Prej datës 10 shkurt 2025 Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është nën masën e sigurisë “arrest me burg” si i dyshuar për konsumimin e pesë veprave të renda penale, që përfshijnë korrupsionin pasiv, pastrimin e parave etj.. Në këtë sipërmarrje me drejtësinë kryebashkiakut Veliaj i duhet të përballet me hedhjen poshtë të 13 akuzave të renda penale të ngritura ndaj tij nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
SPAK e akuzon Erion Veliajn për përrfshirjen në 9 raste në korrupsion pasiv, për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash), për mosdeklarim, deklarim të rremë e fshehje të pasurive. SPAK e akuzon kryebashkiakun e burgosur edhe për shpërdorim të detyrës, futje/mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burg. Që nga dita e parë e arrestit me burg Erion Veliaj ka ngritur pretendimin se është i pafajshëm dhe se ndalim-arrestimi i tij është i pameritueshëm. Për këtë akt të paprecedent në historinë shqiptare, fillimisht, kryebashkiaku Veliaj e zbrazi karikatorin e pisqollës së tij ndaj prokuror-hetuesit të çështjes Olsi Dado.
Prokurorin Dado, Erion Veliaj e sulmoi nën pretendime fëmijërore, pa sjellë asnjë fakt kompromentues, përveç fjalëve boshe të shpërndara masivisht nga mediat në shërbim të tij. Sipas Erion Veliajt prokurori Dado kishte kërkuar një shtesë leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, kjo kërkesë i ishte refuzuar, ndaj dhe prokurori ishte hakmarrë etj.,etj. Megjithëse nga zbrazja e karrikatorit të pisqollës së Veliajt, ndaj prokurorit Dado, kanë kaluar muaj të tërë ende sot e kësaj dite Kryebashkiaku me 13 akuza e pesë vepra të renda penale nuk e ka paraqitur faktin që mbështet pretendimin e tij rreth hakmarrjes së prokurorit Dado. Gjithë nën këtë ombrellë të çpuar mbrojtjeje Erion Veliaj ka deklaruar gojarisht e avokatisht se i gjithë procesi ndaj tij është ngritur në "errësirë", pa sjellë asnjë fakt përmbysës. Në këtë raport të tij me drejtësinë i dukshëm është fakti se Kryebashkiaku i kryeqytetit, Erion Veliaj, gjendet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, se ndaj tij rëndojnë 13 akuza, pesë nga të cilat boll të renda, se ai nuk ka sjellë asnjë fakt që të ndriçojë “errësirën” e pretenduar të procesit të ndërmarrë nga prokurori i SPAK-ut Olsi Dado.
Akuzat e SPAK e rëndojnë bollshëm figurën e Kryebashkiakut të kryeqytetit , i cili nëse vërtetë do të ndjehej i pafajshëm, sikurse vijon të pretendojë, do të ishte tejet i interesuar ti lante një orë e më parë duart me drejtësinë. Koha e kaluar nga data e dhënies së masës së arrestit të tij me burg, pra 10 shkurti 2025, deri më sot ka qenë boll e mjaftueshme për ta zgjidhur gjyqësisht “hakmarrjen” e pretenduar të kryebashkiakut Veliaj. Mirëpo në vend të sheshit të mejdanit juridik gjyqësor i rëndakuzuari Veliaj ka zgjedhur të luaj lojën e pamoralëshme me drejtësinë. Duke gjetur sebepe e sajuar marifete për t’ju shmangur gjykimit, rrjedhimisht dhe marrjes së “pafajësisë” së pretenduar.
Shtyrja e seancave gjyqësore të Gjykatës së Posaçme, duke sajuar faktorë proceduralë, shëndetësorë, si dhe taktikat e mbrojtjes janë mekanizmat që vonojnë përballjen e Veliajt me GJKKO. Herë mungesa e avokatëve mbrojtës e ndryshimi i tyre, herë mosparaqitja e tyre për arësye shëndetësore, apo për shkak të mospërputhjes së agjendave, e kanë zvarritur procesin gjykues. Çuditshëm, në vend të pjesëmarjes një orë e më parë në gjykimin e çështjes Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet fizikisht në jo pak seanca. Ai ka kontestuar kushtet e sallës së gjyqit, duke kërkuar specifikisht e pakuptueshmërisht heqjen e kafazit prej xhami si kusht për të marrë pjesë në procese ( a thua se kafazi i xhamit është palë me prokurinë SPAK).
Kalvarin e strategjisë së lojës zvarritëse i rendëakuzuari Veliaj e nisi që në fillim të seancave gjyqësore paraprake, ku avokatët e tij mbrotës kërkuan shtyrjen e tyre me argumentin se u duhej më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen voluminoze të SPAK-ut. Po ashtu, prej tyre u kërkua që klientit Veliaj t’i mundësohej leximi i materialeve përmes një laptopi në ambientet e paraburgimit. Duke mos i rreshtuar të gjitha manovrat që bashkohen në të njejtën pikë: mbajtjen pezull të gjykimit të dosjes me 13 akuza, pesë nga të cilat boll të renda, le të ndalemi tek episodi më i fundit i transferimit të vip të burgosurit Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit në të Fierit dhe pretendimet e tij të hakmarrjes politike. Në vijim të lojës me drejtësinë edhe transferimin nga njera IEVP në tjetrën Veliaj e etiketon si “rrëmbim”, duke rikthyer serialin e debatit mediatiko-politik. Karburanti që i ndezi edhe më flakët politike është një ditar-letër e të paraburgosurit Erion Veliaj që pretendon se transferimi, si edhe arrestimi i tij janë bërë me urdhër politik, duke lenë të nënkuptuar kryeministrin Edi Rama. Qëllimi i këtij seriali të ri synon shpalljen e tij “i burgosur politik”, status ky që i vlen të ardhmes së tij politike. Kjo dhe denoncimi i një vizite blic të Ministrit të Drejtësisë në IEVP e Fierit, sipas të paraburgosurit Veliaj: për ti komunikimin një mesazhi të Edi Ramës, e kërkesa e hetimit të rrethanave të kësaj vizite, kanë krijuar ngatërresa të reja ligjore që do të ndikojnë në mbarëvajtjen e seancave deri më sot të dështuara të GJKKO. Që si kundërpërgjigje, ndaj lojës së kryebashkiakut të Tiranës, për disa raste, ka vendosur pezullimin e afateve të paraburgimit. Në mënyrë që afatet ligjore të mos digjen, nga loja e shtyrjeve të shkaktuara prej strategjisë mbrojtëse të Erion Veliajt. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

