Tetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër dhe Dibër, ndërsa strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 16:00 në operacione janë angazhuar 165 forca operacionale, mes tyre 85 efektivë të Forcave të Armatosura. Në mbështetje të operacioneve janë zhvilluar gjithashtu 7 misione ajrore me helikopterë dhe 2 misione me avionë Air Tractor.Lexo edhe:Procesi i bujshëm/ Shkoi 13 vjeç në Francë, shqiptari fiton të drejtën e qëndrimit falë shkollimit të shkëlqyer Në Dajt, në bashkinë Tiranë, zjarri është riaktivizuar në pyllin me pisha mbi tunelet e Qafë Mollës. Në terren po punojnë 22 forca të MZSH-së dhe ADZM-së Tiranë, të mbështetura nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Në Priskë të Madhe vijon ndërhyrja për shuarjen e flakëve, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Drenie të Patosit, zjarri i vënë më herët nën kontroll është riaktivizuar në thellësi të pyllit. Ndërhyrja po mbështetet nga dy avionë Air Tractor, ndërsa situata raportohet në përmirësim. Në Krujë vijojnë operacionet në dy vatra. Në lagjen Abaze, përhapja e flakëve është favorizuar nga era, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Ndërkohë, në zonën Krastë–Halil situata ishte përkeqësuar gjatë orëve të para të mëngjesit dhe kishte rritur rrezikun për banesat. Ndërhyrja me dy helikopterë ka normalizuar situatën dhe ekipet në terren vijojnë punën për shuarjen e plotë. Në malin e Nemërçkës, në bashkinë Përmet, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, i cili nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Një vatër e re është evidentuar edhe në malin e Dhëmbelit, mbi fshatin Badilonjë, ku forcat e MZSH-së Përmet po punojnë për izolimin e saj. Në Gurë-Lurë, në bashkinë Dibër, është evidentuar një zjarr në sipërfaqe me pyll pishe dhe kullotë. Forcat në terren po punojnë për shuarjen e vatrës. AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, ndërsa monitorimi dhe koordinimi i operacioneve në terren po vijon, me përparësi vatrat që paraqesin rrezik për përhapje dhe zonat e banuara.

