Konfirmimi i një rasti me malarie në Shqipëri ka rikthyer vëmendjen te kjo sëmundje infektive, e cila prej vitit 1967 nuk qarkullon më në mënyrë endemike në vendin tonë. Edhe pse rastet e raportuara vitet e fundit kanë qenë kryesisht të importuara, malaria mbetet një sëmundje që kërkon diagnostikim dhe trajtim të shpejtë.
Malaria shkaktohet nga parazitët e gjinisë Plasmodium dhe transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave femra të infektuara të gjinisë Anopheles. Sëmundja është më e përhapur në zonat tropikale dhe subtropikale, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane.
Si transmetohet malaria?
Mënyra kryesore e infektimit është pickimi i mushkonjës që mbart parazitin. Pasi hyn në organizëm, paraziti kalon fillimisht në mëlçi dhe më pas prek rruazat e kuqe të gjakut.
Malaria nuk përhapet përmes kontaktit të zakonshëm mes njerëzve, si përqafimet, shtrëngimi i duarve, kollitja apo qëndrimi në të njëjtin ambient. Në raste të rralla, transmetimi mund të ndodhë edhe përmes transfuzionit të gjakut ose gjilpërave të kontaminuara.
Cilat janë simptomat?
Shenjat e para zakonisht shfaqen 10-15 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar, megjithëse kjo periudhë mund të ndryshojë.
Simptomat më të shpeshta përfshijnë: Temperaturë të lartë dhe ethe.
Të dridhura dhe djersitje.
Dhimbje koke dhe muskujsh.
Lodhje dhe dobësi trupore.
Të përziera, të vjella dhe diarre. Nëse nuk trajtohet në kohë, sëmundja mund të shkaktojë komplikacione serioze, si anemi e rëndë, dëmtime të organeve, probleme me frymëmarrjen, konvulsione dhe çrregullime të vetëdijes.
Një ndër format më të rënda është ajo e shkaktuar nga paraziti Plasmodium falciparum, i cili mund të përparojë shpejt. Rrezik më të lartë për komplikacione kanë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar.
Si diagnostikohet dhe trajtohet?
Malaria zbulohet përmes analizave të gjakut, kryesisht me ekzaminim mikroskopik ose teste të shpejta që identifikojnë praninë e parazitit.
Diagnostikimi i hershëm është thelbësor për të shmangur komplikacionet. Sëmundja është e trajtueshme, ndërsa mjekimi përcaktohet nga lloji i parazitit, gjendja shëndetësore e pacientit dhe rezistenca ndaj medikamenteve. Për infeksionet me Plasmodium falciparum, rekomandohen kryesisht terapitë e kombinuara me bazë artemisininën.
Sa raste janë regjistruar në Shqipëri?
Malaria ka qenë dikur e përhapur në Shqipëri, por transmetimi endemik u ndërpre në vitin 1967, pas programeve të kontrollit dhe eliminimit të sëmundjes.
Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, të publikuar në buletinin e vitit 2023, gjatë periudhës 1962-2017 në Shqipëri janë konfirmuar 85 raste të importuara. Vetëm në vitet 2010-2017 janë regjistruar 43 raste.
Nga këto të fundit, 31 persona ishin infektuar në Guinenë Ekuatoriale, katër në Greqi, dy në Ganë, dy në Nigeri, ndërsa rastet e tjera lidheshin me udhëtime në Kamerun, Çad, Liberi dhe Ugandë.
Edhe në buletinin e ISHP-së për majin 2025 është raportuar një rast me Plasmodium falciparum, te një mashkull 53-vjeçar i ardhur nga Italia.
Këto të dhëna tregojnë se rastet e evidentuara në vend kanë qenë kryesisht të lidhura me udhëtimet drejt zonave ku sëmundja vazhdon të qarkullojë.
A rrezikon malaria të përhapet në Shqipëri?
Konfirmimi i një rasti nuk nënkupton automatikisht se malaria do të përhapet në popullatë. Sëmundja nuk transmetohet drejtpërdrejt nga një person te tjetri, por kërkon ndërmjetësimin e mushkonjave të infektuara.
Për këtë arsye, identifikimi i rasteve, hetimet epidemiologjike dhe monitorimi i mundësisë së transmetimit lokal janë masa të rëndësishme për të parandaluar përhapjen e saj.
Si mund të mbrohemi?
Rreziku është më i madh për personat që udhëtojnë drejt vendeve ku malaria është e përhapur. Për këtë arsye, rekomandohen disa masa parandaluese: Përdorimi i preparateve kundër mushkonjave.
Fjetja nën rrjeta të trajtuara me insekticid.
Veshja e rrobave që mbulojnë krahët dhe këmbët.
Konsultimi me mjekun për medikamente parandaluese përpara udhëtimit në zona endemike. Malaria është një sëmundje e parandalueshme dhe e trajtueshme, por diagnostikimi i vonuar mund të sjellë pasoja të rënda. Për këtë arsye, personat që kthehen nga zona ku sëmundja është e përhapur dhe shfaqin temperaturë apo simptoma të ngjashme duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor.

