-zonat kënetore të Maliqit, Korçës dhe Liqenit të Shkodrës. Ajo tha se herë pas here evidentohen raste të izoluara të sëmundjes, ndërsa theksoi se fokusi duhet të jetë te mushkonjat dhe jo te njerëzit që vijnë nga vendet ku malaria është e përhapur.Lexo edhe:Çfarë po ndodh me personat që përdorin barna për dobësim? Studimi zbulon një problem shqetësues Dollenberg sqaroi se malaria nuk transmetohet përmes përqafimeve, puthjeve apo kontakteve të zakonshme, por përmes pickimit të mushkonjës së infektuar. Pjesë nga intervista: Anofele është mushkonja specifike që është mbartëse e parazitit të malaries dhe e ka një ndër pikat e banimit të saj në mbarë Europën, edhe Shqipërinë. Si jo më kot kemi pasur zonat kënetore, ish-kënetore, ku ka qenë fokusi i malaries, qoftë në zonën e ish-Maliqit, kënetat në Korçë ose në Liqenin e Shkodrës e të tjera. Pra, kemi dhe ne disa fokuse të anofeles në Shqipëri, që herë pas here çojnë në këto raste të izoluara të malaries në vitet e fundit. Nuk janë asnjëherë njerëzit shpërndarës të malaries, prandaj fokusi te kjo mushkonjë. Me të vërtetë, këtu në Gjermani kemi pasur dhe mushkonja që kanë qenë pasagjerë ilegalë, që kanë fluturuar nga vendet e Afrikës, nga Azia dhe kanë ardhur në Frankfurt. Ne vetëm këtë shtator kemi pasur 2 të vdekur nga punonjësit e infektuar në aeroportin e Frankfurtit, sepse edhe mushkonjat mund të udhëtojnë me avion. Kështu që nuk e di nëse në aeroportin e Tiranës kanë ardhur pasagjerë të tillë me malarie. Është i nevojshëm pickimi i mushkonjës, kontakti i drejtpërdrejtë i gjakut të infektuar me malarie, që të kemi infektim të njerëzve të tjerë. Kontaktet thjesht trupore, përqafimet, puthjet e të tjera me radhë me persona të cilët mund të jenë madje edhe mbartës të malaries, nuk mund t'i infektojnë të tjerët. Këtu heqim çdo lloj frike ose paniku, sepse patjetër ka shumë punonjës të fushës, qoftë të gastronomisë, të shpërndarjes, nga Bangladeshi, nga zona të tjera të njohura, zona tropikale që dihet që janë fokuse të malaries, por s'kemi nevojë të kemi frikë prej tyre.

