Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se kërcënimi nga sulmet hibride ruse ndaj Europës dhe Francës është rritur gjatë javëve të fundit.
Në një konferencë për mediat në Pallatin Élysée, Macron tha se kishte urdhëruar hartimin e një plani për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si edhe të objekteve të industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë, nga sulmet me dronë dhe ato kibernetike.
“Gjatë javëve të fundit, kërcënimi hibrid rus ndaj europianëve dhe ndaj Francës është intensifikuar”, deklaroi Macron, duke shtuar se synimi i këtyre veprimeve është intimidimi dhe dobësimi i mbështetjes europiane për Ukrainën.
Sipas tij, Franca ka qenë objektiv i sulmeve hibride ruse gjatë javëve të fundit dhe këto veprime nuk do të mbeten “pa përgjigje”.
Me termin “luftë hibride” përfshihen një sërë metodash që nuk lidhen drejtpërdrejt me përballjen ushtarake, si sulmet kibernetike, sabotazhi dhe fushatat e dezinformimit, të cilat synojnë të ushtrojnë presion politik, ekonomik apo shoqëror ndaj një shteti.
Macron përmendi edhe sulmin e muajit të kaluar me dron ndaj aeroportit të Leipzigut në Gjermani, për të cilin është fajësuar Rusia, si dhe deklaratat e kryeministrit polak Donald Tusk, i cili ka paralajmëruar për një rrezik real të sulmeve me dronë dhe raketa ndaj vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën.
Tusk u shpreh se Moska mund të tentojë më pas t’i paraqesë sulmet si “aksidentale”, me synimin për të krijuar përçarje brenda aleancës.
Ndërkohë, një dron rus goditi të dielën një tren pasagjerësh pranë kufirit Ukrainë-Poloni. Sipas autoriteteve ukrainase, pasagjerët ishin evakuuar pak minuta para goditjes, e cila preku lokomotivën e trenit.
Rusia ka mohuar vazhdimisht se ka në plan të sulmojë Europën. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, megjithatë, ka paralajmëruar vendet europiane se dërgimi i trupave në Ukrainë do të konsiderohej nga Moska si një shpallje lufte.
Në të njëjtën dalje, Macron foli edhe për sigurinë energjetike. Ai njoftoi se Franca do të kërkojë një takim të vendeve të G7 për të diskutuar situatën energjetike, rezervat e gazit dhe mundësinë e përdorimit të rezervave strategjike nëse do të jetë e nevojshme.

