Lajme Zone
“Lutu për babin tim dhe mjafton”: Nëna kërkon të gjejë djalin që e ndihmoi
Të tjeraJOQ Albania

“Lutu për babin tim dhe mjafton”: Nëna kërkon të gjejë djalin që e ndihmoi

Një mesazh i veçantë falenderimi ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë për një të ri që një qytetare e takoi rastësisht në një prej momenteve më të vështira për të.

Një mesazh i veçantë falenderimi ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë për një të ri që një qytetare e takoi rastësisht në një prej momenteve më të vështira për të.

Ajo tregon se ndodhej në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë me djalin e saj, i cili kishte temperaturë shumë të lartë, rreth 41 gradë. Në atë moment, një djalë që i tha se ishte nga Tropoja u afrua dhe e ndihmoi me të birin.

Sipas qytetares, ai e ndihmoi jashtëzakonisht shumë në atë moment, pa i dhënë rëndësi asaj se sa mund t’i kushtonte ndihma e tij. Madje, ajo tregon se djali nuk e la as ta falënderonte siç duhet.

Gjatë bisedës, djali i kishte treguar se kishte edhe vetë një hall të madh mbi supe. Babai i tij ishte i sëmurë dhe, sipas asaj që ai i kishte rrëfyer, ishte i shtruar në spital. Për këtë arsye, i duhej të udhëtonte shpesh drejt Tropojës.

“Dje e kishte nisur për Tropojë babin, sepse e kishte të shtruar në spital dhe e kishte me sëmundje ishemike cerebrale”, shkruan qytetarja në mesazhin e saj.

Por ajo që i ka mbetur më shumë në mendje është fjalia me të cilën ai u largua.

“Nuk më dha asnjë kontakt. Thjesht më tha: ‘Lutu për babin tim dhe mjafton’.”

Tani, qytetarja ka vetëm një dëshirë: ta gjejë atë djalë, ta falënderojë për ndihmën që i dha në një moment kur ishte e shqetësuar për djalin e saj dhe, mbi të gjitha, ta pyesë për babain e tij: A është mirë?

Përmes këtij mesazhi, ajo shpreson që djali ta shohë këtë publikim dhe ta kuptojë se bëhet fjalë për të.

Për të, ndihma që mori në një moment aq të vështirë nuk ishte një gjest i vogël. Ajo nuk e ka harruar dhe tani dëshiron vetëm ta gjejë, ta falënderojë siç duhet dhe ta pyesë për babain e tij.

Nëse dikush e njeh djalin nga Tropoja që ndodhej dje në QSUT dhe e ndihmoi këtë nënë me të birin, ajo do të dëshironte shumë të kishte mundësi të lidhej me të.