Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka bërë thirrje që deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, me qëllim të konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë.Para hyrjes në objektin e Kuvendit, Kryeziu-Hyseni ka folur edhe për ndryshimin e qëndrimit të LVV-së lidhur me votimin e Vlora Çitakut dhe Kujtim Shalës për nënkryetarë të Kuvendit. Ajo ka thënë se vendimi për t’i mbështetur dy kandidatët është marrë pas diskutimeve brenda grupit parlamentar të LVV-së, me qëllim të zhbllokimit të procesit të konstituimit.“Uroj që të ndërrojnë qëndrim partitë opozitare dhe të procedojmë tutje me procesin e konstituimit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, njëjtë sikur ka vepruar në këto dy vitet e fundit, ka lëvizur për t’i kontribuar zhbllokimit të situatës, e cila ka ndodhur si rezultat i bllokadës së vazhdueshme të këtyre partive opozitare”, ka deklaruar ajo.Kryeziu-Hyseni ka thënë se pret që deputetët e opozitës të jenë të pranishëm në seancën e sotme, duke iu referuar edhe obligimeve që, sipas saj, dalin nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.“Shpresoj që sot deputetët të paraqiten në seancë. Fundja, sipas aktgjykimit është obligative që ata të marrin pjesë në votim dhe të konstituojmë Kuvendin dhe të vazhdojmë tutje me proceset e radhës”, është shprehur ajo.Ajo ka sqaruar se brenda grupit parlamentar të LVV-së ka pasur diskutime lidhur me emrat e propozuar nga PDK-ja dhe LDK-ja.“Në grupin tonë parlamentar ka pasur diskutime sa i përket emrave që janë propozuar prej dy partive politike. Kështu që kryesia e LVV-së ka vendosur që këta dy emra të mbështeten, që mos të vazhdohet tutje bllokada”, ka thënë Kryeziu-Hyseni. /Telegrafi/

