Lajme Zone
‘Majmuni’ i akuzuar për vrasjen e italianes: E la para spitalit dhe tentoi të arratisej në Shqipëri
SportJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

‘Majmuni’ i akuzuar për vrasjen e italianes: E la para spitalit dhe tentoi të arratisej në Shqipëri

Gjykata e Barit ka konfirmuar masën e arrestit ndaj 42-vjeçarit shqiptar Elvis Metvelaj, i dyshuar për vrasjen e partneres së tij, 46-vjeçares Ornella Forastefano. Vendimi bën që ai të qëndrojë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen i janë besuar Prokurorisë së Castrovillarit.

Gjykata e Barit ka konfirmuar masën e arrestit ndaj 42-vjeçarit shqiptar Elvis Metvelaj, i dyshuar për vrasjen e partneres së tij, 46-vjeçares Ornella Forastefano. Vendimi bën që ai të qëndrojë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen i janë besuar Prokurorisë së Castrovillarit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të 16 gushtit në Trebisacce, në Kalabri. Rreth orës 03:00, Forastefano u dërgua para spitalit të qytetit me plagë të rënda dhe trauma në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët e morën menjëherë në urgjencë dhe tentuan ta shpëtonin, por 46-vjeçarja nuk mundi t’u mbijetonte dëmtimeve.

Pas ngjarjes, vëmendja e hetuesve u përqendrua te partneri i saj, i cili ishte larguar nga vendi. Ndërsa karabinierët po rindërtonin lëvizjet e tij, Metvelaj kishte udhëtuar drejt Barit. Ai u arrestua në qytetin port, teksa dyshohet se po përgatitej të hipte në tragetin me destinacion Shqipërinë, vetëm disa orë pas ngjarjes.

Sipas RAI, Metvelaj ishte i njohur më herët për autoritetet italiane për precedentë penalë të lidhur me drogën. Ai dhe Forastefano raportohet se kishin bashkëjetuar prej rreth një viti.

Kush ishte Ornella Forastefano

Ornella Forastefano drejtonte një bar në qendër të Trebisacces, së bashku me dy djemtë e saj. Mediat italiane kanë raportuar se ajo ishte motra e Domenico Forastefanos, i konsideruar një prej figurave historike të klanit ‘Ndrangheta në zonën e Sibaritide.

Edhe babai i saj, Antonio Forastefano, ishte vrarë në vitin 1999, teksa dilte nga biznesi i tij në Marina di Sibari. Megjithatë, Prokuroria e Castrovillarit ka bërë të ditur se deri tani nuk janë gjetur elemente që e lidhin vrasjen me historinë e familjes së viktimës. Hetuesit po ndjekin të gjitha pistat dhe nuk kanë përjashtuar asnjë mundësi.

Ndëkohe emri i Elvis Metvelajt ishte shfaqur edhe më herët në një dosje të rëndësishme të trafikut të drogës në Kalabri. Në vitin 2013, mediat italiane raportuan se ai ishte mes personave nën hetim në një grup prej rreth 20 të dyshuarish për trafik ndërkombëtar narkotikësh. Në atë kohë, Metvelaj ishte 24 vjeç, banonte në Trebisacce dhe njihej me pseudonimin “Majmuni”.

Në të njëjtën dosje ishte përfshirë edhe këngëtarja lirike shqiptare Liljana Kondakçi, e cila u dënua në Itali me 2 vjet e 8 muaj burg për transport droge. Sipas raportimeve të kohës, Kondakçi njihej me nofkën “Mamaja”, ndërsa autoritetet dyshonin se grupi drejtohej nga Fisnik Smajlaj. Kondakçi i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Mbi 13 vite pas atij hetimi, emri i Elvis Metvelajt është rikthyer në qendër të vëmendjes së autoriteteve italiane. Këtë herë, ai po hetohet për një nga akuzat më të rënda: vrasjen e partneres së tij.