SHQIPËRI– Në vend gjatë orëve të fundit raportohen 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive, 2 janë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht. Në Gurë-Lurë, situata vijon të paraqitet si më problematike, ku janë pozicionuar edhe numri më i lartë i forcave zjarrfikëse, efektivëve të Forcave të Armatosura, asaj bashkiake, dhe vullnetarë.
Operacioni për shuarjen e flakëve në parkun kombëtar, po mbështetet dhe nga dy avionë “Air Tractor”. Megjithatë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata paraqitet nën kontroll, dhe flakët nuk rrezikojnë banesat.
Në periferi të Tiranës gjithashtu është larguar rreziku nga banesat, por për shkak të përhapjes që morën flakët dhe terrenit të vështirë vatra në zonën Priskë-Gurrë-Farkë-Lundër nuk është shuar plotësisht. Helikopterët po punojnë për neutralizimin e saj. Ndërsa ajo në Selitë të Dajtit u izolua paraditen e të premtes. Në lagjen “Abaze” në Krujë me ndërhyrjen nga ajri të një dite më parë është arritur që zjarri të vihet në kontroll. Ndërsa në Bojë, Krastë dhe Halil nuk ka më vatra aktive.
Operacioni për shuarjen e zjarrit vijon në fshatrat Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës të Elbasanit, në një terren pyjor në qafën e Helmës në Bulqizë, në një terren të vështirë në Nëmërçkë e Dhëmbel të Përmetit dhe në Tropojë.
Në Moravë situata është nën kontroll. Gjithashtu dhe në Dhrovjan të Finiqit, në Rrencë dhe Goraj-Budishtë të Shkodrës. Ndërsa në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut po favorizojnë normalizimin e situatës. Në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet

