TIRANË- Në Kuvend kalon sot për votim drafti i PS për hartën e re territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin. Opozita e ka kundërshtuar ashpër draftin e PS, duke thënë se po kalon në mënyrë të njëanshme dhe synon shpopullimin e Shqipërisë. PD ka thirrur demokratët në protestë, ndërsa në anën tjetër janë mbledhur edhe protestuesit e “Revolucionit Flamingo”. Para nisjes së seancës, kryeministri Edi Rama mblodhi të tijtë në mbledhje grupi, ku mungoi Belinda Balluku. Deputeti Vullnet Sinaj mësohet se ka ndryshuar qëndrim dhe në mbledhje ka votuar pro. Tashmë pritet që të shihet edhe qëndrimi i Erion Braçes në seancë. Por, me votën pro të Sinajt dhe 3 votat e PSD-së së Tom Doshit, PS do t’i arrinte 84 votat për miratimin e reformës. LEXO edhe...Rrëzohet kërkesa e PD për debat mbi Vlora Hysenin, Berisha: U emërua me rekomandim të Vuçiçit! Balla: Hetimin ta bëjë SPAK, ndalni sulmet ndaj drejtësisë Veç këtyre zhvillimeve, rendi i ditës është mjaft i ngjeshur, me 4 interpelanca, një me kërkesë të PD për ministrin e Brendshëm lidhur me proporcionalitetin e reagimit të policisë ndaj protestuesve. Dy të tjera, një e kërkuar nga socialisti Ermal Pacaj dhe një nga kreu i grupit të PL, Tedi Blushi, i drejtojnë pyetje ministrit Enea Karakaçi për autostradën Milot-Balldre dhe TEC-et lundruese në Vlorë, ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 3.’ Blushi ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave për uljen e çmimeve të produkteve bazë dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse. Në rend dite janë parashikuar edhe 8 projektligje të tjera veç ‘Territoriales’, si dhe 2 projektvendime, një prej tyre për ngritjen e një komisioni hetimor për ‘KAYO’. Lajm në përditësim... Ora 11:12 Reforma territoriale, Balla: Dakordësinë e morëm nga qytetarët më 11 maj, sot do ta votojmë! Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se socialistët e kanë marrë miratimin e qytetarëve për reformën territoriale në zgjedhjet e 11 majit, pasi ishte pjesë e programit të tyre elektoral. Balla theksoi se drafti do të votohet sot, ndërsa ftoi opozitën të pranojë ngritjen e një komisioni të posaçëm për kompetencat që do t'u transferohen bashkive."Ne e kemi marrë dakordësinë më 11 maj, se kjo pikë ka qenë pika e parë e programit tonë, Shqipëria 2030. Shqiptarët na dhanë 83 mandate për ta çuar përpara këtë reformë. Ftesa ime nuk është të mos diskutojmë. Ne do ta diskutojmë dhe do ta votojmë sot këtë pikë të rendit të ditës. Ftesa ime është t'i përgjigjeni ofertës që ju bëra një javë më parë. Javën e ardhshme të ngremë Komisionin e Reformës Territoriale, jo për ndarjen, por për pjesën e kompetencave. Nëse qeshni, e sa herë ju kam parë të qeshni e të zgërdhiheni si sot, unë po ju them: keni një javë kohë që të mendoni, që të vini për pjesën e kompetencave.Kjo sot do të votohet. Deri të enjten tjetër mendohuni, bëni gati propozimet. Jemi gati t'u transferojmë bashkive të reja kompetenca, pasi sot ato bashki që shkrihen nuk i kryejnë këto funksione. Votojmë kundër kërkesës", tha Balla. Share Ora 11:09 Reforma territoriale, Tedi Blushi: Draft antikombëtar që synon shpopullimin e Shqipërisë, të tërhiqet urgjentisht Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi nga foltorja e Kuvendit tërheqjen e menjëhershme të draftit të PS-së për reformën territoriale. Blushi e cilësoi projektligjin antikombëtar dhe shpopullues, ndërsa tha se vota e çdo deputeti do të përcaktojë nëse ai është patriot apo tradhtar."Drafti antikombëtar, shpopullues, që gjoja e keni servirur si reformë territoriale. Sot është ditë historike, ku sytë e shqiptarëve janë drejtuar nga kjo sallë. Sot është dita kur çdo deputet do t'i vendosë damkën vetes, sepse çdo qëndrim dhe çdo votë e tij sot do të marrë një emër: patriot ose tradhtar.Kjo seancë sot ka vetëm një rend dite: tërheqjen urgjente të këtij projekti kriminal, që nuk synon asgjë tjetër veçse shkombëtarizimin dhe zhbërjen e Shqipërisë", tha Tedi Blushi. Share Ora 11:06 PD kërkon heqjen e reformës territoriale nga rendi i ditës, Berisha: Të shkojmë në referendum, qytetarët të vendosin PD-së kërkoi në Kuvend heqjen nga rendi i ditës të projektligjit për reformën territoriale, duke e cilësuar atë armiqësor ndaj qytetarëve. Kreu i PD, Sali Berisha propozoi mbajtjen e një referendumi, në mënyrë që të jenë qytetarët ata që vendosin.Sali Berisha: Në rast se ka mbetur një nanogram në thellësitë, në labirintet e ndërgjegjes suaj të mykur, një nanogram pro qytetarëve, detyrimeve që kemi ndaj tyre, hidheni poshtë këtë projekt si një projekt armiqësor ndaj tyre. Hidheni poshtë këtë projekt, për të cilin nuk ka qytetar shqiptar, i çdo bindjeje politike, që voton.Hidheni poshtë dhe të vendosim sot të shkojmë në referendum, të pyesim qytetarët për një proces madhor që, mbi të gjitha, ka të bëjë me jetesën e tyre aty ku janë, me shërbimet e tyre, me të ardhmen dhe zhvillimin e komuniteteve kudo që janë.Hidheni poshtë dhe të shkojmë në referendum me dy variante. Cilin variant të votojnë qytetarët, atë të votojmë dhe ta sanksionojmë këtu. Share Ora 10:44 Rrëzohet kërkesa e PD për debat mbi Vlora Hysenin, Berisha: U emërua me rekomandim të Vuçiçit! Balla: Hetimin ta bëjë SPAK, ndalni sulmet ndaj drejtësisë Socialistët kanë rrëzuar me 76 vota kundër kërkesën e PD për mocion me debat për arrestimin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni e akuzuar se ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin gjatë arratisë. Në fjalën e tij, kreu i PD akuzoi se Vlora Hyseni është vënë në krye të SHISH me rekomandim të ish-presidentit serb Aleksandër Vuçiç.“Shkelmin dhe të drejtën Kushtetuese. Në historinë 100 e ca vjeçare të shtetit shqiptar, implikimin direkt të shefes së Shërbimit në veprimtari kriminale me kartele më të rrezikshme të drogës nëpërmjet koordinatorit Ergys Agasi. Që ju të bllokoni një mocion të tillë, dëshmoni se çfarë jeni. Ju jeni anëtar të klubi Agasi, fakti që pranoni një vendim të tillë antikushtetues ju bën ju bashkëfajtor me padrionon në këtë akt. Vlora Hyseni u emërua këshilltare e Padrion me rekomandim të Aleksandër Vuçiç. U emërua pasi presidenti dhe qeveria e Kosovës, e shkarkuan si të padenjë. Vlora Hyseni ishte shërbëtore e armiqve të Shqipërisë, ky ishte kriteri që u emërua. Pas Emërimit, fluturimthi, shkoi në Beograd, do të ishte Beogradi kryeqyteti i parë që do vizitonte kjo drejtuese e SHISH. Që ku u emërua në atë detyrë, kontrollohej nga Ergys Agasi”, tha Berisha.Kreu i grupit të PS, Taulant Balla, argumentoi se hetimi i kësaj çështjeje është përgjegjësi e SPAK dhe jo e politikës. Ai akuzoi opozitën për qëndrime të dyfishta ndaj drejtësisë dhe u bëri thirrje që të ndalin sulmet ndaj prokurorëve, ndërsa theksoi se përgjegjësia penale është individuale dhe se çdo zyrtar duhet të përballet vetë me drejtësinë.“Informacionet të cilave u referoheni në kërkesë vijnë nga një hetim i SPAK. Më vjen mirë që, kur ua do interesi juaj politik, ju u referoheni informacioneve të SPAK. Është momenti që të ndani qëndrimin tuaj. SPAK është seksion i PS-së, siç tha udhëheqësi juaj në derën e SPAK, apo është një institucion që për ne është suksesi i reformës në drejtësi? Zotëria e quan seksion të PS-së dhe nuk po përmend fyerjet personale ndaj prokurorëve, përfshirë prokurorët që janë në këtë dosje. Kur prokurori më heton mua është... Ndërkohë që këtu, me hipokrizi, vjen dhe thotë: bazuar në informacionet e dosjeve.Ju thoni që debati duhet të hetojë dhe të nxjerrë veprimtarinë kriminale. Ne themi që SPAK duhet të nxjerrë veprimtarinë kriminale. Këtu ndahet bota e dikurshme, para vitit 2016, kur votuam reformën në drejtësi. "Ti je hajdut, ti je klani i Zemunit", u thoje ministrave. Ne thamë që duhet t'i japim fund. Ju jeni subjekt i hetimit të një akuze prej meje. Unë kurrë s'kam bërë mocion me debat, sepse kam besim që SPAK i shkon deri në fund. I shprehim mbështetje SPAK. Do të votojmë pro që ta lëmë të bëjë punën e vet. Koha kur politika gjykonte vetveten ka përfunduar me reformën në drejtësi. Pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë mbivendosje. Ky është qëndrimi ynë për të gjitha çështjet. Hiqni dorë nga sulmet ndaj prokurorëve të SPAK dhe rituali i turpit çdo të hëne para SPAK duhet të ndalet. Pafajësia ose fajësia enjë zyrtari është përgjegjësi individuale dhe qëndrimi i PS për këtë çështje është që secili të marrë avokatin individual”, tha Balla. Share Ora 10:20 Reforma Territoriale, Rama në mbledhjen e grupit: Është vendim politik, kush voton kundër, largohet! ‘Lëkundet’ Vullnet Sinaj Kryeministri Edi Rama u ka kujtuar deputetëve socialistë statutin e PS-së gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, duke paralajmëruar ata që kanë shprehur kundërshtime ndaj reformës territoriale.Burime për Report Tv bëjnë me dije se Rama u ka theksuar ligjvënësve se miratimi i reformës territoriale është një vendim politik i Partisë Socialiste dhe se kush nuk voton pro, largohet nga partia.Ndonëse në mbledhjen e kaluar të grupit, Vullnet Sinaj kishte shprehur hapur rezerva ndaj reformës territoriale, burime për gazetaren Raziela Myslimaj, bëjnë me dije se ligjvënësi socialist ka ndryshuar qëndrim.Në mbledhjen e grupit, ku ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, mësohet se Sinaj ka votuar pro draftit të PS-së që shkrin 15 bashki. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajë në seancë Erion Braçe, i cili është shprehur kundër reformës. Share Ora 09:56 Territorialja në Kuvend/ Berisha: Do bëjmë gjithçka për të ndaluar miratimin, Rama presion të tijëve që ta votojnë! Protesta pa simbole partiake (VIDEO) Pak para nisjes së seancës plenare, kreu i PD Sali Berisha tha se do të bëjnë gjithçka për të ndaluar miratimin e reformës territoriale. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po i ushtron presion deputetëve të tij që të votojnë pro. Berisha foli edhe për protestën për të cilën tha se është e qytetarëve dhe se do jetë një protestë pa simbole partiake.Sali Berisha: Opozita do të mbrojë deri në fund interesat e qytetarëve. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që reforma të mos kalojë. Do t'u sqarojmë shqiptarëve se si shkelen interesat e tyre për karrigen e Ramës, se si Rama, para fundit të pushtetit, është i aftë të ndërmarrë çdo akt.Asnjë votë, asnjë votë! Asnjë deputet i PD-së dhe i opozitës nuk e voton.Ai i ka mbledhur aty dhe po u ushtron terror. I ka kapur me libër dhe regjistër shtëpie: ti ke marrë atë tender, ti këtë favor. Po i nënshtron, sepse po bëhet një proces kafkian.Protesta është e qytetarëve. Ne i kemi thirrur demokratët, por aty ka demokratë, socialistë. Është protestë rinore, qytetare. Janë protestues të të gjitha bashkive dhe do të mbetet në kuadrin e protestës qytetare, pa simbole partiake. Do të jetë protestë e njerëzve që shohin se po shkelen në mënyrë kriminale interesat e tyre. Share Ora 09:30 PS në kërkim të 84 votave për Territorialen, Grupi i PS mblidhet para nisjes së seancës! I pranishëm Rama, mungon Balluku Grupi i PS është mbledhur para nisjes së seancës plenare, ku sot pritet të miratohet drafti i PS për reformën territoriale, që shkrin 15 bashki në të gjithë vendin. Në mbledhje ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, por mungoi ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku. Pritet të shihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj. Të dy, në mbledhjen e kaluar të grupit shprehën votën kundër draftit, por pritet të shihet nëse kartonin e kuq do ta ngrenë edhe në seancë plenare. Për tu miratuar drafti i Territoriales, PS i duhen 84 vota. Vota e kundër e dy deputetëve socialistë do ta vinte në rrezik miratimin e reformës. Share Ora 09:27 Protesta për ‘Territorialen’, Berisha: Rama ekzekuton sot 15 bashki! Bashkë përtej bindjeve politike Sali Berisha ka reaguar lidhur me reformën territoriale që sot është në fokusin e Kuvendit, duke përsëritur thirrjen për protestën para Kuvendit. Berisha kërkon që protestës t’i bashkohet kushdo, përtej bindjeve politike.“Edi Rama sot ekzekuton 15 bashki për karrigen e tij! Ora 10:00, të gjithë bashkë në protestë para Parlamentit! Përtej çdo bindjeje politike, t'i dalim zot interesit qytetar!”, thotë kreu i PD. Share Ora 09:25 Territorialja sot në Kuvend, Blushi: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin e Shqipërisë Ndërsa në Kuvend sot pritet miratimi i reformës territoriale, deputeti i PL, Tedi Blushi bën thirrjet që të ndalohet miratimi i projektit që sipas tij synon shpopullimin e Shqipërisë.“Seanca e sotme plenare ka vetëm një rend dite: Të ndalet miratimi i njëanshëm i projektit për shpopullimin dhe zhbërjen e Shqipërisë. Çdo përpjekje tinzare për të imponuar “normalitet punimesh” në një Kuvend të rrethuar me blinda dhe narkopolicë dhe të marrë peng nga mafia duhet përbuzur me neveri.Sot, çdo deputet që e quan veten shqiptar dhe jo shqip-folës ka vetëm një axhendë: Të mos bëhet pjesë e asnjë farse, të mos votojë shpopullimin e Shqipërisë, të përfaqësojë çdo shqiptar të ngritur në revoltë dhe të jetë në lartësinë e përgjegjësisë politike dhe kombëtare që kërkon koha.Sot është një ditë historike ku do të mbahet shënim çdo qëndrim dhe çdo votë. Çdo deputet do të përballet me emrin që shqiptarët dhe historia do t’i japë zgjedhjes së tij: Patriot ose Tradhtar”, shkruan Blushi. Share Ora 09:19 ‘Territorialja’, deputetja Bylykbashi: Nuk ndryshon identitetet, përmirëson jetën e qytetarëve! Më shumë mundësi e kapacitete (VIDEO) Ndryshe nga qëndrimi i opozitës lidhur me shkrirjen e 15 bashkive pasi do të cenojë identitetin dhe shërbimet ndaj qytetarëve, socialistët vijojnë me argumentin se reforma territoriale do të jetë në dobi të qytetarëve.Deputetja e PS në Elbasan, Aulona Bylykbashi ka ndarë një video në rrjetet sociale ku shprehet se identitetet jetojnë në njerëz ndërsa bashkitë më të mëdha ofrojnë më shumë mundësi e kapacitete.“Nëse nesër do të ndryshojnë kufijtë e bashkisë suaj, a do të ndryshonte kjo kush jeni? Identitetet nuk jetojnë në harta, ato jetojnë në njerëz. Qytetet nuk ndahen nga vija, lidhen nga rrugët, nga puna, nga shkolla, nga familjet. Një bashki më e madhe nuk do të thotë më pak identitet, do të thotë më shumë mundësi. Kur bashkohen kapacitetet, nuk humbet askush sepse historia nuk njeh kufij administrativë, ajo njeh njerëz. Reforma territoriale nuk do të ndryshojë identitetet. Ajo synon të përmirësojnë ndjeshëm jetën e qytetarëve”, thotë Bylykbashi. Share Ora 08:21 ‘Mos voto reformën territoriale’, Partia e Lirisë: Sot duhet t’i themi ndal shpopullimit të Shqipërisë, jemi krah qytetarëve Vetëm pas pak orësh Kuvendi do të votohet për hartën e re territoriale dhe nga opozita ka ardhur thirrja e parë për ditën e sotme për ndalimin e saj. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale ku shkruan ‘Mos voto reformën territoriale’ dhe bën thirrje se duhet të ndalet projekti i Ramës për shpopullimin e Shqipërisë.Ajo shkruan se reduktimi i numrit të bashkive do të centralizojë pushtetin dhe do të largojë shërbimet e qytetarëve. Xhixho shprehet se do të jenë krah këtyre të fundit dhe s’do të lejojnë që Shqipëria të trajtohet si “plaçkë elektorale.”Reagimi i plotë:Sot duhet t'i themi NDAL projektit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij për shpopullimin e Shqipërisë!Reforma e re territoriale nuk është një reformë për qytetarët. Është një skemë politike që synon të përqendrojë më tej pushtetin dhe të krijojë avantazhe elektorale.Reduktimi i numrit të bashkive do të largojë shërbimet nga qytetarët, duke lënë zona të tëra në funksion të planeve të qeverisë dhe klientëve të saj.Kjo ndarje territoriale bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale. Mbi të gjitha, ajo përplaset me vullnetin e komuniteteve të 15 bashkive që refuzojnë shkrirjen.Ne do të jemi në krah të qytetarëve. Do të jemi zëri i tyre përballë një pushteti që po vendos interesin e vet politik dhe interesat e klientëve mbi interesin e qytetarëve.Shqipëria nuk mund të trajtohet si plaçkë elektorale! Share P.J/SI.E./ReportTv.al kuvend 8 tetor 2026 reforma territoriale PD Komento Komente Sondazhi i ditës: Territorialja për votim në Kuvend, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 71.4% Jo 26.5% Nuk e di 2% Vota total: 49 Sondazhi i ditës: Territorialja për votim në Kuvend, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?

