Drejtuesit e futbollit evropian po shqyrtojnë mundësinë e kandidimit të presidentit të Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaifi, për postin e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Lëvizja vjen mes pakënaqësive ndaj planit të Gianni Infantinos për të shitur një pjesë të të drejtave komerciale të Kupës së Botës investitorëve privatë.
Sipas mediave ndërkombëtare, UEFA do të zhvillojë një mbledhje urgjente me 55 federatat anëtare për të diskutuar një qëndrim të përbashkët ndaj propozimit të FIFA-s. Mes opsioneve që pritet të diskutohen është edhe mundësia e një bojkoti të Kupës së Botës së ardhshme.
Burime të larta të futbollit ndërkombëtar bëjnë me dije se emri i Al-Khelaifit është përmendur në bisedimet mes drejtuesve evropianë si një kandidat serioz për të sfiduar Infantinon, i cili synon një mandat të tretë të plotë në krye të FIFA-s.
Al-Khelaifi është president i klubit francez Paris Saint-Germain, drejton Shoqatën Evropiane të Klubeve (ECA) dhe është një nga figurat më me ndikim në industrinë e sportit, duke qenë edhe në krye të grupit mediatik beIN Media.
Megjithatë, një përfaqësues i Al-Khelaifit mohoi zërat për një kandidim të mundshëm.
“Nasser nuk ka asnjë ambicie, asnjë synim dhe asnjë interes për postin e presidentit të FIFA-s. Ai do të vazhdojë të mbështesë në mënyrë diskrete institucionet e futbollit botëror dhe evropian”, deklaroi përfaqësuesi i tij.
Debati është përqendruar te projekti i ri i FIFA-s, i cili parashikon krijimin e kompanisë FIFA Forward Enterprise për menaxhimin e të drejtave komerciale të garave të organizuara nga FIFA, përfshirë të drejtat televizive, sponsorizimet, biletat dhe licencimet.
Sipas planit, 20% e kësaj kompanie do t’u shitet investitorëve privatë, duke e vlerësuar biznesin në rreth 20 miliardë dollarë. FIFA argumenton se kapitali i ri do të përdoret për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit në të gjithë botën, ndërsa federatat anëtare do të përfitojnë fonde shtesë nëse miratojnë projektin.
Propozimi ka shkaktuar reagime të forta në Evropë, ku disa drejtues dhe politikanë kanë shprehur shqetësime për ndikimin që mund të kenë investitorët privatë në qeverisjen e futbollit botëror.
Në qendër të kritikave ka qenë edhe marrëdhënia e afërt e Gianni Infantinos me Presidentin amerikan Donald Trump. Top Channel

