Dy anëtarë të opozitës në Këshillin Bashkiak Kurbin ngrenë akuza për mënyrën e zbatimit të projektit të asfaltimit të rrugës “Kisha e Shën Ndout – Lapidari Selitë”. Ata thonë se investimi nuk është realizuar sipas parashikimeve të projektit, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe cilësinë e punimeve, teksa kërkojnë transparencë dhe përgjigje nga Bashkia Kurbin për përfundimin e plotë të segmentit rrugor. SYRI TVLexo edhe:Ndotja kërcënon ambicien e Shqipërisë për t’u kthyer në një destinacion turistik në Adriatik Anëtarët e opozitës të Këshillit Bashkiak Kurbin, Albert Ndoci dhe Sefedin Lika, denoncojnë zbatimin e projektit për asfaltimin e rrugës “Kisha e Shën Ndout – Lapidari Selitë”, duke ngritur shqetësime për mungesën e transparencës dhe mosrealizimin e investimit sipas projektit të miratuar. Sipas tyre, projekti parashikon asfaltimin e 2.9 kilometrave rrugë, por në terren janë asfaltuar vetëm rreth 900 metra. Dy anëtarët e Këshillit Bashkiak denoncojnë gjithashtu mungesën e tabelës informuese në kantier, teksa ngrenë shqetësimin për cilësinë e punimeve dhe dyshime për qëndrueshmërinë e investimit. Ndoci dhe Lika shprehen se kjo rrugë u shërben 16 fshatrave dhe gjendja e saj po dëmton jetën e shumë familjeve, pasi po vështirëson qarkullimin, po dëmton automjetet dhe po krijon vështirësi të mëdha për fermerët. Ata i bëjnë thirrje Bashkisë Kurbin të japë shpjegime publike për vonesat, për mosrealizimin e plotë të projektit të miratuar dhe për cilësinë e punimeve, si edhe të përfjë sa më parë të gjithë segmentin rrugor.
