Një qytetar nga Durrësi ka kontaktuar redaksinë tonë për të denoncuar një gjobë të marrë nga Policia Rrugore më 9 shtator 2026.
Ai ka treguar se ndaj tij është vendosur një gjobë prej 5 mijë lekësh të reja, i janë hequr 6 pikë nga patenta dhe i është pezulluar leja e drejtimit për një muaj.
Por qytetari thotë se automjeti për të cilin është marrë masa nuk është në gjendje pune dhe nuk është përdorur prej rreth dy vitesh. Ai thotë se makina ndodhet e parkuar në një servis në Sukth dhe prej kohësh nuk është vënë në lëvizje.
“Makina ka dy vjet pa taksa dhe e kam parkuar në një servis në Sukth. Nuk është në gjendje pune. Ua vërtetoj edhe me video. E ka mbuluar bari dhe nuk ndizet fare”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.
Ai kërkon që rasti të verifikohet nga autoritetet dhe të sqarohet nëse masa e marrë ndaj tij është e bazuar në rrethanat konkrete të automjetit apo ka ndodhur ndonjë “ngatërresë”, siç ndodh rëndom kohët e fundit.
Redaksia mbetet e hapur për një reagim nga Policia Rrugore lidhur me këtë rast.

